Home Opinion Kontributi i punonjësve me urdhër, solidarizim jonjerëzor

Kontributi i punonjësve me urdhër, solidarizim jonjerëzor

Nga Adelaida Dajko

Gjendja komike post-tërmet duket se do të vazhdojë edhe pas lëkundjeve të forta për t’i thirrur mendjes. Një urdhër i ri i dalë nga Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër, që sigurisht ka qarkulluar edhe në rrjete sociale (foto e bashkangjitur), detyron punonjësit e policisë të japin kontribut ndaj të prekurëve nga tërmeti i datës 26 nëntor 2019.

Drejtoria ka rreshtuar nenet e ligjet, ku sipas atyre të cituara në urdhër, bazuar në nenin 11, pika 3 të Ligjit nr. 108/2014, si poshtëshkruar “3. Drejtori i drejtorisë vendore: a) drejton dhe koordinon veprimtarinë e strukturave; b) menaxhon burimet njerëzore; c) menaxhon buxhetin; ç) nxjerr akte të përcaktuara në Rregulloren e Policisë; d) bashkëpunon me drejtuesit e strukturave vendore brenda juridiksionit dhe fushës përkatëse të kompetencës, me qëllim përmirësimin e policimit dhe sigurinë e komunitetit.”, pika b shpreh se drejtori i DVP menaxhon burimet njerëzore.

Bukur. Si mund të detyrosh me urdhër punonjësit e policisë për të kontribuar? Si mund të detyrosh dikë të bëjë një gjest që ëe fakt, në princip, është vetëm dhe vetëm i vullnetshëm? Si mund të përdhoset kontributi i të gjithë atyre punonjësve të policisë që në këto ditë të sikletshmë, nuk kanë qenë pranë familjeve të tyre, me dëmtime a pa dëmtime, por në krye të detyrës duke dhënë çdo moment kontributin e tyre dhe jo vetëm detyrën për të cilën paguhen?

Nuk e di sa zyrtar është lajmi që edhe pensionistëve dhe punonjësve të administratave do t’u mbahen shuma nga pagesa e tyre, por di të them që populli shqiptar vuan për bukën e gojës në ditë me diell, jo më në situata të jashtëzakonshme. Tani, detyrohen edhe të japin me doemos kontribut.

Zemrën e një njeriu nuk e solidarizon shuma që dhuron, apo fakti nëse dhuron apo jo në radhë të parë. Askush nuk mund të urdhërojë apo detyrojë dikë, zyrtarisht madje, të japë një pjesë të pagës së tij. Nuk është e logjikshme dhe as njerëzore si veprim. Tjetër punë, nëse një Drejtori organizon mbledhje kontributi në shenjë solidarizimi me vullnet tw lirw dhe tjetër gjë është të detyrosh tjetrin të solidarizohet me patjetër, ose… siç thuhet edhe në fund të shkresës së urdhërit, “kontributet të shoqërohen me listën emërore të efektivave që kanë dhënë kontributet duke shkruar dhe vlerën e kontributit të dhënë.”. Qershia mbi tortë, mirë që po i urdhërojnë të japin kontribut, por kanë caktuar edhe vlera fikse për kontributet që duhen dhënë.

E kështu të dashur miq, kur shpresohej për një ndryshim mentaliteti pune dhe veprimi në Shqipëri, nuk ka tërmet që mund të ç’rrënjosë jologjiken dhe traumat e mendjes, të kthyera në formë çnjerëzore tashmë.

SOURCEBulevard News
Previous articleUAMD lajmërim në lidhje me proçesin mësimor/ Studentet me probleme strehimi të kontaktojnë universitetin
Next articlePërfundon shorti për KED, ja cilët janë 9 anëtarët e rinj