Home Politike INTERVISTA/ Ilir Meta mbrohet për akuzat si bashkëpunëtor i Sigurimit: Unë jam...

INTERVISTA/ Ilir Meta mbrohet për akuzat si bashkëpunëtor i Sigurimit: Unë jam Ilir Metaj, më ngatërrojnë

Ilir Meta foli për akuzat se rezulton në dosje si bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit.

Meta ka shpërthyer në akuza ndaj kryeministrit Edi Rama duke e quajtur monstër dhe se ai përfaqëson “më të pështirën e asaj race” (komuniste).

“Edi Ramën e dinë të gjithë që ka qenë spiun i shokëve të tij kur ishte basketbollist. Edhe falë spiunllëqeve që bënte e fusnin me Kombëtaren, sepse ai kosh nuk dinte të bënte, vetëm faulla, dilte me 5 personale, Edi Rama dihet djali i kujt ka qenë, dihet çfarë race të pështirë përfaqëson. Edi Rama përfaqëson më të pështirën e asaj race, e cila në vend të kërkonte ndjesë e reflektim, sot përdor format më të ndyra të ish-Sigurimit të Shtetit, përdor njerëz nga më të rëndomtët dhe ordinerët, qoftë si ish-sigurimsa apo ish-bashkëpunëtorë, për qëllime përfitimi politik. Nuk ka për të përfituar asnjë gjë. Në atë gropë që ai përpiqet t’u ngrejë të tjerëve, të jetë i sigurt që do t’i kthehet në humnerë me fund të llahtarshëm për të, siç kanë qenë të llahtarshme vuajtjet e Havzi Nelës dhe atyre që kanë vuajtur nga ai regjim i etërve të tij”-deklaroi ndër të tjera Meta.

Interesant është fakti se kur u pyet për dosjen e I.M, ai deklaroi se ndaj Ilir Metaj nuk ka asnjë dosje, ndërkohë që ai në fakt njihet si Ilir Meta.

Doli në skenë një dosje që flet për bashkëpunim me ish-Sigurimin e Shtetit. Flitet për një qytetar me inicialet I.M. Kush është ky?

Tmerri që e ka kapluar Ramën nga llogaridhënia që po i vjen dhe mjekimi i detyruar që po i afron, sepse s’duhet harruar që ka pasur edhe probleme shëndeti, që tensioni, stresi dhe vapa ia rëndon akoma më shumë, është i pashmangshëm. Në këtë drejtim shoh edhe këtë shpikje kaq ordinere dhe vulgare, të denjë vetëm për pasuesit më të ndyrë të ish-regjimit të Sigurimit të Shtetit, që përfaqësohen sot nga djali i një babai, që ky është akoma krenar pse në vitin 89’ firmosi për varjen e një poeti të fjalës së lirë, si Havzi Nela.

S’mund të presim nga monstra të tilla, asgjë që i shërben demokracisë, të vërtetave, shtetit ligjor. Kjo histori është një histori aq absurde, aq banale, aq kriminale, saqë jo vetëm s’mund ta besoj askush, edhe vet ata që e kanë shpikur e falsifikuar, por që rëndon me akuza të reja për fat të keq Autoritetin e Dosjeve, i cili ka treguar që është kthyer në një instrument të verbër politik të Edi Ramës. Rëndon edhe të gjithë ata punonjës të ish-SHIK-ut që kanë vënë dorë në dosjen e qytetarit F.F., të përndjekur nga Sigurimi i Shtetit për tentativë arratisje në atë kohë, i cili po ashtu është edhe shtetas amerikan sot. Ai vet pasi e ka marrë dosjen e tij, e ka shumë të qartë dhe po ndjek rrugën e tij ligjore.

Ajo që mund t’ju them që jo vetëm I.M. s’është Ilir Meta dhe s’ka si të jetë, dhe I.M., ka dosjen e tij si bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit dhe këtë e di Autoriteti i Dosjeve, por nuk ekziston asnjë dosje për Ilir Rexhep Metajn, në asnjë lloj kohe, në asnjë lloj rrethane. E gjitha kjo është një shpikje për të bërë një zhurmë mediatike, për të shmangur vëmendjen nga skandali kryesor i inceneratorëve, që unë kisha premtuar se do të marrë përmasa të tjera, dhe vetëm maja e ajsbergut ka dalë në sipërfaqe, nga gjithë skandalet e tjera dhe ky vrull i madh liridashës që ka shpërthyer akoma më tej edhe pas shpalljes së Partisë së Lirisë.

Autoriteti i Dosjeve në rast se ka një fakt që provon një akuzë të tillë monstruoze të prodhuar nga regjimi i Edi Ramës përmes falsifikimit të tij e çon Metën për ndjekje penale. Sepse Ilir Meta gjithmonë kur ka bërë kërkesën për verifikimin e figurës së tij, në çdo rast ka marrë përgjegjësi penale, siç do njeri i cili gënjen, kur thotë që s’kam qenë pjesëtar, bashkëpunëtor, apo i favorizuar nga Sigurimi i Shtetit. Por Autoriteti i Dosjeve nuk e bëri këtë veprim sepse e dinte shumë mirë që kemi të bëjmë me një falsifikim, kemi të bëjmë me një mashtrim, me një email gjoja elektronik që ka ardhur në 24 korrik nga SHBA-të që kushdo që ta lexojë do vërë duart në kokë për përmbajtjen aq vulgare dhe ordinere, i cili padyshim që është dërguar me koordinim të plotë me njerëz aty brenda Autoritetit, dhe me njerëz të tjerë nën komandën e Edi Ramës, për të prodhuar një situatë kaotike dhe konfuze, ku ky Autoritet u vënka menjëherë në lëvizje, vënka në lëvizje edhe Parlamentin, dhe na dalin edhe disa IM të tjera.

E gjithë kjo bëhet vetëm për të shmangur vëmendjen nga problemet e mëdha, të cilat e presin Edi Ramën, për të dhënë llogari si Çeçua, kjo është e padiskutueshme. E dyta çfarë tregon kjo? Tregon se çfarë regjimi kriminal përfaqëson Edi Rama, që pas 32 vjetësh lëndon qytetarë që kanë qenë viktima apo të përndjekur në atë kohë, përsëri, duke u nxjerrë emrin në mënyrë të qëllimshme dhe kundër ligjit, duke i marrë nëpër gojë, duke i bërë objekt spekulimesh apo shantazhesh, për arsye politike sepse dëshiron tani të demonizojë një lidership tejet të provuar, tejet të provuar dhe të pandalshëm si ai i Ilir Metës. Është betejë e humbur dhe një bumerang i cili padyshim në fund fare ka një përgjegjës kryesor, i cili është Edi Rama.

Kryeministri ka paralajmëruar se në shtator do të kalojë ndryshimet ligjore dhe do të nisë riverfikimin e dosjeve…

Nuk ka më asnjë vlerë se ç’do riverifikojë Edi Rama. Edi Ramën e dinë të gjithë që ka qenë spiun i shokëve të tij kur ishte basketbollist. Edhe falë spiunllëqeve që bënte e fusnin me Kombëtaren, sepse ai kosh nuk dinte të bënte, vetëm faulla, dilte me 5 personale, Edi Rama dihet djali i kujt ka qenë, dihet çfarë race të pështirë përfaqëson. Edi Rama përfaqëson më të pështirën e asaj race, e cila në vend të kërkonte ndjesë e reflektim, sot përdor format më të ndyra të ish-Sigurimit të Shtetit, përdor njerëz nga më të rëndomtët dhe ordinerët, qoftë si ish-sigurimsa apo ish-bashkëpunëtorë, për qëllime përfitimi politik. Nuk ka për të përfituar asnjë gjë. Në atë gropë që ai përpiqet t’u ngrejë të tjerëve, të jetë i sigurt që do t’i kthehet në humnerë me fund të llahtarshëm për të, siç kanë qenë të llahtarshme vuajtjet e Havzi Nelës dhe atyre që kanë vuajtur nga ai regjim i etërve të tij.

Shtetasin Ilir Murati e keni pasur në klasë?

Unë nuk jam këtu për të bërë biografinë e njerëzve që kam pasur në klasë. Sepse jam një ish-president, ish-kryeministër, ish-kryeparlamentar, dhe më duket gjëja më ordinere t’u them qytetarëve se cilët kam pasur në klasë dhe se çfarë mund të kenë bërë ata, etj. Kjo është jashtë çdo standardi moral, njerëzor, shtetëror. Ka një ligj për këtë çështje, të ndjekin rrugën ligjore të gjithë personat që janë cenuar apo janë prekur. Këtë duhet të ketë parasysh edhe autoriteti i dosjeve, i cili për fat të keq po rikthen praktikat më të shëmtuara, manipuluese, falsifikuese të sigurimit të shtetit.

Autoriteti i Dosjeve tha që Meta mund ta kërkojë dosjen e tij?

Nëse Autoriteti i Dosjeve ka thënë këtë gjë është çmendur! Sepse Ilir Meta nuk ka dosje, dhe në qoftë se Ilir Meta ka dosje, Autoriteti duhet ta padiste Ilir Metën penalisht, sepse ky kur ka bërë kërkesën, ka marrë përgjegjësi penale që s’ka qenë as bashkëpunëtor, as i favorizuar, as pjesëtar, siç e ka ligji. Por Autoriteti i e di shumë mirë këtë dhe bën lojën e Edi Ramës. Unë e di shumë mirë se pse secili anëtar i Autoritetit bën lojën e Edi Ramës. Kjo ngjarje u shpik pasi u bënë ndryshimet në Autoritetin e Dosjeve, ku u hoqën njerëzit me integritet si Simon Miraka.

I druheni një skualifikimi eventual nga e drejta për të kandiduar si deputet?

Nuk më skualifikon asgjë nga jeta politike në Shqipëri, përkundrazi lidershipi im do të forcohet akoma më tej nga këto beteja, ku e vërteta është me mua, dhe ku populli shqiptar do të shikojë edhe një herë tjetër se si raca më e pështirë e kolegëve dhe Kristaqëve, që persekutuan shqiptarët në format më të ndyra, duke vjedhur në mënyrën më çnjerëzore popullin e Shqipërisë, si afera e inceneratorëve, ku vazhdon edhe tani që flasim paguan Edi Rama, për regjimin e tij dhe veten e tij. Kjo është histori që ka përfunduar.

Nuk shmanget dot Edi Rama me këtë përballje, të shpikë çfarë të ketë dëshirë për Berishën, Metën. Iku koha kur Rama blinte ndeshjen para se të fillonte ndeshja, se blinte kryetarin e opozitës. Rama vetëm thellon më tej thellësinë e humnerës ku e pret një fund i llahtarshëm. E pret një fund i llahtarshëm, si vuajtjet e Havzi Nelës dhe vuajtjet e atyre shqiptarëve që vuajtën nga ato praktika dhe ato forma të regjimit, të etërve të Edi Ramës, që ky kërkon t’i kthejë në Shqipëri pas 32 vitesh.