Home Kronika Ish-drejtori i Policisë për kontrollet në banesë: Ka pasur një indicie! Martinaj...

Ish-drejtori i Policisë për kontrollet në banesë: Ka pasur një indicie! Martinaj ‘u ekstremizua’ nga politika

Ish-drejtuesi i Policisë së Shtetit, Arben Hajdarmataj ka folur për zhdukjen e Ervis Martinajt.

Në një intervistë për SyriTv, Hajdarmataj tha se Martinaj është një person në kërkim, duke shtuar se çështja e tij u ‘ekstremizua’ për shkak të ndërhyrjes së politikës në këtë çështje.

Pjesë nga fjala e tij

“Kontrollet e Policisë, duket se kanë dy objektiva. Në radhë të parë, mendoj se është bërë pas një informacioni ose të shpjegojmë një gjë për publikun: një kontroll i tillë me gjithë ato forca policore ka një procedurë nga mbrapa. Pra, nuk është se m’u tek mua si drejtues lokal i Policisë së Shtetit dhe them “hajde shkojmë e bëjmë këtë kontroll”, se në fund të fundit ka një procedurë; duhet të ketë një vendim gjykate, duhet të ketë një informacion ku të bazohet ky vendim gjykate ose duhet të jetë një urdhër prokurori. Nuk e di se si, por unë di që kontrolle të tilla banesash ose dhe kontrollet e thjeshta të banesave kanë një procedurë dhe një vendim gjykate. Në këtë kuptim, nga ana teknike, unë them se ka pasur një indicie ose një informacion që ka kërkuar ose ka bërë të mundur këtë lloj kontrolli, ndoshta dhe nga pjesa e parë që diskutuam pra, ka pasur dy momente, si nga operacioni “Plumbi i artë” ose për të kërkuar gjurmë të Ervis Martinaj, që do të thotë se mund të jenë shenja gishtash, ambientesh etj. etj. Ishalla do Zoti jeton njëherë sepse kjo është parësorja. Pavarësisht nga pozita e tij juridike që gjendet, pavarësisht nga aktiviteti i ngarkuar me aktivitet kriminal, por ishalla do Zoti që në fund të fundit një njeri të jetojë. Kjo është për mendimin tim nga ana njerëzore. Pastaj nga ana ligjore, se është i inkriminuar, se nuk është, kjo është  çështje e hetimit. Unë do të thosha dhe një tjetër: “Ne shpesh e etiketojmë ose na bëhet rutinë mënyra e të thënit nëpër media, nëpër studio, “personi shumë i kërkuar”, “personi më i kërkuar”…

Realisht, ne kemi një denoncim të një personi që pretendohet se është, po them “i penduar “ ose “dëshmitar i mbrojtur” nga prokuroria, i cili akuzon (për herën e fundit po flas, jo për të gjithë ecurinë e personazhit), që akuzon se ka paguar një shumë parash për të eliminuar një kundërshtarin e tij në aktivitetit e tij kriminale, në fushën e aktiviteteve kriminale që kanë bandat dhe grupet me njëri-tjetrin. Që në momentin që unë them termin, që ne shpeshherë pa dashje ose pa e kuptuar thelbin e termit e përdorim “shumë i kërkuari, më i kërkuari, shumë i kërkuari” ai është i kërkuar si çdo person tjetër. Bile këtu nuk ka një vendim gjykate të formës së prerë për dënimin e tij që të jetë “shumë i kërkuar”, por është një vendim ose një urdhër i prokurorisë për të kërkuar për shkak të procedimit që ka filluar ndaj tij për vrasje dhe është “i kërkuar” si shumë e shumë qytetarë të tjerë.

Pjesa tjetër që do të thosha unë, personazhi në fjalë, Ervis Martinaj, u ekstremizua në kuptimin ose si të thuash, u mediatizua në maksimum, për shkak të aktivitetit të tij, por të mos harrojmë dhe një gjë: Për shkak të ndërhyrjes së politikës në këtë çështje! Pra është i vetmi Ervis Martinaj, që Rama i vuri një afat Policisë së Shtetit dhe kemi dhe një rast tjetër në mos u gabofsha, dhe një për prokuror që drejtpërsëdrejti Rama është marrë me këta dy persona, drejtpërsëdrejti vetë me cilësinë e kryeministrit, të paktën publikisht. Pra, është i vetmi, është hera e dytë që vë afate për Policinë e Shtetit (që për mua nuk ka asnjë logjikë, sepse Policia e Shtetit nuk punon me afate, por ai ashtu e ka menduar puna e tij) që vë afate për gjetjen dhe gjoja për të dhënë informacion dhe për të informuar publikun për fatin e Ervis Martinajt. Kjo ka dhe pjesën e trysnisë së vet, që politika i ushtron organeve ligjzbatuese kryesisht Policisë së Shtetit sepse në fund të fundit atë e ka drejtpërdrejt në varësi, e ka qeveria, se po pretendojmë po nuk ndodh ashtu, që Prokuroria nuk ka ndikim drejtpërdrejt, se është pjesë tjetër, nuk është e ekzekutivit.

Kjo tani merr ngarkesat e veta. Pastaj duke i analizuar të gjitha këto që unë po them,  ka dyshimet e veta dhe mënyra e kontrollit të banesave, sepse nuk është bërë vetëm kontrolli i banesës së Ervis Martinajt,  por edhe i banesave të tjera aty rreth e rrotull, minimumi flitet për tri banesa. Ka dyshimet e veta nga mënyra si është organizuar, nga mënyra si është bërë, por unë jam i prirur të mendoj, po them se për shkak të asaj që thashë në fillim, të procedurës, që Policia ka pasur diçka, një indicje që e ka inicuar dhe kryer këtë veprim”, ka thënë ai.

Më tej Hajdarmataj shtoi: “Unë mendoj një gjë, se gjithë këto aktivitete nga i ashtuquajturi “mbret i lojërave të fatit” që në media kanë dalë e janë bërë shumë komente dhe mbi vlerat monetare që ka disponuar dhe shumat që ka lëvruar ose paguar për eliminimin e kundërshtarëve… Pra, pretendohet se Ervis Martinaj normalisht ka qenë një njeri me shumë para. Po të mos harrojmë që në fund të fundit, edhe familja e tij, pavarësisht sado të mundohen që të jenë jashtë një procesi, normalisht edhe familja e tij janë të involvuar dhe si të thuash janë të përfshirë edhe nëse nuk kanë dëshirë, janë të përfshirë pa dashje në këtë lloj aktiviteti. Në kuadrin e  kësaj unë mendoj se masa për të marrë, për të larguar paratë nga banesat, kjo është e kuptueshme për çdo njeri. Janë masa minimale; largon paratë ose gjen mënyra për t’i fshehur, se ajo është e pritshme nëse do të vijë sot – do të vijë nesër Policia se është një procedurë, në kuptimin publik. Nëse dy persona zihen në rrugë, po e them edhe për vendim e parkingut, nëse ka plagosje, ka ofendime, sharje ose nuk po them armë, por përdoren armë të ftohta, Policia ka procedurë të bëjë kontrollin e banesave të këtyre personave, jo më të bëjë një kontroll banese, po them në shtëpinë e  Ervis Martinaj. Në këtë aspekt unë mendoj se ata kanë qenë në të kujdesshëm që të mos lënë gjurmë ose që Policia të gjejë vlera monetare,  pavarësisht se i ati i Ervis Martinaj ka një aktivitetet shumë të hershëm financiar.”/BW

Previous articleTensionet në Veri/ Çollaku: Barrikadat janë një plan i Serbisë për të marrë veriun, Kosova dhe Shqipëria duhet të gjejnë unitet
Next articleShqipëria pjesë e mekanizmit europian për Mbrojtjen Civile, Ministri i Mbrojtjes: Do kemi mundësi të përfitojmë nga solidariteti i BE