Home Kronika Kolegji hap hetimin gjyqësor për prokuroren Enkeleda Osmani

Kolegji hap hetimin gjyqësor për prokuroren Enkeleda Osmani

Nga Vladimir Karaj

Kolegji i Posaçëm i Apelimit dëgjoi të martën palët në çështjen që i takon ankimit të Komisionerit Publik ndaj konfirmimit të prokurores së Durrësit, Enkeleda Osmani (Xhengo).

Komisioneri Florian Ballhysa bëri me dije se i qëndronte ankimit të bërë në tërësinë e tij dhe këmbënguli që prokurorja nuk kishte provuar burimin e ligjshëm të të ardhurave të bashkëshortit të saj për disa vite dhe ishte me një bilanc negativ prej 3.8 milionë lekësh.

Prokurorja që u përfaqësua nga avokati Julian Mërtiri kundërshtoi pretendimet dhe këmbënguli se përpos pasaktësive kishte pasur të ardhura të mjaftueshme dhe kërkoi lënien në fuqi të vendimit të Komisionit.

Osmani u konfirmua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në korrik të vitit 2020, por vendimi për konfirmimin e saj u ankimua në Kolegj nga Komisioneri Publik, pasi sipas tij nuk kishte prova të mjaftueshme që të ardhurat e bashkëshortit të deklaruara në deklaratat vjetore ishin me burim të ligjshëm.

Trupa e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit që po shqyrton çështjen kryesohet nga Rezarta Schuetz dhe ka si anëtar Sokol Çomon, Albana Shtyllën, Natasha Mulajn dhe Mimoza Tasin.

Qëndrimet mbi pagën

Sipas parashtrimeve të Komisionerit, prokurorja Enkeleda Osmani (Xhengo)  dhe bashkëshorti rezultonin në fund të analizës financiare me një bilanc negativ prej 3.8 milionë lekësh. Shumica e këtij bilanci negativ prej 2.3 milionë lekësh vinte nga mosdokumentimi i ligjshmërisë së pagës së bashkëshortit për disa vite.

Komisioneri Ballhysa vuri në dukje se gjatë hetimit në KPK nuk ishte provuar punësimi i bashkëshortit dhe as masa e pagesës së tij.

Ballhysa tha se i kërkonte Kolegjit që të merrte parasysh si të ardhura të ligjshme vetëm ato shuma për të cilat ishin paguar detyrimet tatimore dhe që ishin njohur si pagesa nga institucionet shtetërore. “Për sa më sipër, Komisioneri Publik vlerëson se të ardhurat e ligjshme nga punësimi i personit të lidhur, bashkëshortit të subjektit të rivlerësimit, në shoqërinë “” sh.p.k., do të duhej të konsideroheshin vetëm të ardhurat neto, të konfirmuara nga institucionet shtetërore,” tha Ballhysa.

Bazuar në një analizë financiare që merr parasysh vetëm këto të ardhura, prokurorja rezulton deri në vitin 2008 me një bilanc negativ prej 2.3 milionë lekësh, kryesisht mbi shpenzimet e kryera për blerjen e një apartamenti në Tiranë.

Në kundërshtim me këto pretendime, avokati i subjektit Julian Mërtiri solli si prova të reja të dhënat për çeqe bankare me të cilat ishte paguar bashkëshorti i subjektit, dëshminë e administratorit të kompanisë në të cilën ai kishte punuar dhe që pranonte se nuk i kishte shlyer detyrimet tatimore.

Mërtiri po ashtu solli si prova dokumente nga palë të treta që provonin se bashkëshorti i prokurores kishte qenë inxhinier dhe drejtues kantieri në disa prej punëve të kompanisë. Ai vuri në dukje se kompania ishte ajo që kishte shmangur detyrimet dhe këmbënguli se subjekti dhe bashkëshorti nuk ishin në dijeni të kësaj situate.

Vetë prokurorja në fund të seancës këmbënguli se dëshmia e dhënë nga administratori tregonte pikërisht se ata nuk kishin qenë në dijeni të faktit që detyrimet nuk ishin paguar, pasi bashkëshorti e merrte pagën cash.

Pretendimet e Komisionerit mbi pagën në disa kompani të tjera u kundërshtuan nga Mërtiri përmes 4 vendimeve gjykate të formës së prerë, që siç ai pretendoi i  detyronin kompanitë në të cilat kishte punuar bashkëshorti i prokurores të paguanin detyrimet tatimore dhe sigurimet shoqërore e shëndetësore për pagën e plotë të tij dhe kamatë vonesat. Mërtiri tha se këto vendime që kishin marrë formë të prerë dhe ishin në fazë ekzekutimi provonin pagën e vërtetë neto të bashkëshortit dhe po ashtu edhe padijeninë e tij për faktin që kompanitë nuk kishin kryer pagesat në tatime apo sigurime.

Mërtiri tha se për kompaninë e parë nuk ishte shkuar në gjykatë, pasi vetë administratori kishte pranuar mospagimin e detyrimeve dhe kishte bërë pagesën e tyre vullnetarisht. Mërtiri tha se KPA duhej të konsideronte si të ardhura të ligjshme shumat e deklaruara nga prokurorja në deklarimet periodike.

Mosdeklarimi i pakësimit të cash

Një pjesë tjetër e bilancit negativ, sipas Komisionerit, vinte për shkak të mosdeklarimit të saktë në deklarimet periodike të pakësimit të gjendjes cash.

Ballhysa vuri në dukje se KPA nuk duhej të merrte të mirëqenë pretendimin e subjektit se duke i pasur këto të ardhura ato kishin shërbyer edhe për të mbuluar shpenzimet. Ballhysa tha se sa kohë këto nuk ishin deklaruar specifikisht nuk duhej të merreshin parasysh.

“Në vlerësimin e Komisionerit Publik mbetet i pabazuar pretendimi i subjektit mbi përdorimin e kursimeve në cash të deklaruara në DV-2010, si burim për krijimin e pasurive dhe në mbulimin e shpenzimeve deri në datën 16.4.2011, për sa kohë që ky deklarim nuk është bërë në DV-2011”, thuhet në parashtrime.

Bazuar në analizën financiare, Komisioneri vuri në dukje në këtë rast dy bilance negative prej rreth 850 mijë lekë dhe 639 mijë lekë në vitet 2011, 2012 dhe 2015. Paratë në këto viti kishin shërbyer për blerje të një apartamenti në Kavajë, një makine dhe shlyerje të huave.

Mërtiri i kundërshtoi pretendimet e Komisionerit duke iu referuar pasjes së të ardhurave nga subjekti dhe bashkëshorti. Ai kundërshtoi analizën financiare dhe duke iu referuara një analizë të bërë nga subjekti vuri në dukje se bilanci negativ ishte mjaft më i vogël.  Ndërsa pranoi pasaktësitë e bëra nga prokurorja në deklarim ai këmbënguli se të ardhurat kishin qenë të mjaftueshme për të mbuluar shpenzimet, ndërsa tha se pasaktësitë nuk mund të çonin në shkarkim duke iu referuar disa vendimeve të Kolegjit dhe parimit të proporcionalitetit.

Mërtiri kërkoi rihapjen e hetimit gjyqësor dhe depozitimin e provave të reja. E mbledhur në dhomë këshillimi, KPA vendosi të pranojë kërkesat. Po ashtu kryesuesja e trupës u bëri me dije palëve se ishin paraqitur në Kolegj dy denoncime dhe një e-mail ndaj prokurores, por që sipas trupës ishte vlerësuar se ato haptazi nuk përmbanin ndonjë provë për të vënë në lëvizje KPA-në.

Kolegji vendosi që seanca për qëndrimet përfundimtare të mbahet në 3 shkurt.

Previous articleMban bixhuteri me vlera marramendëse, Loredana na tregon disa nga varëset e saj me gurë të çmuar!
Next article“21 Janari”, Artan Hoxha: Basha di shumë gjëra, por nuk foli kurrë. Të dëshmojë dhe Berisha me Bamir Topin