Home Maqedonia Maqedoni: Qytetarët pajtohen të nxirren nga Kuvendi deputetët “rebelë”

Maqedoni: Qytetarët pajtohen të nxirren nga Kuvendi deputetët “rebelë”

maqedoniNjë anketë e realizuar nga Instituti “Societas Civilis” ka rezultuar me përqindje të lartë të të anketuarve të cilët pajtohen se duhet mënjanuar nga salla plenare e Kuvendit deputetët që prishin qetësinë dhe rendin.

Sipas anketës së realizuar përmes telefonit më 17 dhe 18 janar, 72 për qind e qytetarëve kanë thënë se deputetët që prishin rendin e seancës plenare nuk do të duhej të liheshin në sallë, përkundër 17.1 për qind të tyre që nuk janë pajtuar me përdorimin e forcës për t’i mënjanuar ata.

E lartë maksimalisht është edhe përqindja e qytetarëve të cilët janë të mendimit se rendi dhe qetësia në Kuvend duhet respektuar nga të gjithë deputetët pavarësisht dallimeve që mund t’i kenë mes tyre.

Gjithsej 94.1 për qind, ndërkaq, janë shprehur se rregullat duhet respektuar, kurse minor është numri i atyre që janë përgjigjur negativisht.

Qytetarët e anketuar, sipas rezultateve që i ka bërë të ditur “Societas Civilis”, kanë vlerësuar me notën mesatare 2.82 punën e Kuvendit të Maqedonisë, që është për 0.4 poenë më e ulët se vlerësimi i anketës së vitit të kaluar.

Lidhur me mënyrën e udhëheqjes së seancave, 53.7 për qind e qytetarëve e kanë vlerësuar pozitivisht mënyrën sesi e bën këtë kryetari i Kuvendit, dhe vetëm 29 për qind nuk janë shprehur.

Anketa është realizuar me gjithsej 1.123 qytetarë.

Previous articleAfganistan: Nga sulmi vetëvrasës – së paku 5 të vrarë
Next articleAvokatët Koci dhe Gashi fajësojnë Kryeministrin në rastin Limaj