Home Ekonomia Konfindustria kërkesë Kuvendit: Mos miratoni marrëveshjen e Portit të Durrësit pa pasur...

Konfindustria kërkesë Kuvendit: Mos miratoni marrëveshjen e Portit të Durrësit pa pasur studim fizibiliteti

Konfindustria i kërkon Kuvendit që të mos miratojë nesër marrëveshjen për Portin e Durrësit nëse nuk del më parë studimi i fizibilitetit, fakti nëse projekti ka leverdi ekonomike dhe pa pasur garanci ligjore.

Përmes një deklarate për mediat një ditë para shqyrtimit të marrëveshjes në Parlament, Konfindustria bën të ditur se trualli i Portit do ti kalojë kompanisë private dhe nëse projekti nuk realizohet, do të jetë e vështirë që të kthehet sërish në pronësi të shtetit.

Deklarata

Konfindustria kërkon, që Kuvendi i Shqipërisë të mos miratojë Marrëveshjen e Portit të Durrësit pa u njohur dhe vlerësuar paraprakisht leverdisshmërinë ekonomike të projektit, parë nga këndvështrimi i interesit publik. Gjithashtu, kërkohet përfshirja e garancive ligjore, të domosdoshme në rastin e mosplotësimit të pritshmërive financiare dhe/ose shkeljeve të mundshme të marrëveshjes nga koncesionari.

 

 

Konfindustria vlerëson, se pjesë e domosdoshme e projektit të fizibilitetit duhet të jetë përfshirja jo vetëm e kostos dhe kohës së ndërtimit të Portit të Ri të Durrësit, por edhe humbjet financiare, që do ti shkaktohen ekonomisë kombëtare nga flukset e munguara të trafikut dhe rritja e mundshme e kostove të përpunimit të mallrave të gjithë sektorëve industrialë dhe bizneseve.

Në rast të kundërt, Shqipëria rrezikon të humbasë dhe/ose të zhvlerësojë ndjeshëm një nga përparësitë kryesore strategjike konkurenciale afatgjata të saj si industria e transportit detar të mallrave, duke favorizuar portet e tjera të rajonit në Greqi, Malin e Zi, etj. Gjithashtu, rrezikohet drejtpërdrejtë zhvleftësimi i financime të mëdha të derisotme të kryera në infrastrukturën rrugore, që kanë pasur Portin e Durrësit si shtyllë mbështetëse fizibiliteti. Vlerësojmë, se vetëm në rrjetin rrugor të autostradave nga Shqipëria dhe Kosova janë kryer 5-6 miliard euro investime të deritashme.

Konfindustria vlerëson gjithashtu, se 80 ha ose më shumë truall i Portit të Durrësit, që derdhet si kontribut shtetëror në natyrë, në mungesë të garancive ligjore do të kthehen menjëherë nga pasuri e shtetit shqiptar në pronë private të kompanisë koncesionare, që në castin e themelimit të saj. Si i tillë, në rast mosmarrëveshjes së mundshme dhe në mungesë të garancive ligjore të qarta të parashikuara në Marrëveshje dhe gjithë aktet ligjore përkatëse, trualli portual nuk do të ketë asnjë mundesi për tu rikthyer si pronë shtetërore, përvecse vendimit të Gjykatave Ndërkombëtare.

Previous articleKreu i KQZ për financimet ruse në PD: Këto çështje po adresohen nga prokuroria!
Next articleVriste 10-15 qen në ditë, mbyllet dyqani i mishit në Vietnam, kafshët lumturohen kur dalin nga kafazi