Home Ekonomia Kriza/ Qeveria drejt rishikimit të buxhetit – Paketa e re: 18 mijë...

Kriza/ Qeveria drejt rishikimit të buxhetit – Paketa e re: 18 mijë lekë deri në fund të vitit për 434 mijë individë

Në kushte kur afati i paketës anti-krizë përfundon në fund të muajit dhe rritja e çmimeve nuk po ndalet,  Ministria e Financave parashikon ndryshime në buxhet me qëllim që të vijojë mbështetjen për shtresat në nevojë.

Burime nga qeveria për SCAN TV, bëjnë me dije se është përgatitur një paketë të dytë e rezistencës sociale që targeton familjet me ndihmë ekonomike, pensionistë të invaliditetit, pensionistët që jetojnë vetëm, personat me aftësi të kufizuar, paraplegjikë, tetraplegjikë apo të verbër, ku parashikohet që të aplikohet  si kompensimi i rritjes së çmimeve të shportës e njëjta masë mbështetje për 3 mijë lekësh në muaj deri në fund të vitit.

Në total janë afro 434 mijë përfitues që janë mbështetur në paketën e parë sociale, pasi nga bonusi përjashtohen përjashtohen mbi 231 mijë pensionistë që marrin pension më të lartë se gjysma e pagës minimale.  Po të bëjmë një llogaritje të thjeshtë përfitimi për çdo individ arrin në total në 18 mijë lekë deri në fund të vitit dhe buxhetit të shtetit kjo paketë i kushton afro 7.8 miliardë lekë.

Burimet nga Financat theksojnë se të ardhurat shtesë vetëm nga rritja e çmimeve në buxhet përgjatë 5 muajve të parë të vitit janë 13 miliardë lekë, ndërkohë që deri më tani janë alokuar afro 6 mld lekë për paketën anti-krizë dhe 20 miliardë lekë janë vënë në dispozicion si garanci për kompensime të energjisë elektrike në mënyrë që të mos rritej çmimi i energjisë për konsumatorët familjarë, fond i cili nuk është ezauruar.

Kështu që me ndryshimet e tanishme, qeveria do të fokusohet vetëm në mbështetje të shtresave në nevojë.