Home Humor Ka emër…

Ka emër…

Nga Sevdail Hyseni

Partia ka emër
Ashtu si çdo send,
Sidomos e vjetra
– E liga për mend!

S’ngopet me lavde
Të ngritura në qiell,
Edhe pse të pasmet
I digjen në diell!

Cila është partia?
E gjeni shumë lehtë,
Ajo që ka lindur
E rron me pushtet!

Mirëpo, këto pushtete
Shtrihen në nivele…
Disa nga të mjerat
Bëhen si shurrë pele!

Ndahen nëpër krahë
Për pak interes,
E përçajnë popullin
E bëjnë pikë e pesë!

Nga barku i tyre
Lindin shumë parti,
Tani edhe krahët
U rrinë për karshi!

S’e ndalin betejën
Në gjitha drejtimet,
Mbase s’është kollaj
Kur përzihen qimet!

Ata që janë mësuar
T’hanë në një koritë,
E kanë për bashkim
Jetën në pozitë!

Të kuq n’komunizëm
Të kuq n’demokraci,
Gjithmonë u ka prirë
Një ogiç i zi!

Previous articleCRCA/ECPAT Shqipëri prezanton në Gjenevë Raportin Alternativ për gjendjen e të drejtave të fëmijëve
Next articleEmigrimi i të rinjve, Meta intervistë për median britanike: Po ikin prej qeverisjes autokratike të Ramës