Home Aktualitet Incident tjetër në det/ Peshkarexha përplaset me velierën britanike “Blue Moon GB”,...

Incident tjetër në det/ Peshkarexha përplaset me velierën britanike “Blue Moon GB”, shpëton ekuipazhi në Durrës

Pas 24 orësh nga incidenti në brigjet e detit Adriatik, një tjetër ngjarje ka ndodhur gjatë natës. Raportohet se gjatë natës, një peshkarexhë dhe një velierë e vogël me flamur anglez janë përplasur në det të hapur.

Forcat e rojes bregdetare kanë organizuar një operacion kërkim-shpëtimi. Fatmirësisht, as peshkatarët dhe as dy shtetasit anglezë që ndodheshin në bordin e velierës “Blue Moon GB” nuk kanë pësuar dëmtime. Paraprakisht deklarohet se ngjarja ka ndodhur rreth 15 milje larg bregut.

Veliera është përplasur në pjesën e bashit me një peshkarexhë që kishte dalë për gjueti në det. Në pritje të ndihmës, peshkarexha “Perëndesha” e ka tërhequr velierën drejt portit të Durrësit ku pritet të qartësohen edhe detajet e këtij aksidenti detar në një hapësirë ujore, ku trafiku nuk është i rënduar.

Një ditë më parë si rezultat i përplasjes nga trageti i linjës Durrës-Bari u mbyt anija e peshkimit “Elton I”, ndërsa policia kufitare shpëtoi nga mbytja ekuipazhin e saj.

Previous article“T’i rikthejmë identitetin Elbasanit!”, Luçiano Boçi: Të jemi fitues për të ardhmen e fëmijëve tanë
Next articleTRUMP flet pas vendimit të gjykatës! Intervista për CNN, hedh poshtë pretendimet për abuzim seksual, mbron kauzën e 6 janarit, s’pranon humbjen me Biden