Home Opinion Me një kundërshtar si Berisha, Rama nuk ka nevojë për aleatë

Me një kundërshtar si Berisha, Rama nuk ka nevojë për aleatë

Nga Lorenc Vangjeli

Ka një mallkim që i ndjek paprerë opozitat shqiptare. Ato sillen ndaj qeverisjes së radhës me mentalitetin e zhytjes në llogore dhe të armikut përballë. Opozitat, dje e majta, sot e djathta, i qasen qeverisjes me paranojë të skajshme, me mosbesim të thellë dhe me mohim total. Për të kuptuar qëndrimin e njërës palë, mjafton të dëgjohet pala tjetër dhe të kthehet përmbys arsyetimi. Çfarë njëra e quan ditë që shkëlqen, për tjetrën është vetë ferri që nxin. Kjo ndarje e thellë mund të shpjegohet me shumë arsye dhe ato nuk vijnë vetëm nga tradita më e ligë që është krijuar në këto tre dekada pluralizëm.

Ndarja dhe armiqësitë reflektojnë vetë raportin e individit shqiptar me shtetin. Në vetëm 110 vjet shtet të pavarur, në shumë më shumë se në gjysmën e kësaj kohe, vetë shteti është sjellë në mënyrë armiqësore e kriminale me qytetarët e tij. Si armiq janë sjellë me njëri-tjetrin edhe ata që konsiderohen ende si korifenj të mendimit të shqipes dhe që tingëllojnë bukur kur citohen veç e veç, por që bashkarisht ndanin interesa të kundërta personale e politike. Eshtë tmerrues raporti me Nolit, Konicës apo At Gjergj Fishtës. Njëlloj si sot Rama, Berisha e Meta edhe pse krahasimet mes tyre janë tjetër gjë. Njëlloj edhe në anën tjetër të Drinit, kur dëgjon se çfarë urrejtje shkëmbejnë bashkarisht sot Kurti, Thaçi e Haradinaj apo edhe Rugova, Demaçi e Qosja dje. Për të mos përmendur Hoxhën, komunistin feudal që njëherë bekonte si prift bashkëluftëtarët e tij e pastaj i grinte me plumba. Zoti mos e dhëntë që të kenë njëkohësisht të gjithë të drejtë për njëri-tjetrin!

Ky keqkuptim fatal me funksionimin e demokracisë, është baza më e gjerë për të kuptuar edhe duelin dramatik e qesharak që po zhvillohet për protestën e paralajmëruar të 6 dhjetorit. Nga njëra anë Berisha premton derdhje në shesh për të treguar një realitet tjetër shqiptar dhe një vend që ndodhet nën një regjim që trysnon demokracinë, që grabit për të blerë shmangien e rotacionit qeverisës dhe nga ana tjetër qeverisja që vizaton një opozitë të marrë peng nga non grata dhe që kërkon të marrë peng gjithë Shqipërinë për shkak të individit që kërkon pushtet.

Në 6 dhjetor Tirana është mikpritëse e një aktiviteti që mbahet në Shqipëri, por është shumë më i madh se vetë ajo. Samiti është një organizim evropian për halle që tejkalojnë ndjeshëm madje edhe përmasat e rajonit. Hallet në Perëndim, aty ku Shqipëria kërkon me dëshpërim vendin e saj, janë pafund më të mëdha sesa pesha modeste që shton Tirana në to.

Berisha kërkon pjesën e tij në skenën e Samitit. Endrra e tij është që në 6 dhjetor, në Tiranë të ketë dhunë. Jo që të jetë ai autor i saj, por që të jetë viktimë e dhunës. Objektivi tjetër dhe më konkret është që ai të dëshmojë praninë e tij dhe të paralajmërojë se shmangia dhe izolimi i tij i mëtejshëm, prapakupton edhe një Shqipëri me shanse destabilizimi.

Berisha nuk është kurrsesi naiv si një shumicë dëshpëruese mes atyre që e ndjekin pas. Ai kërkon të rishfaqet si aktor me një vend në tavolinë, në një vend që ai është padyshim faktor dhe shpesh edhe përmbysës i tavolinave. Berisha synon të demonstrojë pikërisht këtë mospërputhje mes realitetit dhe indiferencës ndërkombëtare ndaj tij. Ai e di se po luan një kartë të dëshpëruar dhe se nga ky bast, në bregun tjetër del vetëm po të luajë bllofin deri në fund. Me shumë gjasa askush nuk do t’i japë dhunën që ai kërkon. Alternativat e tjera e nxjerrin edhe më keq.

Por kësaj here kjo është një llogari e gabuar e një njeriu që vetja dhe rrethanat e kanë vënë me shpatulla mbas murit dhe kësaj radhe, po e distancojnë edhe nga një aleat jetik për të si Ilir Meta. Në çdo skenar të ligësht të 6 dhjetorit, për Ramën që tani duket se e ka “harruar” Metën, do të jetë shumë e lehtë të vizatojë vështirësitë e tij në qeverisje duke treguar me gisht një opozitë që drejtohet nga një njeri armiqësor me Perëndimin. Dhe duke siguruar madje edhe shfajësim vetjak që kur me të nuk po i zgjidh punët as boshti angloamerikan, madje as drejtësia e dizenjuar dhe pilotuar prej tyre, rreziku për demokracinë shqiptare ka një emër të vetëm.

Berisha po luan sipas traditës më të keqe të opozitarizmin që për pleshtin privat të së sotmes, është gati të djegë gjithë garderobën e përbashkët të së nesërmes. “Pas meje, qameti!”, kjo kartë e dëshpëruar e 6 dhjetorit është fati i keq i të gjithë shqiptarëve, që pohon se me një kundërshtar si Berisha, Rama nuk ka nevojë për aleatë. Dhe mbi të gjitha, vërteton edhe njëherë se shqiptarët nuk kanë nevojë për armiq natyralë. Ata dinë të sillen si armiqtë më të egër ndaj njëri-tjetrit.

Previous articleTë shtënat me armë në Kurbin, policia: Autori ka qëlluar në korridorin e selisë së PD
Next articleThirrja e presidentit Begaj për 28 Nëntorin: T’i përkushtohemi Shqipërisë së gjeneratës tjetër