Home Sport Magani: Duhet të rimarrim vendin e dytë

Magani: Duhet të rimarrim vendin e dytë

MaganiNë analizën e tij për humbjen e fundit trajneri Gugash Magani pranon se skuadra nuk bëri paraqitjen që pritej, dhe për këtë ka kërkuar që përgjegjësinë e humbjes t’ia faturojë vetes dhe një pjese të lojtarëve që nuk u paraqitën denjësisht. Pavarësisht kësaj, Magani shprehet i sigurt se, pavarësisht humbjes në Shkodër, skuadra e drejtuar prej tij do të arrijë objektivin, pjesëmarrjen në Kupat e Europës: “Sigurisht që skuadra një ditë do të humbte, por mua më shqetëson fakti se humbëm një ndeshje të rëndësishme. E pranoj që bëri një paraqitje mjaft të dobët dhe për këtë dua t’u kërkoj falje tifozëve të Teutës dhe presidentit të saj, ndërsa u premtoj se shumë shpejt do të kthehemi te fitorja, madje duke nisur që nga ndeshja e radhës. Për mua dhe të gjithë lojtarët kjo ishte një humbje e paparashikuar dhe mjaft e dhimbshme, sepse ishim përgatitur për fitore. Mund të shtoj se për gjykimin e ndeshjes mes Vllaznisë dhe Teutës kam rezerva, por nuk dua kurrsesi të justifikohem me këtë. Penalltitë vendosën ndeshjen, megjithatë më i inatosur jam me veten dhe skuadrën sesa me gjyqtarët. Duhet ta kishim situatën nën kontroll dhe të mos kishim lejuar të përfshiheshim në situata të tilla. Megjithatë, sikundër edhe e përmenda, përgjegjësia e humbjes bie mbi mua dhe lojtarët.” Në lidhje me objektivat dhe ecurinë e skuadrës Magani shprehet: “Në fakt, momentalisht kemi dy objektiva: i pari, që të sigurojmë një biletë për në Kupat e Europës, diçka që besoj se nuk e rrezikojmë; i dyti dhe më i rëndësishmi, të rishpallemi nënkampionë. Për herë të parë skuadra ka zbritur nga vendi i dytë, dhe kjo na ka dëshpëruar jashtë mase të gjithëve. Ne do të tentojmë sërish ta rimarrim vendin e dytë dhe kemi shumë besim se do t’ia arrijmë qëllimit. Në Shkodër kishim mundësi të artë të hipotekonim objektivat, por nuk u treguam të zotë dhe tashmë na duhet që ndeshjet e mbetura t’i fitojmë të gjitha. Ne kemi kalendar më favorizues se kundërshtarët tanë, por, siç e theksuat ju, në letër, sepse skuadrat janë bërë të gjitha të forta dhe të paparashikueshme. Gjithsesi, po ta krahasojmë me kalendarin e kundërshtarëve, them se jemi më të favorizuar dhe e kemi më të lehtë ta arrijmë objektivin sesa ata. Skuadra po ecte mirë dhe po merrte rezultate pozitive, por ndeshjet e fundit sikur është shpërqendruar pak. Gabuam ndaj Kukësit dhe Vllaznisë, dy ndeshje që nuk duheshin falur. Krijuam një vetëbesim të tepruar dhe kjo ishte një nga pasojat e gabimeve që bëmë në këto dy përballje. Kjo na bëri të kuptojmë se asnjëherë nuk ka marrë fund diçka që nuk ka përfunduar. Por, jemi ende në kohë ta ndreqim gabimin. Në fakt, për gjithçka do të flasim në fund të sezonit, kur do të bëjmë analizën e skuadrës dhe paraqitjen e çdo pjesëtari të saj. Aktualisht duhet të jemi të përqendruar maksimalisht në takimet që na kanë mbetur dhe të japim më të mirën në fushë.” Në të vërtetë Teuta ka një kalendar të favorshëm në këto katër javë që kanë mbetur për t’u luajtur deri në fund të kampionatit. Durrsakët presin këtë fundjavë Apoloninë, e cila e ka prerë biletën për në Kategorinë e Parë. Më pas durrsakët udhëtojnë drejt Ballshit, ku do të përballen me vendësit që për momentin nuk kanë objektiva. Ekipi i drejtuar nga Magani rikthehet në javën e 25-të në fushën e vet, ku do të presë Laçin, dhe e mbyll kampionatin në Berat ndaj Tomorit, që gjithashtu ka rënë matematikisht një kategori më poshtë. Durrsakët luftojnë që të kapin një prej vendeve që i dërgon në Kupat e Europës.

Previous articleMancaku: Teuta do të jetë nënkampione
Next articleSadiku në dilemë drejt Brazilit apo drejt Serie A