Sot, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” mbajti ceremoninë e ndarjes së titullit “Doctor Honoris Causa” për laureatin e çmimit Nobel, Dan Shechtman.
Me këtë rast, profesori Dan Shechtman deklaroi se puna e profesorëve është që të inkurajojnë studentët që të bëhen profesionistë të mirë dhe të kontribuojnë në shoqëri.
Duke folur për shkencën, ai tha se shkenca përparon në dy mënyra, njëra mënyrë është revolucioni dhe tjetra evolucioni. Shechtman potencoi se Kosova duhet t’i tërheqë njerëzit e diasporës që të punojnë në vendin e tyre.
Shechtman: Të inkurajojmë studentët të bëhen profesionistë të mirë, të kontribuojnë në shoqëri
Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Prof. dr. Qerim Qerimi, derisa vlerësoi punën e profesorit Dan Shechtman u shpreh se UP ka privilegjin që t’a ketë si pjesë e komunitetit akademik.
Ai tha se historia inspiruese e Shechtman inkurajon secilin që t’i shtyjë kufijtë e të kuptuarit dhe të kontribuohet për përmirësimin e botës sonë.
Qerimi: UP ka privilegjin që t’a ketë profesorin Dan Shechtman si pjesë e komunitetit tonë akademik
“Sot derisa nderojmë profesor Dan Shechtmanm me doctor Honoris Causa, jo vetëm që kremtojmë arritjet e tij të shquara, por gjithashtu riafirmojmë përkushtimin tonë ndaj përpjekjeve të njohurive në përparimin e shkencës. Historia e tij inspiruese…vendosshmërisë dhe e zbulimeve e inkurajon secilin prej nesh që t’i shtyjmë kufijtë e të kuptuarit tonë dhe të kontribuojmë për përmirësimin e botës sonë. Edhe njëherë përgëzime profesor Dan Shechtman për këtë nder të mirëtë merituar. Universiteti i Prishtinës ka privilegjin që t’ju ketë si pjesë e komunitetit tonë akademik dhe presim me padurim të mësojmë nga menquria juaj dhe nga përkushtimi i juaj ndaj të vërtetës dhe zbulimeve.”, tha ai
Ndërsa, laudatori Sefer Avdiaj potencoi se kontributit të profesorit Dan Shechtman ndaj komunitetit shkencor nuk i mungon asgjë.
Ndër të tjera, ai tha se është nder që Universiteti i Prishtinës jep profesorit Shechtman titullin “Doctor Honoris Causa”.
Avdiaj: Kemi nder të madh që ne i japim profesorit Shechtman “Doctor Honoris Causa” nga universiteti ynë
“Kontributi i profesor Shechtman kalon përtej arritjeve të tija individuale…ai ia ka përkushtuar jetën dhe karrierës përparimit të njohurive dhe të kuptuarit të përdorimit të shkencës dhe teknologjisë, nga e cila do të përfitojë shoqëria dhe për promovimin e vlerave të kurreshtjes intelekuale dhe integritetit…Sot ne kemi nder dhe admirim të madh që ne i japim profesorit Shechtman Doctor Honoris Causa nga universiteti ynë.”, tha ai, me ç’rast, tregoi edhe arritje të tjera të profesorit Shechtman.
Titulli “Doctor Honoris Causa” iu nda profesorit Dan Shechtman për punën mbi kuazikristalet, kontributin në avancimin e shkencës së materialeve dhe për përkushtimin rreth përdorimit të shkencës e teknologjisë lidhur me mirëqenien e shoqërisë.