Home IN MEMORIAM Ndahet nga jeta mjekja Terezina Lleshi

Ndahet nga jeta mjekja Terezina Lleshi

Është ndarë nga jeta në moshën 84 vjeçare Dr. Terezina Lleshi (Pali). Doktoresha e njohur punoi deri në vitet e fundit të jetës me përkushtim si reomatologe në shërbim të qytetarëve të Durrësit. Doktoreshë Terezina Lleshi jetonte prej disa vitesh në Itali.

Lajmin për ndarjen nga jeta të mjekes e bëjnë me dije vetë familjarët, ndërkohë që njoftojnë se varrimi bëhet ditën e shtunë datë 25-03-2023 në Pordenone, Itali.

Shkrimi i plote i botuar ne gazeten Bulevard  pak kohe me pare

Reumatologia Terezina Lleshi Pacienti që nuk respekton recetën e mjekut bëhet invalid

Nuk është fare e vështirë për të gjetur mjeken Terezina (Sokol) Lleshi. Ndonëse ka mbushur plot 20 vite nga dita kur u ka dhënë lamtumirën kolegëve me të cilët ndau kënaqësitë dhe vështirësitë e punës nën uniformën e bardhë të mjekes, nuk është fare e vështirë për ta takuar. Mjafton të mundohesh deri tek spitali i Durrësit. Mund të pyesësh këdo, mjafton të jetë person që e njeh lagjen në të cilën banon mjekja. Nëse do të kërkohet ndihma e bluzave të bardha, mjek, ndihmësmjek, infermiere merr me vete edhe dëshirën e tyre për të të shoqëruar me dashamirësi ndërkohë që u shërben edhe vet atyre si çast i gjetur për të përshëndetur mjeken prej të cilës mësuan mjaft nga specialiteti dhe serioziteti i saj. Por jo më pak ndihmë afrohet edhe nëse i drejtohesh një qytetari aty pranë si dhe ndonjë banori të lagjes. Shkurt dr. Terezina Lleshi ka mundur që në karrierën e saj të gjatë si mjeke reumatologe të fitojë simpatinë dhe respektin e të gjithë qytetarëve të Durrësit. Jo vetëm kaq. Pacientët e saj janë nga të gjitha rrethet e vendit. Vinë edhe nga larg, madje nga shumë larg Durrësit. Doktoreshë Terezina ka sakrifikuar shumë e shumë për të ardhur deri këtu, tek e drejta për të fituar emrin e saj si mjeke e adhuruar dhe e kërkuar. Ka qenë specialiste e vetme për më shumë se 15 vite në spitalin e Durrësit, ndai i është dashur të punojë shumë, të qëndrojë tek koka e pacientit pa ndërprerje, t’u përgjigjet atyre ditën e natën, me kohë e pa kohë . Kështu ishin ato kohë jo vetëm për doktoreshë Lleshin. Edhe mjekë të tjerë që e kanë dashur profesionin dhe që kanë qenë të mbushur me humanizëm, kanë bërë të njëjtën gjë. Megjithatë doktoreshë Terezina Lleshi ka edhe shumë të veçanta. Jeta nuk është se e ka përkëdhelur. Pse jo, e ka mundur shumë dhe mundi ka qenë shpesh edhe i papërballueshëm. Lodhje e sfilitje, fillimisht fizike, ndërsa në kohën që doli në jetë dhe u bë mjeke, këto lloj mundimesh u bënë edhe emocionale, shpirtërore. Është detyruar të shtrohet në punë në moshë të njomë, ende pa u rritur, shumë e vogël, 12 vjeçe. Mamaja saj ishte krahu i vetëm me të cilën mbahej familja. Babai dhe të afërmit e tjerë i ka lënë shumë larg. Jo për nga distanca. Ishin kohë të tjera. Kufiri mes vëllezërve të një gjaku e të një gjuhe ishte i kyçur. Asnjë sinjal për të mësuar se çfarë ndodhte në të dy anët e kufirit. Mundësia e vetme për të mbijetuar ishte që nëna e vajzat ta përballonin vet jetën. Terezina qe e vogla vajzë megjithatë asaj i ra fati të ishte krahu i së ëmës. Kjo e të tjera sakrifica e stërvitën, e kalitën vajzën e re e cila iu përvesh punës dhe librave. Kurajo, guximi dhe mbështetja morale e pakursyer e së ëmës dhe dajës i dhanë krahë. U shkollua dhe u bë emër shumë i respektuar ndër bluzat e bardha dhe ndër qytetarë. Jo vetëm kaq. Terezina Lleshi edhe tani në pension e në moshë 75 vjeçe vazdhon të konsultohet e të kryejë vizita. Sigurisht më të reduktuara në numër se më parë. Pacientët udhëtojnë me kilometra të tëra për të arritur deri në Durrës. Reumatologia Lleshi prej disa vitesh një pjesë të vitit e kalon tek djali i saj, mjek në Itali dhe pjesën tjetër në banesën afër spitalit të Durrësit. Arbeni, djali dokotoreshës në saj të edukatës dhe ndikimit që pati e ëma, Terezina, u shkollua në mjekësi. Përfundoi mjaft mirë studimet në Tiranë dhe vijoi kualifikimet në Itali. Mbrojti diplomën në Parma, u specializua për katër vite për onkologji, mbrojti doktoraturën pas tre viteve studim dhe sot është një nga mjekët më të specializuar në CRO, Itali. Arbeni ka krijuar familjen në vendin fqinj dhe ka sjellë njetë vajzën e tij me të cilën doktoreshë Terezina kalon ditët e qëndrimit sa herë që shkon tek i biri. Edhe pse ndihet shumë mirë në strehën e të birit, sytë i mban nga Durrësi. Një arsye më shumë për të ardhur në qytetin e dashur për të, në Durrës, është edhe malli që dr. Lleshi ka për të afërmit dhe shoqet. Por edhe pacientët janë jo më pak të rëndësishëm në jetën e saj. Në jetën e saj si mjeke ndikoi edhe bashkëshorti, Mëhill Lleshi. Çifti u martua në vitin 1968 ndërsa për shumë vite qëndruan larg njëri-tjetrit ngase bashkëshorti shërbeu si mjek pediatër në Rrëshen. Sëmundja e rëndë nuk i dha më shumë se 16 vite gëzime kurorës duke tronditur po aq rëndë Terezinën si dhe vite e vite më parë nënën e saj.
Fëmijëria
Terezina (Sokol) Lleshi është lindur në Pejë në vitin 1939. Saktësisht në fshatin Nepole. Vendlindja e saj përfshihet në Rrafshin e Dukagjinit me toka të begata dhe klimë të pastër e të shëndetshme. Megjithatë Terezina dhe familja e vogël u detyruan të lënë trojet e të parëve dhe të sistemohen në qytetin e Durrësit. Shkak për këtë lloj degdisje u bë vdekja e të atit. Shtëpia Sokoli nuk kishte djalë dhe në kohën që kryefamiljari ndërroi jetë, bashkëshortja e tij mbeti me tri vajza të mitura. Për shkaqe të ndryshme familja humbi disa fëmijë, ndërsa tragjike për ta, do të ishte humbja e njeriut që mbante peshën e shtëpisë, babait të vajzave. Kjo fatkeqësi do të ndryshojë në mënyrë të shpejtë dhe të pashmangshme rrjedhën e jetës së pjesës tjetër të familjes. Nëna e Terezinës ishte vetëm 28 vjeçe në kohën që humbi bashkëshortin. Meqë kishte vetëm vajza, në mungesë të një dajli në shtëpi, zakoni e donte të linte tabanin e të shoqit. Nëna me tri të mitura kishte një rrugë, ose të kthehej tek prindërit, ose të largohej shumë larg, për në Shqipëri. Terezina ishte vetëm 7-8 muajshe. As ajo dhe as dy motrat, kur u rritën nuk e përfytyronin dot të atin. Imazhet e tij i ruajtën përmes kujtimeve të së ëmës si dhe fare pak fotove të mbetura nga ajo kohë. Gruaja e re pasi konsultohet me të afërm vendos përfundimisht të lërë pas Pejën për t’u vendosur në Durrës. Mendimi saj u pëlqye dhe u pranua nga i gjithë fisi me shpresë e besim se në tokën amë do të gjente dorën e ndihmës. Në qytetin bregdetar kishte një krah shumë të fortë dhe mbështetje të veçantë. Kohë më parë këtu qe vendosur daja vajzave. Terezina, teksa kthehet në kohë rreth asaj ngjarje që e ndryshoi jetën e familjes së mbetur pa të zotin e shtëpisë, kujton se daja Mark Lepuri e priti me shumë interesim dhe përkushtim lajmin për të marrë në strehën e tij motrën e mbesat. Daja i vajzave Marta, Roza e Terezina jetonte familjarisht në lagjen numër 7 të Durrësit. Emigrimi nga Kosova deri në Durrës qe një tjetër peripeci, megjithatë familja e vogël u sistemua dhe u rehatua duke pasur mbrojtje dhe kujdes të admiruar. Për shkak të hapsirës së banimit, vajzat me të ëmën u vendosën tek shtëpia e Gjoz Dervishit, ndërkohë që shteti afronte njëfarë qeraje për të tilla familje. Vet Terezina u largua nga Peja pa mbushur një vjeçe, megjithatë flet me detaje për çdo gjë. Nuk lodhet së foluri për kuvendimet në dhomat e burrave, dashurinë në familjen e madhe 40- antarëshe, flet për trojet e të atit, fisin, zakonet, traditat, arat, zabelet, prodhimet e çdo gjë tjetër. E tërë kjo falë durimit dhe vendosmërisë së gruas 28-vjeçare që gjithë jetën nuk reshti se ushqyeri dashurinë për vendlindjen e vajzave, për Kosovën. Ndryshe nga ekonomia familjare në Pejë, këtu në Durrës gjendja ishte krejt tjetër. E ëma edhe pse në moshë të re e kishte shumë të vështirë të mbante me bukë, ushqime e veshmbathje tri vajzat. Ditë pas dite ekonomia sa vinte dhe rëndohej, ndërsa kërkesat e vajzave që nisën të shkolloheshin shtoheshin. Nëna e Terezinës u punësua në një fabrikë mielli, punëtore. Punë e mundimshme, me një pagë që nuk mjaftonte fare për të përmbushur qoftë kërkesat më të vogla të familjes. Për të mos mjaftuar vetëm me kaq, në familjen e vogël dhe me halle pa mbarim ndodh dhe fatkeqësia e papritur. Roza sëmuret rëndë nga apendisiti dhe në mungesë të kirurgut vdes. Mjekët nuk patën asnjë mundësi ta mbanin në jetë. Kjo qe tjetër goditje e rëndë për nënën dhe familjen e doktoreshës së ardshhme. Këtë ngjarje do ta përjetonte gjatë nëna dhe dy motrat e së ndjerës. Terezina përpiqet të qëndrojë sa më larg asaj ngjarje që vazdhon ta mundojë edhe sot, shumë vite më pas. Në moshën 12-vjeçare Terezina vendos të kërkojë e të gjejë një punë. E ëma jo vetëm që lodhej dhe mundohej deri në sfilitje, por kishte shfaqur një sërë shqetësimesh shëndetësore. Me ndihmën e të afërmve dhe interesimin e dajës arriti të sistemohej në punë tek faramacia numër një në qytet. Kjo i dha dorë të ngrohtë nënës së saj. Vetëm 60 lekë në ditë merrte e ëma nga puna në fabrikën e miellit, lekë që nuk mjaftonin për asgjë. Megjithatë vajzat dhe nëna tyre nuk kanë kërkuar asnjëherë ndihmë tek të tjetër. në shtëpi kanë mbajtur edhe dy lopë për t’u shitur qumështin dhe kjo ishte një mundësi më shumë për të përballuar sfidat e jetës. Terezina me të përfunduar mësimet shkonte me nxitim tek farmacia ku punonte 5-6 orë. Një punë e tillë në atë kohë njihej si ekonomi ndihmëse, me orë të reduktuara. Muaj pas muaji vajza merrte nga 1800 lekë dhe kjo i shërbeu që të kapërcente krizën familjare.
Shkollimi
Me të përfunduar 7 klasë shkollë, Terezina bëhet pjesë e grupit të nxënësve që grumbullohen në Tiranë. Bëhej fjalë për fazën e zgedhjes së më të mirëve për në shkollën e mesme. Meqë doli shkëlqyeshëm edhe në këtë konkurim, i afrohet mundësia për t’u arsimuar si ndihmësfarmaciste. Ky lloj shkollimi i shërbente pa masë pasi kishte punuar në farmaci. Kursi njihej si nivel i arsimit special dhe zgjati një vit shkollor. Terezina e pranoi me qejf nisur edhe nga synimet e saj për të shkuar më tej. Provimet që dha ritreguan aftësitë e pejanes së rritur në Durrës. Ky lloj shkollimi e gjeti në moshën 15- vjeçare. Studimet i vijoi rregullisht dhe të gjitha detyrat i përmbushi me sukses. Pasi mbyll procesin mësimor kthehet tek farmacia 1 dhe 2 në Durrës me njohuri dhe kualifikim të mirë dhe të admiruar edhe për personelin që kishte krijuar respekt të veçantë për vajzën e re. Për shkak të konjekturave të kohës Terezinës i afrohet mundësia e punësimit për të hapur farmaci të re, për të parën herë, në fermën e Sukthit, disa kilometër larg Durrësit. Kërkesa nuk u pëlqye nga vajza e cila u detyrua të shkojë deri në Ministrinë e Shëndetësisë për të refuzuar marrjen përsipër të një ngarkese të papërballueshme dhe me shumë përgjegjësi. Terezina nuk kishte mbushur të 16 vitet ndaj ligjërisht ajo nuk ngarkohej me përgjegjësi dhe kjo qe arma e fortë në dorën e saj. Pasi ia arrin të bindë eprorët, vendos të kthehet edhe një herë në bankat e shkollës. Regjistrohet në gjimnazin që ishte diku afër bankës tek hyrja e portit të qytetit. Për dy vite vazdhon të jetë në mesin e nxënësve elitare. Por vetëm kaq. Nuk e përfundoi gjimnazin pasi në Durrës hapet shkolla për ndihmësmjeke, shkollë 5-vjeçare. Me vullnet e pasion iu përvesh përpjekjes fillimisht për t’u regjistruar dhe më pas për të dalë me rezultate të larta. Edhe këtë herë grumbullimi për të nxjerrë nxënësit fitues të konkursit për në mjekësore u zhvillua në Tiranë. Ashtu si në dy vitet e gjimnazit, edhe në testimin e organizuar në Tiranë doli me rezultate të shkëlyera, me notën 5. Kjo e renditi në krye të listës si fitueseve të së drejtës për të vijuar mjekësoren 5-vjeçare të mesme për ndihmësmjeke. Edhe në këtë rast nuk është se u prit mirë guximi e kurajo e Terezinës. Kishte njerëz që donin të dërgonin dikë tjetër, të afërm të tyre në këtë shkollë. Vajza nga Peja në fund ia doli dhe gjërat ecën mirë. Por nuk mbaron me kaq. Në vitin 1962 troket në dyert e auditoreve të Fakultetit të Mjekësisë. Si për çudi persipecitë në regjistrim nuk munguan. Qeveria kishte udhëzuar që prioritet i duhej dhënë nxënësve që kishin përfunduar gjimnazin, ndërsa Terezina kishte kryer 5-vjeçaren mjekësore. Bëri si bëri dhe me sakrificë e la pas edhe pengesën e rradhës. Pesë vitet e studimit nuk ishin të lehta, kryesisht për ta përballuar ekonomikisht, Megjithatë arrin të diplomohet edhe këtë herë me rezultate shumë të larta. Së bashku me të, në të njëjtin kurs ishin edhe Spiro Qirko, Halit Hako, Vangjel Kalemi… emra të dëgjuar në mjekësinë shqiptare. Durrësi në Faklutetin e Mjekësisë në atë vit kishte katër student. Veç tyre ishin edhe 22 djem e vajza që kishin përfunduar gjimnazin. Terezina kujton se asnjë nga kjo kategori gjimnazistësh nuk mundi t’i shkonte deri në fund studimeve. Një pjesë e kthyen në shtëpi, të tjerë përfunduar në degë të tjera dhe jo pak si kamarierë apo në ndërmarrje të ndryshme.Ata u thyen një nga një duke nxjerrë në pah se urdhëri qeverisë për t’u dhënë atyre përparësi ishte i pastudiuar dhe dështoi praktikisht. Me të mbyllur suksesshëm studimet rikthehet në Durrës, tek spitali i qytetit. Profesionin e mjekes e nisi pasi kreu 2-mujorin e punës në prodhim, praktikë e njohur e sistemit. Terezina Lleshi u bë mjeke pathologe gjithnjë duke ruajtur në brendësi të saj synimin për t’u specializuar. Dr. Lleshi kujton se një gjë të tillë nuk mundte ta manifestonte hapur ngase duhej përgatitur terreni me qëllim që planet e saj për specializim të mos dështonin. Kjo dëshirë u realizua dhjetë vite më pas, ndërsa specializimi në reumatologji i dha Terezina Lleshit atë që e kishte ëndërruar.
Bluza e bardhë
Për dhjetë vite si mjeke pathologe dhe infeksioniste duke përfituar përvojë të mirë. Në anë të saj dhe ndihmë të çmuar për Lleshin kanë dhënë drejtori spitalit, dr. Koço Moisiu dhe pas tij dr. Këlliqi. Për shkak të karakterit të fortë, vullnetit të veçantë dhe cilësive të trashëguara nga e ëma, Terezina mundi të krijonte në një kohë të shkurtër autoritetin e saj të shëndoshë. Kolegët panë në portretin e saj mjeken e përkushtuar, serioze, të saktë dhe humane. Fakti se ka qenë e vetmja reumtologe në 20 vite mjafton për të kuptuar se emri saj ishte bërë shumë i njohur edhe përtej Durrësi. Nga Rrogozhina dhe deri në fshatrat më skajorë të Durrësit në kufi me Krujën ishte hapsira që mbulonte shërbimi spitalor. Ndaj reumatologia si dhe kolegët e saj kishin shumë punë e përgjegjësi. Veç 15 shtretërve me pacientë në spital, dhjetra e dhjetra vizita në ditë, shërbimi i urgjencës sipas grafiku, dr. Terezina çdo të mërkurë bënte vizita në Kavajë dhe çdo të premte në Shijak. Mjekja kishte gjithashtu në patronazh edhe një fshat në Kavajë të cilën e ndiqte me përgjegjësi të jashtëzakonshme profesionale. Kjo mjafton për të kuptuar ngarkesën tejet të madhe të saj si reumatologe. pacientët e saj kapërcenin gjeografinë e qytetit bregdetar. Kishte jo pak nga Dibra, nga Maqellara e largët verilindore; nga Librazdhi, Gramshi, Lushnja, Elbasani, Fieri, Kavaja, Kruja. Rastet sidomos të reumatizmit poliartrit ishin jo të pakta. Sëmundja rrezikon shumë ngase personi nga një nënvleftësim përfundon me valvul. Mjekja nuk ka pushuar kurrë së këshilluari pacientët, shoqëruesit dhe çdokënd në biseda edhe në kohën e shërbimit me uniformën e mjekes, edhe në raste të vizitave familjare. Pacientët e kanë adhuruar ngase dr. Lleshi ka qenë gjithnjë e sinqertë më te. Prej saj kanë mësuar se sëmundja duhet trajtuar me shumë kujdes, se duhet shmangur mundësia e streptokokut për të goditur zemrën dhe kjo në saj të këshillave dhe rekomandimeve mjeksore. Shumëllojshmëria e reumatizimit dhe shumëllojshmëria e streptokokëve rrisnin përgjegjësinë e dr. Terezina Lleshi për të mos pushuar së këshilluari. Ajo ka mundur të bindë pacientët dhe qytetarët e interesuar se afton një infeksion nga bajamet dhe gripi bëhet me reumatizëm poliartrit akut si formë e parë e shfaqjes duke këshilluar dhe bindur ata që të kujdesen për bajamet. Sot spitali Durrësit ka gjashtë reumatologë, në një kohë që Lleshi ka qenë e vetme në 20 vite. Deri në 100 vizita në ditë ka kaluar në dorën e saj tek poliklinika e qytetit dhe të gjitha i ka vlerësuar me seriozitetin më të lartë si mjeke. Ajo ishte e mirinformuar se sëmundja bëhej invalidizuese ndaj synonte që të shpëtonte çdo pacient nga ky rrisk. Por veç shërbimit mjekësor, lypsej shumë durim dhe energji për të bindur pacientët. Doktoresha i kushtonte vëmendje dhe interesim të jashtëzakonshëm mjekimit nisur nga ideja se mjekimi ka rëndësi vendimtare. Për të është krejt e pazëvendësueshme këshilla e mjekut dhe receta e nënshkruar prej tij. “Pacienti që nuk konsumon recetën e lëshuar nga mjeku, bëhet kronik”,-ka deklaruar doktoreshë Terezina Lleshi. Gjatë gjithë kohës së shërbimit me uniformën e bardhë të mjekes, është përpjekur të bindë qytetarët se çdo lloj infeksioni sjell poliartrit. Mjekja ka mbështetur dhe ka mundur të bindë të interesuarit se streptokokët kur futen në gjak, ushqehen, bëjnë vezë dhe lëshojnë toksina. Në saj të durimit dhe këmbënguljes ka arritur të bindë pacientët që janë miqësuar me dr. Lleshin, këshillat e së cilës kanë pasur efekte të plota dhe plotësisht pozitive. Mbështetur në arsyetimet e reumatologes, që i referohet të dhënave shkencore. sukses më vete në punën dhe përkushtimin e saj ka qenë vënia në shërbim të terapisë mjekësore të të dhënave të fundit të shkencës. Dr. Terezina Lleshi ka bërë të gjitha përpjekjet të jetë gjithnjë me hapat e kohës dhe kjo i ka dhënë besueshmëri të padiskutueshme. Ndër pacientë që kanë kërkuar ndihmën e reumatologes Lleshi ka pasur edhe të tillë që janë paraqitur në një gjendje tepër të rënduar, deri edhe të deformuar fizikisht për shkak të sëmundjes së reumatizmit poliartrit. Të mbledhur këmbë e duar, të krrusur e të palosur në mes. Edhe pse në një gjendje tepër të avancuar të sëmundjes, dr. Lleshi në saj të përvojës, shfrytëzimit të literaturës bashkëkohore dhe durimit ka mundur t’i kthejë në jetën normale. “Trajtimet janë të shumëllojshme pasi edhe sëmundshmëria është e ndryshme, edhe pse pacienti e përfshinë në reumatizëm”,-ka thënë Lleshi. Të rrezikshme dhe me një kujdes specifik ka trajtuar kolagenozat të cilat janë sëmundje të rënda, të frikshme dhe me pasoja të rënda për jetën. Nisur nga përvoja e gjatë në këtë shërbim dr. Terezina Lleshi ka bërë të ditur se për të qëndruar sa më larg kësaj sëmundje vdekjeprurëse, qytetarët duhet të vetpërmbahen, të kontrollojnë emocionet, të përpiqen të kontrollojnë situata të vështira e dramatike në jetën e tyre. Kolagenozat janë pasojë e traumave të rënda dhe të forta psikike ndaj reumatologia ka këshilluar çdokënd që vetpërmbajtja dhe konsulta me specialistin janë dy nga detyrimet e pazëvendësueshme. Reumatologia ka organizuar një sërë tryezash si dhe ka mbajtur edhe kumtesa ndër specialist me tema të fushës. Bashkëpunimi me dr. Ali Sula, Llazar Shani, Miri Hoti, Afërdita lezo, Vasilika Zaka dhe të tjerë emra shumë të dëgjuar në shërbimin spitalor të Durrësit i ka dhënë më shumë vlerë rezultateve që ka arritur dr. Lleshi në shërbimin e afruar si reumatologe. Me orë e ditë të tëra qëndronte edhe në laboratorin ku kryheshin analizat për sëmundjet që ajo trajtonte. Konsulta me specialist e laborantë, diskutime të shuma lidhur me shkaqet e manifestimit të sëmundshmërisë, analiza të të dhënave për shifrat aspak pozitive të rritjes së numrit të të prekurve vit pas viti e të tjera ishin tema të bisedave. Për rastet e sëmundjeve të rënda analizat kryheshin në Tiranë, ndërkohë që Terezina edhe me mjek e laborante të atjeshëm mbante korespondencë të vazdhueshme profesionale. Nisur nga numri shumë i madh i pacientëve të trajtuar, dr. Terezina Lleshi ka arritur në konkluzionin se të prekurit nga reumatizmi poliatrit janë qytetarë të cilët kanë vuajtur në jetë nga puna e rëndë fizike. “Po u shtrembërua kolona, nuk drejtohet më.”-ka deklaruar dr. Lleshi. Ajo ka bërë apel të tregohet kujdes dhe të krijohet kulturë punë për ngarkesat fizike të cilat nuk duhet lejuar të deformojnë fizikisht trupin. Mbështetur në statistikat e grumbulluara në më shumë se 35 vite si reumatologe, Lleshi arrin në konkluzionin se më të ndëshkuara nga deformimi kolonës kurrizore janë gratë e Veriut ngase ato janë mundur më shumë fizikisht me punë të rënda dhe që kanë deformuar trupin në të ecur e në të qëndruar. “Po u shtrembërua kolona, nuk drejtohet më”-këshillon reumatologia Terezina Lleshi./ Xh, Gradica

Previous articleNuk mori pjesë në zgjedhje, reagon Lista Serbe dhe zbulon si qëndron e vërteta
Next articleDeputetët që po ikin gjithë gëzim nga Parlamenti