Teuta është mundur sërish nga Laci në kupë, në “Niko Dovana” me rezultatin 1-2. Durrsakët nuk arritën dot të thyenin tersin kurbinas, ndonëse ishin me shumë mungesa. “Djemtë e detit” e kanë përqendruar vëmendjen nga kryeqyteti, ku në fundjavë i pret një ndeshje shumë e vështirë dhe luajtën mjaft të rezervuar. Kurse nga ana tjetër, miqtë kishin ardhur me ide të tjera në këtë përballje. Trajneri i Teutës, Gugash Magani, ka pranuar se ekipi i tij zbriti në fushë thjesht për të respektuar kupën, pasi ka dalë tashmë nga objektivat. “Kupa kishte dalë nga objektivat tona, kështu që vendosëm të luanim me një skuadër mjaft të cunguar. Në fundjavë na pret një ndeshje shumë e vështirë në transfertën e Tiranës, prandaj ishte e domosdoshme që disa prej lojtarëve të mos i aktivizoja në këtë takim. Ata që u aktivizuan bënë një paraqitje relativisht të kënaqshme, por na duhet më shumë punë. Vëmendja jonë tashmë është përqendruar në ndeshjen me Tiranën”.