Home Top Lajmet Kirurgu, Operova shtatzënën me drita të makinës në dimër me borë e...

Kirurgu, Operova shtatzënën me drita të makinës në dimër me borë e acar

kirurgu DafkuNga Xhevo Gradica / Kirurgu Osman Dafku është ndër emrat mjaft të njohur në spitalin e Durrësit me përkushtimin e specialistit të mirëfilltë. Prej 40 vitesh nuk e heq nga dora bisturinë. Operime të lehta e të ndërlikuara që nga frakturat dhe ndërhyrjet në kokë, mushkëri, veshka e deri tek dhjamthi e apendisiti. I është dashur të ecë deri në 12 orë në këmbë në dëbore dhe acar duke kaluar mbi kulmet e shtëpive dhe rrëzë oxhaqeve për të shpëtuar jetën e njerëzve të rrezikuar nga vdekja. Ka qëndruar 5 e 6 orë me bisturi në dorë së bashku me ekipin e sallës në përpjekje për të mbajtur në jetë pacientin. Ka realizuar ndërhyrje shumë të rralla dhe tejet të vështira siç është operimi në pankreas, ndërhyrje që i ka realizuar vetëm dr. Besim Elezi, kirurgu simbol për të gjithë brezat. Miq e dashmamirës në të gjithë Shqipërinë për shkak të gatishmërisë dhe profesionalizimit të treguar.

Jeta

Kirurgu Osman Dafu rrjedh nga një familje që gjatë regjimit të kaluar ka pasur herë pas here telashe për shkak të një kleçkë në biografinë e familjes. Halla e tij Fatime (Dafku) Tahiraj është arratisur në vitin 1947 fillimisht në ish Jugosllavi dhe më pas në Bruksel, Belgjikë. Gjyshi Zyber Zyberaj ka qenë kryeplak në fshatin e thellë të Kukësit, në Topojan. Ai është arrestuar gjatë një rezistence në Krue të Bardhë të organizuar nga nacionalistët të cilët ishin kundër depërtimit të ideologjisë komuniste. Zyberaj burgoset dhe vdes në birucat e burgut të Shkodrës në vitin 53 pas një sëmundje të rëndë. Këto ndodhi do e ndjekin si hije të zeza, siç shprehet kirurgu, gjatë gjithë viteve të shkollimit e të profesionit deri në ardhjen e sistemit të ri të pas viteve 90. Dafku ka përfunduar në vitin 1970 Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Tiranës me rezultate shumë të mira dhe më pas edhe specializimin si kirurg i përgjithshëm. Me të përfunduar studimet pati nje tendencë për ta mbajtur pegadog në fakultet por pasi mbërriti karakteristika e lëshuar nga këshilli fshatit asokohe, e këshilluan që të mos guxojë të kërkojë asgjë në të kundërt do të përballej me pasoja shumë të rënda. Arsimin e lartë mundi ta fitojë falë faktit se në zonën e thellë të Kukësit nuk kishte asnjë të interesuar për shkollim si dhe në saj edhe të njohjes që kishte i ati tij me Nexhp Vishën në Institutin e Kamzës, personi që më pas do të bëhej kryetar komiteti në qytetin verior. Me të përfunduar specializimin emërohet kirurg , profesion që vijon të ushtrojë që nga viti 1970. Dafku ka pohuar se ka mundur të realizojë edhe 12 operime në 24 orë duke përfshirë urgjenca dhe operime të planifikuara. Qyteti Kukësit, që afronte shërbim e ndërhyrje kirurgjikale jo vetëm për rrethin e vet por edhe për Hasin, fshatrat e Pukës, Mirëditës dhe Peshkopisë ka pasur vetëm dy kirurgë, Mustaf Mustafën dhe Osman Dafkun. Për shkak të shtrirjes shumë të madhe gjeografike, terrenit tepër të thyer dhe dimrave të gjatë e të acartë me borë të madhe, kirurgu Osman Dafku ruan shumë kujtime. Ndonëse janë të gjitha pjesë e sakrificave të mëdha të ekipeve mjekësore, ai ndihet me fat që ka mundur të shërbejë në ato zona. Pas viteve 90 Dafku transferohet në Durrës ku edhe vijon të kryejë çdo ditë detyrën e kirurgut.

Si ka qenë jeta e kirurgut në zona të thella në kushtet e një infrastrukturë të dobtë dhe dimri të fortë?

Ne ishim dy kirugë në Kukës për një popullatë që veç qytetin dhe fshatrave të tij detyroheshim të afronim shërbim edhe për fshatra skajo që i përkisnin Peshkopisë, Hasit, Tropojës, Mirditës e Pukës. Infrastruktura rrugore ishte tejet e keqe, mjetet thuasje mungonin fare dhe terreni thyer e vështirësonte pa masë këtë shërbim. Pastaj po t’i shtojmë edhe dimrin e gjatë, me temperatura shumë të ulta dhe borë të madhe, atëherë vështirësia është disa herë më e madhe. Më kujtohet një rast në borën e madhe të vitit 1985. Një grua në Bushtricë duhej operuar detyrimisht pasi ishte në proces lindje. Na u desh të ecnim në këmbë 6 orë, pasi bora ishte e madhe, frynte erë e acartë dhe temperaturat qenë shumë të ulta. Rrugët ishin të gjitha të bllokuara, ndërsa transporti qe i pamundur edhe me kalë. Shtatzëna ishte nga Cereni dhe familjarët kishin mundur ta transportonin deri tek qendra shëndetësore në Bushtricë. Cerini është fshat skajor, shumë i thellë dhe nën juridiksionin e Dibrës. E kishin sjellë deri në Bushtricë me vig familjarët dhe burrat e fshatit. Në ekip kisha mjekun Korab Shehu, ndihmës infmermierin Cen Zeneli dhe me duket edhe Enver Domi. Me të mbërritur pamë se gruaja e re ishte në rrezik për jetën. Spitali nuk kishte drita dhe koha nuk priste. E bisedova me ekipin dhe vendosëm ta operojmë pasi nëna e re duhej shpëtuar me çdo mënyrë edhe pse nuk bëhej fjalë për kushte. Temperatura qe shumë e ulët dhe duart i ngrohnim me avullin e gojës. Në oborr ishte makina e spitalit të Bushtricës. Me mundim bënë të mundur që ta drejtonin me turi nga dera dhe shoferi ndezi dritat. Nata kishte rënë. E vendosëm gruan shtatzënë në një krevat dhe e nxorëm nga dhoma në koridor, atje ku kishte dritë makine. Çdo vonesë e shtyntë gruan dhe fëmijën drejt fundit fatal. Shtatzënës i kishte plasur uturisi dhe fëmija lozte brenda në bark. Ajo ishte në momentet e fundit. Hoqëm fëmijën, operuam gruan dhe morëm gjak tek njerëzit e afërm të saj që ishin aty. Analizat i bënin në vend për grupin e gjakut. Me njëjrën dorë merrnim gjak, me tjetrën e fusnim tek lehona. Hata e madhe ta mendosh dhe jo ta bësh këtë ndërhyrje në të tilla kushte. As literatura nuk e përmban të shpëtojë një grua me mitër të plasur dhe në kushte të tilla. Ajo ishte nuse e re dhe ne patëm fat në punën tonë. Gjitha natën ndenjëm pa drita tek koka e të operuarës.

Jeni ndeshur shpesh herë në të tilla raste?

Shumë herë. Dimri për ne ishte periudha me shumë siklet. Jo se përtonim të ecnim por infrastruktura ishte shumë e keqe dhe ndërhyrjet kirurgjikale në ambulanca apo spitale pa kushtet e duhura na vinin në provë të madhe. Në një rast na vënë në dijeni se duhej të niseshim për në Krue të Bardhë pasi bora e rënë kishte zënë poshtë disa ndërtues. Ishte shembur kulmi. Kishte ndodhur asfiksia dhe dy prej tyre në kohën që ne mbërritëm nuk ishin gjallë. Një i tretë gjendej në agoni. Ndërhymë me kujdes dhe mundëm ta mbanim në jetë. Kishim udhëtuar nga Ura e Lapave deri në Buzmadhe për 4 orë në këmbë dhe me paisje me vete. Na duhej të kalonim nga një majë në majën tjetër të malit dhe në një terren jashtëzakonisht të thyer. Gjatë rrugës kur uleshim të pushonin nga zinte gjumi në mes të borës sepse ishim të këputur nga lodhja. E ngjashme ka qenë edhe ngjarja në kohën e rënies së ortekut në fshatin Vilë. Disa banorë vdiqën. Përshkuam 10 orë rrugë në këmbë. Në fshtin Malqene pranë Uimishtit kemi kaluar mbi çatitë e shtëpive, çati më çati. Aq borë kishte rënë. Nëpër oxhaqe. Vila është përtej Kalisit dhe në kufi me Dibrën. Në atë anë ndryshe nga zonat e kupës së Liqenit të Fierzës, binte borë shumë e madhe dhe mbante dimër i ashpër e i gjatë. Prania jonë ishte e domosdoshme. Kishin vdekur, në mos gaboj, tre vetë. Lagjja ishte shokur dhe prania e ndihma jonë bëri të mundur që shumë prej tyre të rimerrinin veten.Të nesërmen i morëm me vete për në spital personat që u dhamë ndihmë. Më kujtohet se me mua ka qenë edhe mjeku Mark Nufi, infeksionist. Nga temperatura shumë e ulët iu ngri llapa e veshit. Duke qenë se ia kishte zënë acari e furtuna të pambuluar me shall, e kishte dëmtuar dhe copa të veshit i kanë rënë për gjatë një vit. E thashë me lart, nuk kanë të mbaruar raste të tilla. Ne kemi bërë që me ndërhyrjen e kualifikuar të shpëtojmë jetën e një femre e cila kishte humbur plotësisht koshiencën. Kishte rënë nga 3 m lartësi dhe në kohën që e sollën në spital qe pa shpresë. Ishte nga Lusna. Tre javë në koma, me koshiencë dhe të folur të humbur. Ajo u zgjua dhe nisi të mësojë nga e para alfabetin. Sot banon në Vlorë. Familjarët e saj na telefonojnë dhe na ftojnë në gëzimet e tyre. jo vetëm ata, edhe shumë e shumë të tjerë miq e dashamirës kemi bërë ngado.

Kujtoni ndonjë rast të ndërhyrjeve të cilat edhe literatura mjekësore i njeh të rralla dhe të vështira?

Këtu në Durrës kemi realizuar së bashku me kirurgun Arjan Saliaj operimin në pankreas. Ishte rasti i parë për ne. Gjatë jetës kisha bërë operime të shumta edhe të kategorisë së parë siç është ai i stomakut dhe ezofagut në dy etapa pasi ndërhyhej nga barku dhe nga gjoksi. Një operim i tillë shkon 7 orë dhe kërkon kualifikim të plotë. Por me dr. Arjan Saliaj mundëm të bëjmë edhe operacion në pankreas. Është shumë, shumë vështirë një ndërhyrje e tillë. Realizohet rrallë në Shqipëri. Është një gjëndër poshtë stomaku. Të tillë operim kishte bërë vetëm dr. Besim Elezi, pedagogu që na ka mësuar shkencën e kirurgjisë. Ne guxuam dhe fituam. Vështirë të realizohet nga çdo kirurg. Duhet njohur shumë mirë anatomia dhe teknika operatore. Në raste të tilla sakrifikon të sëmurin. Ka qenë për ne si kirugë dhe ekipin e sallës një kënaqësi e veçantë. Një të tillë gëzim e kam përjetuar edhe në një rast tjetër por kur isha kirurg në Kukës. Një pacient i quajtur Sadri Dajçi me banim në Fajzë të Hasit u paraqit në spital me urgjencë. E kishin plagosur në kufi ushtarët serb gjatë patrullimit. Sadriu ishte djalë i ri dhe shumë i fuqishëm. Një grup djemsh kishin kaluar kufirin për të shkuar në fshatrat e Kosovës. Ata janë ndaluar nga prita serbe dhe pasi janë lidhur me hekura në duar pas kurrizi, janë pushkatuar. Ndërsa të tjetër vdiqën, Sadriu kishte rezistuar. Plumbat e automatikut e kishin marrë në pjesën e barkut. Disa fshatarë të tjerë që kalonin në të njëjtin shteg dëgjojnë të bërtiturat e tij dhe pasi mësojnë se ç’kishte ndodhur kthehen duke e transportuar atë në kurriz për 4-5 orë në këmbë. Më pas me mjet e sjellin në spital. Serbët e kishin lënë për të vdekur. Pacienti kishte marrë disa plumba në baçin. Tek ne e sollën rreth orës 2 të natës. Ishte pa puls, pa tension. Po jepte shpirt. Na duhej t’ia hiqnim hekurat, prangat. Njoftuam policinë por edhe pse ata u munduan me sharra të ndryshme ishte e pamundur të priteshin prangat. Ishin përgatitur me çelik special. Atëherë morën saldatriçe dhe i këputën me oksigjen. Më shumë se 4 orë punuam për ta shpëtuar dhe ia arritëm. Kisha ekip shumë të mirë. Ndihmësmjeku Halil Kallabaku dhe Cen Zeneli në narkozë më dhanë të gjitha mundësitë të kapja një nga sukseset më të mëdha dhe një nga provat më të vështira. Pacienti kishte dëmtuar organet e brendshme të barkut, zorrët ishin copë-copë, kockat e baçinit ishin thyer e bërë copë-copë. Pas operimit kam vuajtur me këtë pacient pasi i infektoheshin plagët pasi infeksioni kishte hyrë gjithandej. Ai defekon nga barku. Sot është taksist në linjën nga Hasi në Tiranë dhe gëzon shëndet të mirë. Bëra atë që mjekësia e bën në maksimum.

Me të përfunduar arsimet e larta ju jeni ftuar të qëndroni pedagog për shkak të rezultateve shumë të mira. Përse u tërhoqe dhe nuk e realizove këtë dëshirë?

Më thërret Shefqet Dervina. Ishte pedagog dhe sekretar partie në Fakultetin e Mjekësisë. Më njihte pasi më kishte pasur student. Pasi më takoi më tha “Çfarë të kanë shkruar ata, ti je brenda në burg”. Më pas më bëri të qartë se as që diskutohej të më mbanin pegadog dhe më porositi “Mos prano të të propozojnë më. Kjo ëhtë hera e fundit që ke bërë provë”. Ishte test për mua. Nuk e provova më. Po t’i bëhesha urë organizatës së fshatit që më kishte dërguar atë karakteristikë biografike edhe mund të e shmangia faktin e hallës e të gjyshit. T’u bëhesha servile? Ku isha i sigurtë tek ata? Nuk kishin karakter njerëz të tillë. Ishin fundërrina dhe unë nuk ulja krenarinë e familjes sime. Halla është arratisur pa lindur unë. Këtë e dinin mirë por ja që e shkruanin sa herë. Vit për vit më thërrisnin tek drejtoria e spitalit e më thonin të dërgoj në komitet të partisë karakterisitikën. Hallën një herë ma bënin motër enjë herë hallë. Presion psikologjik. E bënin edhe nga smira disa persona në spital që unë mos të ecja para. Kishte çudira të mëdha në atë kohë. Një rast, teksa unë isha oficer rezervist, në zbor, magazinieri Besim Noka nuk më jep pistoletën e oficerit. Unë jepja mësim për batalionin sanitar në atë kohë. Pasi këmbëngula të mësoj se çfarë kishte ndodhur me thotë se nuk isha më oficer. Më lanë me pushkë druri. Nuk kishte gjë më fyese dhe më të tmerrshme. Ishte turp i jashtëzakonshëm. Isha mjek me bisturi në dorë, kisha në dorë fatin e jetës së njerëzve, ndërsa nuk më besohej pistoleta.

 

Previous articleGënjeshtra qeveritare, Selami dhe rritja ekonomike e të uriturve
Next articlePanik, rrëshqitjet masive kërcënojnë banorët në Currila, studentët dhe bizneset