Tri ditë më parë, Ervin Karamuço ekspert i kriminalistikës bëri publik në llogarinë e tij në Facebook, rastin e një personazhi “VIP” që sipas tij frekuenton rregullisht poligonët e qitjes.
Ky personazh shumë i njohur i showbizz-it, thotë Karamuço, vendos mbi shënjestër fotografinë e vjehrrës së saj. I ftuar në Abc Live me Sibora Bitrin eksperti i kriminalistikës nuk e bëri të ditur emrin e personazhit në fjalë por theksoi se ai që është për t’u shqetësuar në këtë rast është fenomeni. Ai theksoi se këto sjellje mund të jenë fare miri indiciet e para të një sjellje që mund të degradojë me kalimin e kohës në një tragjedi brenda familjes.
“Merr vesh që në ekranet e Tiranës dalin njerëz që mund të degradojnë në problematika të rënda….Doja të dërgoja një sinjal publik që sytë duhet të kthehen edhe te njëri-tjetri. Të ruajmë njëri-tjetrin që të mos kemi kështu çrregullimesh.”
Sipas tij, rasti në fjalë mund të jetë një formë zbavitjeje, por mund të jetë edhe pasojë e një frustrimi të shtresëzuar nga marrëdhëniet e brendshme që mund të jetë krijuar me bashkëshortin apo familjarët e tij.
“…Kjo kthehet në opsesion… ta shprehësh me armë zjarri është një fazë disi alarmante. Nuk e dallojmë dot më pas nëse kjo qëllon për t’u qetësuar emocionalisht apo qëllon në formë testi që ta provojë në një ambient tjetër.”