Aktivistja shqiptaro-amerikane, Evi Kokalari ka zbuluar për herë të parë disa informacione “bombë” për ish-presidentin Ilir Meta. Në rrjetin e saj social “Facebook”, Kokalari tregon se çfarë i kanë thënë në Kongres në lidhje me kreun e Partisë së Lirisë. Sipas saj, ata në Kongres që po merren me investigimin e McGonigal, e njohin shumë mirë se kush është Ilir Meta, e njohin me emër, dhe madje ishin specifik në korrupsion e tij kur i përmendën dhe trafikimin e drogës. Kokalari në reagimin e saj flet dhe për një deklaratë të Sali Berishës disa vite më parë ku të njëjtat akuza që i thanë amerikanët, ish-kryeministri demokrat ia ka plasur publikisht Ilir Metës. Sot Berisha dhe Meta janë të lidhur si “mishi me thoin” por vite më parë, kur marrëdhëniet mes Berishës dhe Metës ishin të prishura, kishin parashikime tepër të zymta për njëri tjetrin. Madje Sali Berisha kishte një parashikim tepër të rëndë për Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin, teksa paralajmëronte se do ta mbyllin jetën e tyre pas hekurave të burgut. Ish kryeministri demokrat në atë kohë ka parashikuar se Ilir Meta do ta mbyllë jetën në burg për një gamë të gjerë krimesh, sipas tij, të konsumuara sa herë ka qenë në pushtet. “Për PD, Ilir Meta është njeriu që përfaqëson klanin më të rrezikshëm të trafiqeve në Shqipëri, të trafikut të drogës, të trafikut të fëmijëve dhe të trafikut të vajzave të mitura. Në historinë e vendit, ky mbetet njeriu që me bandat e tij, ngjiti Shqipërinë në krye të listës së vendeve të planetit, të trafiqeve të skllavërisë së seksit, të fëmijëve të drogës dhe armëve. Mbi këta të dy (për Ilir Metën dhe bashkëshorten e tij) rëndojnë dy varre dhe dy krime të fshehura pas malit të Dajtit. Nuk do të jetë e largët dita kur Ilir Meta do ta mbyllë jetën e tij pas hekurave të burgjeve”, deklaronte Berisha para disa vitesh për mikun e tij aktual Ilir Metën. Janë akuza të rënda, që për hir të së vërtetës nuk janë artikuluar nga media por nga njeriu që e njeh shumë mirë Ilir Metën, vetë Sali Berisha, i cili nga viti 2009 e deri më 2013 ka bashkëqeverisur me të.
Akuzat e Kokalarit
Përveç deklaratës tronditëse që zbuloi nga SHBA, Kokalari tregon se kreu i Partisë së Lirisë me skemën që ndoqi për të rrëmbyer këshillat bashkiakë dhe duke futur të gjithë njerëzit e tij, “përdhunoi” të gjithë demokratët që kishin tre muaj që dilnin në fushata. “Deri tashti shoh se 11 vende në Këshillin Bashkiak, Tiranë i kanë shkuar LSI, vetëm 5 PD-se së rithemelimit. Ja, ky është ‘përdhunimi’ që ju bëhet ju që keni tre muaj që dilni në fushata, pa u paguar, me lekët tuaja, që ju duhet të paguani benzinën, ushqimin dhe çdo gjë tjetër vetë, dhe pse? – për ti dhënë 11 vende LSI? Por, ndërkohë , vazhdoni dëgjoni Nexhmije Vokshin që ju thotë mos reagoni ndaj realitetit që flas unë, e cila është dhe ka qenë e gjitha në mbrojtje të interesave tuaja, por në kundërshtim të interesit të tyre, të saj, të Berishës, të Metës dhe pazareve që këta bëjnë. Nuk di çfarë të ndjesh në raste të tilla, keqardhje apo neveri? Oh, dhe me që ra fjala, në listën e plotë është futur dhe emri i gruas së Kolonel Legenit, Demirajt, që ka qenë komplet kundër foltores dhe na ka sulmuar të gjithëve pa fund, dhe mbi të gjitha nuk jetojnë as në Shqipëri por në Michigan, dhe janë lënë jashtë emra të demokratëve që kanë qenë nga foltorja në foltore, nga protesta në protestë. Dhe pse? Sepse kolonel legeni është një nga vemjet që mban Iliri me Monikën afër, dhe ti sulin me komandë kur duhet të atakojnë ‘armiqtë’ e tyre. Ndoshta pak rëndësi ka posti në Këshillin Bashkiak, dhe jam dakord, por është e pamundur mos të të bjerë në sy shëmtirësia se si ju trajtojnë, pa asnjë pikë respekti dhe jashtë çdo norme civiliteti. Meritokracia ka kohë që ka vdekur në atë vend. Sa për Ilir Metën, dua ti bëj me dije se ata në Kongres që po merren me investigimin e McGonigal, e njohin shumë mirë se kush është, e njohin me emër, dhe madje ishin specifik në korrupsion e tij kur ma përmendën, që nga trafikimi i drogës etj diçka që dhe Berisha e ka thënë publikisht më parë. Turp të gjithëve, juve që abuzoni demokratët dhe demokratëve që rrinë dhe bëhen viktimë e këtij abuzimi!”, përfundon shkrimin e saj Kokalari.