Home Kulture Muzafer Korkuti: Në bordin e Butrintit jo vetëm një specialist anglez, dy...

Muzafer Korkuti: Në bordin e Butrintit jo vetëm një specialist anglez, dy bashkëdrejtorë…

Plani i menaxhimit të parkut kombëtar të Butrintit vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes. Specialistë të ndryshëm të fushës së trashëgimisë kulturore gjatë këtyre ditëve janë shprehur për planin dhe rolin e Ministrisë së Kulturës. Prof. dr. Muzafer Korkuti arkeolog thotë se në çdo marrëveshje që bëhet duhet të ketë një shqiptar të barabartë me një të huaj, për të gjitha gjërat themelore që vendosen në parkun kombëtar të Butrintit. Në intervistën për gazetën “SOT” akademiku Muzafer Korkuti, i cili dhe më parë ka reaguar për problemet në fushën e trashëgimisë kulturore thotë se nuk duhet të shkelur parimi themelor. Për Butrintin, ai thotë se nuk është dakord që në bordin që është dhe organ vendimmarrës të jetë vetëm një specialist anglez. Akademiku Muzafer Korkuti tregon se nuk është thirrur nga ministrja në konsultime. Prof. dr. Muzafer Korkuti është arkeolog, akademik dhe botues i dhjetëra librave dhe i dhjetëra artikujve shkencorë brenda dhe jashtë vendit. Prof. dr. Muzafer Korkuti ka mbajtur funksionin e kryetarit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, nga shtatori i vitit 2013 deri në shtator të vitit 2017, si dhe atë të n/kryetarit të Akademisë së Shkencave gjatë periudhës 2009-2013. Ka qenë gjithashtu drejtor i Institutit të Arkeologjisë në vitet 1968-1977, 1981-1989, 1997-2008.

– Parku kombëtar i Butrintit është një nga zonat më të rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore, arkeologjike, mjedisore dhe turistike të vendit. Tani po flitet për planin e menaxhimit të parkut kombëtar të Butrintit. Për ju çfarë duhet të jetë në vëmendje dhe çfarë mund të na thoni për institucionet përgjegjëse, që duhet të merren me Butrintin?

Janë tre institucione. Butrintin, Apoloninë apo Durrësin, pra qendrat e mëdha arkeologjike është Instituti i Arkeologjisë, që gërmon, studion e boton dhe kjo me ligj. Është Instituti i Monumenteve të Kulturës që restauron e mirëmban dhe monumentet në raport në harmoni me gërmimet arkeologjike. Dhe është dhe një palë e tjetër, që është ajo që menaxhon të ardhurat që vijnë nga turistët, vizitorët, që është Ministria e Kulturës. Tre komponentë janë që duhet të harmonizohen në menaxhimin më të mirë të kësaj qendre mesdhetare. Butrinti hyn në rangjet e qyteteve jo vetëm të trashëgimisë kulturore, por vlerave të gjithë Mesdheut. Problemi është që një i katërt që do të hyjë të bashkëpunojë, anglez, amerikan, etj, duhet të ruajë parimin themelor. Nëse bën restaurimin do ta bëjë me Institutin e Monumenteve të Kulturës, nëse bën gërmim do ta bëjë me Institutin e Arkeologjisë. Dua të them një shembull, gërmimet me bashkëpunimet arkeologjike në Butrint kanë filluar që në vitin 1992. Në fillim me arkeologë grekë më pas anglezë dhe ka vijuar edhe me amerikanë. Themeli është që të dy palët, pala jonë dhe pala e huaj duhet të kenë në krye nga një bashkëdrejtor. Pala angleze një bashkëdrejtor dhe pala shqiptare një bashkëdrejtor, dhe të gjitha këto do të bëhen në bashkëpunim në marrëveshje. Nuk mund të bëjë asnjëri pa palën tjetër. Ky është themeli, ai mbron interesat tona, ne kemi gërmim, kemi eksperiencën, kemi specialistët dhe ata kanë laboratorët, kanë analiza, etj. Por këto harmonizohen në bazë të parimit themelor, kështu ka bërë Instituti i Arkeologjisë.

-Ministrja e Kulturës ka shprehur se bordi i Fondacionit të Menaxhimit të Butrintit përbëhet nga 5 anëtarë. 2 prej të cilëve nga Ministria e Kulturës e 2 të tjerë nga partneri strategjik AADF, ndërsa një i pestë, që do të sigurojë paanshmërinë e këtij bordi vendimmarrës, që është një ekspert i huaj. Organi më i lartë vendimmarrës i fondacionit është bordi, i cili përbëhet nga 5 anëtarë. Çfarë mund të na thoni për këtë përbërje?

Mendimi im është që të menaxhohet si duhet parku kombëtar i Butrintit, në stafin e bordit që vendos si organ vendimmarrës duhet të jetë një shqiptar arkeolog dhe një i huaj, të barabartë me të drejtat për të vendosur. Kjo është pika e parë e marrëveshjes. Ky është thelbi. Unë këtë dua që të jetë e qartë, të tjerat janë interpretime sipas dëshirave, sipas të dhënave. Në marrëveshje, duke qenë një i huaj i barabartë me një shqiptar specialist, ai përgjigjet për të gjitha ato që bëhen dhe mban përgjegjësi profesionale. Ai duhet të jetë çelësi i kësaj të tjerët do të dëgjojnë atë. Unë nuk jam dakord, që në bord të ketë vetëm një anglez specialist.

-Profesor, a jeni thirrur si arkeolog nga Ministria e Kulturës kur janë bërë konsultime?

Nuk jam thirrur nga ministrja në konsultime, nuk më kanë pyetur. Por po të më pyesin do t’ju thoja, që në çdo marrëveshje që bëhet të ketë një shqiptar të barabartë me një të huaj për të gjitha gjërat themelore, që vendosen në parkun kombëtar të Butrintit. Kush e shkel këtë ka shkelur të drejtat e shtetit shqiptar. Këtë e kemi zbatuar kur kishim mundësi. Jo ministrja e Kulturës për ato punë. Ministrja e Kulturës të shpjegojë sa lekë, të dijë shumën ku venë, por jo këto tjerat. Marrëveshja është bërë për dhjetë vjet, këto gjëra do i bëjnë dhjetë vjet siç i kanë vendosur ata.

-Marrëveshja ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe një fondacioni të posaçëm i ngritur për parkun kombëtar të Butrintit ka shkaktuar shumë reagime…

Sepse në mes janë paratë. Po u futën paratë futet sherri, dikur ishin të barabarta palët. Nuk janë të barabarta nëse në krye të atij menaxhimi është një i huaj, tani është Richard Hodges. Pra nuk mund të vendosë vetëm ai apo kushdo qoftë tjetër. Të ardhurat, punën reklamimi do të jenë dy veta, një i shtëpisë shqiptari dhe një i huaj. Më tej nëse çdo gjë tjetër bëhet nga një palë është e gabuar, është në dëm të interesit të shtetit tonë. Historia e Butrintit fillon që në vitet 30 midis Shqipërisë dhe misioneve arkeologjike italiane Ugolini, dhe kjo ishte që nuk lejohej asnjë arkeolog shqiptar të shikonte se çfarë bëhej në Butrint dhe jo të merrte pjesë. Dhe ne e dinim historinë e kësaj pune edhe kur ndodhi grabitje e Deas së Butrintit. E zbuluan dhe e morën kokën e Deas dhe deshën ta çonin në Itali. Në doganën e portit shqiptar, u pa që ishte diçka e vjedhur dhe që të mos bëhej skandali Zogu ia fali atë kohë. Pra nuk ka vetëm një palë, ka dy palë, i zoti shtëpisë është zot shtëpie (arkeolog shqiptar ). Marrëveshje nuk bëhet në ministri, bëjnë ata që gërmojnë studiojnë dhe po u shkel ky parim është shkelur interesi kombëtar.

– Diskutohet për plan menaxhimi, por për ju si specialist i fushës së trashëgimisë kulturore kryesore është dhe ruajtja e Butrintit. Në rast se mund të ketë ndërtime çfarë ndodh?

Ato janë mina me sahat. Çdo ndërtim që mund të bëhet aty është një minë me sahat në parkun e Butrintit.

-Ka shumë interes për parkun e Butrintit…

Ka interesim, sepse atje ka shumë të ardhura nga turizmi.

Butrinti në UNESCO në vitin 1992

Parku kombëtar i Butrintit është një nga zonat më të rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore, arkeologjike, mjedisore dhe turistike të vendit. Zemra e parkut kombëtar është qyteti antik i Butrintit, ekzistenca e të cilit vazhdoi pa ndërprerje, që prej periudhës së prehistorisë e deri në mesjetë, duke ofruar kështu një shumëllojshmëri kulturash dhe periudhash historike. Në saj të vlerave të larta historiko-kulturore qyteti antik i Butrintit u përzgjodh fillimisht si monumentkKulture në vitin 1948, në ligjin e monumenteve të Kulturës së Shqipërisë. Ndërsa, në 1981 pylli i Butrintit është përshkruar nga ligjet shqiptare në ruajtje për rëndësinë e mjedisit. Në vitin 1992 Butrinti u pranua si vendbanimi i parë arkeologjik i Republikës së Shqipërisë në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s. Për shkak të trazirave civile të vitit 1997, Komiteti i Trashëgimisë Botërore në dhjetor të këtij viti përfshiu Butrintin në listën e trashëgimisë Botërore në rrezik. Emërtimi si park kombëtar u bë me qëllim për mbrojtjen dhe konservimin e monumenteve historike dhe trashëgiminë e pasur mjedisore. Brenda parkut ndodhen 10 zona të shquara arkeologjike, që lidhen me historinë e Butrintit. Disa prej tyre janë zona brenda mureve të Butrintit, ajo jashtë mureve, Diapori, Fortesa – kalaja e Ali Pashë Tepelenës, Kalivoi, Shën Dëllia, Shën Dhimitri, Xarra, Ana e Kanalit të Vivarit etj. Specialistë të arkeologjisë kanë theksuar se Butrinti është një thesar i jashtëzakonshëm për Shqipërinë.