Home Sociale Meditim mbi një foto…

Meditim mbi një foto…

Nga Abdurahim Ashiku

Aty, mes atij kuadrati ka qenë “Shkolla ime”, shkollë me dy e më vonë me tri klasa, shkollë për Brezhdanin me 300 shtëpi, shkollë edhe për Ushtelencën kur ajo ende nuk kishte shkollë të vetën…
Aty, në bankat e asaj shkolle u ula dhe mësova katër vite të jetës sime, nga viti 1948 në vitin 1952.
Aty mësuan germat e alfabetit mijëra bashkëkohës të mi që në vijim do të bëheshin intelektualë me arsim të mesëm e të lartë…
Aty na dhanë mësim mësues të ardhur nga Berati (Nigjare Velçani), nga Përmeti (Gavril Kota), nga Shkodra (Mark Kalaj) nga Elbasani (Mahir e Burbuqe Graceni)…
Aty mësues im i klasës së parë Bajram Çipuri më mësoi të shkruaj e të lexoj…
Aty, edhe kur u ndërtua shkolla shtatëvjeçare në Zdojan, mësuan deri në vitin 1991 fëmijët e lagjeve të largëta: Kallçisht, Menge, Domazete, Mede, Xharre…
Aty, në vitin 1991 një dorë e zezë hoqi çatinë, shembi muret, rrëmbeu mobiliet dhe orenditë…
Në asnjë vend të botës shkolla nuk preket: është tyrbe, gazidete, kishë, xhami, teqe, vend i shenjtë, vend i lidhur me të ardhmen e një kombi…
Kjo ndodhi në Brezhdan të Dibrës…
Dhe jo vetëm atje…
Po me shkollën çfarë patët ogurzinj?