Home Ekonomia Mungesa e qumështit shtrenjton bulmetin; Çmimi i gjalpit arrin 1,600 lekë, ndikohet...

Mungesa e qumështit shtrenjton bulmetin; Çmimi i gjalpit arrin 1,600 lekë, ndikohet dhe nga kërkesa e lartë për bakllava

Në tërësi produktet e bulmetit sipas listës së re në supermarkete për produktet e një prej kompanive më të mëdha në treg janë shtrenjtuar sërish nga 9 deri 30%. Rritja më e lartë është shënuar te produkti i gjalpit dhe djathit të lopës. Çmimi i gjalpit të lopës prej ditësh në supermarkete dhe dyqanet ushqimore po shitet më shtrenjtë sesa mishi. Nga fillimi i muajit tetor çmimi i gjalpit të lopës në dyqanet ka arritur 1,500 deri 1,600 lekë/kg nga 1,250 lekë që ishte një muaj më parë. Çmimi është shtrenjtuar 20-28% më shtrenjtë. Për produktet e tjera të bulmetit si: gjiza çmimi është rritur 27% nga 220 lekë çmimi ka arritur 280 lekë; kaçkavalli i lopës është rritur 13% dhe i deles 9%, çmimi i djathit të lopës është rritur 28%, krem i qumështit është rritur 50%.

Çmimi i gjalpit prej disa ditësh është shtrenjtuar edhe nga një tjetër operator. Taulant Pupa administratori i kompanisë “Vita 2001” tha së për shkak të rritjes 75% të qumështit të lopës nga fermerët është detyruar të shtrenjtojë çmimin e gjalpit rreth 18%. Çmimi i gjalpit nga kjo kompani po shitet 1,000 kg nga 850 lekë që shitej më parë. Ndërsa qumështi i lopës nga fermerët nga 40 për litër po shitet 70 lekë, ndërsa fermat e mëdha e shesin 80 lekë.

Pupa shton se përveç kostos së qumështit rritja e çmimit është ndikuar edhe nga kërkesa e lartë e gjalpit për përgatitjen e bakllavasë në prag të festave të fundvitit, në një kohë kur produkti i stazhinuar është në sasi më të ulët se vjet. Edhe kompanitë e tjera përpunuese veçojnë se rritja e çmimeve është ndikuar nga shtimi i kostove. Drejtori i përgjithshëm i kompanisë “Lufra” Luis Ndreka tha se deri tani çmimet janë rritur 40 deri 50% më shumë se vitin e kaluar, për shkak të kostove.

“Problematika më e madhe është mungesa me rreth 15% e qumështit lëndë e parë në vend. Vështirësia për të gjetur sasinë e duhur të qumështit nga fermat rrjedhimisht ka prishur ekuilibrat e çmimit. Sot çmimi me të cilin po blihet qumështi në derën e fermës e kalon çdo shtet të Europës. Të mos harrojmë që lënda e parë qumësht është rreth 65% e kostos totale të produktit final dhe një ndryshim në këtë kosto ka impakt shumë të madh në koston totale”, pohoi ai.

Tashmë u bë 1 vit që në treg qumështi i lopës gjendet me vështirësi. Në muajt korrik -gusht fabrikat përpunuese kishin mungesë të djathit të stazhinuar.

“Kjo ka ardhur për shkak të rënies së numrit të fermave të vogla. Edhe pse fermat e mëdha të mbajtjes së lopëve janë rritur në raport me reduktimin e fermave të vogla zgjerimi i tyre nuk ka efekt te prodhimi. Rënia e fermave të vogla ka ardhur për shkak të emigrimit të rinjve. Kërkesa për djathë lope po plotësohet me vështirësi me qumësht nga jashtë, pasi edhe qumështi i importit po gjendet me vështirësi”, shtoi më herët për Monitor një tjetër operator.

Të gjithë operatorët e tregut për këtë vit kanë shtrenjtuar çmimet e produkteve të tyre nga 3 deri në 5 herë. Rritje tjetër pritet parashikohet të ketë edhe për muajin mars, pasi pritet që me nisjen e prodhimit të qumështit të deles dhe dhisë çmimi të jetë 20 deri 30% më shumë./Monitor

Previous articleNdërkohë që po dështon lufta në Ukrainë, në Rusi po shtohen trazirat e brendshme
Next articleAvokati i dyfeqeve të 21 Janarit, denoncon Portin e Durrësit nga “Kulla e Barit”