Home Slideri Ikin firmat nga rruga Plepa-Rrogozhinë. Qeveria nuk u ka dhënë lekët prej...

Ikin firmat nga rruga Plepa-Rrogozhinë. Qeveria nuk u ka dhënë lekët prej një viti

Rruga Plepe-GolemNga Xhevo Gradica / Të gjitha firmat që kanë fituar tenderin për të kryer punimet sipas loteve në rrugën Plepa-Rrogozhinë kanë larguar makineritë dhe kanë shkrirë kantieret. Ka 6 muaj që ky segment shumë i rëndësishëm që lidh kryeqytetin me Jugun e Shqipërisë duhet të ishte përfunduar, ndërkohë që është kryer vetëm 1 / 4 e volumit të punës. Data e dorëzimit ishte caktuar 2 shtatori 2012, por deri tani nga tetë lote kanë përfunduar vetëm 2. Të gjitha firmat ndërtuese në këtë segment rrugor kanë lënë punën dhe janë larguar pas pritjeve të gjata për të marrë nga Ministria e Transporeteve lekët për punën e bërë. Firmat janë detyruar të ndërpresin punën pasi nuk kanë pasur mundësi të blejnë materialin dhe as të paguajnë punëtorët për disa muaj duke i vënë në siklet të madh. Situata është cilësuar si shumë e pazakontë pasi mësohet se firmat nuk kanë marrë asnjë lloj përgjigje nga ministri Sokol Olldashi. Fenomeni ndërprerjes së punimeve në rrugë është çështje shumë e njohur në Shqipëri. Të gjitha projektet në proces zbatimi kanë të njëjtin fat anekënd vendit duke shtyrë falimentimin e shumë firmave dhe konfrontimin e tyre me të punësuar të cilët nuk kanë marrë pagat prej një viti.

Gjendja

“Rrezik Vdekje”! Kështu e cilësojnë drejtuesit e automjeteve rrugën nacionale Durrës-Rrogozhinë për shkak të gjendjes në të cilën ndodhet aktualisht kjo rrugë. Rruga në fjalë nisi të zgjerohet në vitin 2009, por edhe pas afro 4 vitesh, vetëm pjesa nga Plepat deri në fillim të Golemit ka përfunduar plotësisht. Pjesa tjetër e rrugës, gjendet e lënë në harresë, diku e gërmuar, duku e shtruar dhe pa ndriçim e tabela sinjalizuese, e diku në gjendje aq të keqe, sa shkakton vetëm aksidente rrugore. Pjesa nga varrezat e Kavajës deri në Gosë është më problematikja. Për shkak të mospagesës së situacioneve, firmat e ndërtimit kanë pezulluar punën dhe e kanë lënë atë në gjendje të mjerueshme. Kanë qenë gjitshej 8 lote për të cilat janë kryer procedurat tenderuese nga ana e drejtorisë së përgjitshhme të rrugëve. Vetëm dy lote kanë përfunduar, ndërsa 6 të tjera janë lënë në harresë të plotë. Drejtuesit e automjeteve shprehen se rruga është mjaft e keqe, ka shumë gropa, kanale në mes të rrugës që rrezikojnë seriozisht jetën e pasagjerëve si dhe automjetet nga dëmtime të shumta. Rruga në fjalë është rruga më e ngarkuar në shkallë vendi, pasi ajo shërben për të lidhur jugun e vendit me Durrësin, Tiranën dhe gjithë veriun e Shqipërisë. Askush nuk jep asnjë shpjegim se çfarë po ndodh me këtë rrugë, ndërsa në disa tebela shihet qartë se afati i dorëzimit të punimeve ishte 2 shtatori i vitit 2012. Drejtoria e përgjitshhme rrugëve që varet nga Ministria e Transporteve, nuk ka dalë në asnjë prononcim se cfarë do të behet më tej, por tashmë dihet se mungesa e fondeve ka bërë që firmat ndërtuese të mbledhin makineritë dhe të shkrijnë kantieret për të punuar diku tjetër. Më e rrëzkishme kjo rrugë është gjatë natës, ku pjesa më e madhe e drejtuesve të automjeteve përdorin dritat e gjata për të ndriçuar rrugën e lënë përgjysmë. Ky fenomen shkakton më pas aksidente, duke qenë se rruga është e gërmuar dhe gjithë gropa përgjatë një gjatësie të konsiderueshme. Plepat deri në Rrogozhinë rruga është rreth 35 km dhe punimet në mënyrë intensive kanë nisur në vitin 2009 për t’u ngadalësuar në vitin 2011 dhe për t’u ndëprerë fare gjashtë muaj më parë, në shtator të vitit 2012. Ministri i Transporteve Sokol Olldashi nuk u ka dhënë asnjë lloj përgjigje për zvarritjen e shlyerjes së situacioneve duke shtyrë kompanitë të shkojnë drejt krizës së pashmangshme. Segmenti rrugor i mbetur përgjysmë është kthyer në një gangrenë si për drejtuesit e mjeteve, edhe për policinë e trafikut rrugor. Janë me dhjetra aksidente, shumë prej të cilave me pasojë vdekjen e shtetasve të cilat janë shkaktuar vetëm si pasojë e ndërprerjes së punimeve. Efektivat e qarkullimit rrugor janë instaluar në këtë segment për të bërë të gjitha përpjekjet në disiplinimin e trafikut i cili vijon të jetë në një gjendje kaotike. Kompanitë e ndërtimit e kanë ngritur zërin e tyre deri në qeveri, duke u bërë të qartë gjendjen kritike. Firmat kanë punuar me paratë e tyre, ndërsa tani që gjithçka ka shterrur në arkat e tyre janë detyruar të largojnë mjetet dhe të prishin kantieret. Ata pranojnë se kjo situatë është shprehje e drejtpërdrejtë e krizës në të cilën është përfshirë vendi. Sot kompanitë e ndërtimit po mendojnë si e sit ë marrin paratë që kanë shpenzuar, pasi thuasje nuk kanë fare shpresë për të vijuar më tej ngase nuk ka më lekë. Shumëkush e ka komentuar këtë veprim si falimentim, pasi janë qindra punëtorë, specialistë, teknikë e inxhinierë që nuk kanë marrë lekët në muaj e muaj me radhë, ndërsa vet firmat kanë pohuar vetëm faktin se po presin të u shlyhen situacionet dhe se do të kthehen në kantiret e tyre në një kohë të afërt.

 

Previous articleVazhdon skandali në Sigurimet Shoqërore Durrës. Mjekë nga Tirana për KEMP-in
Next articleAlfred Mullaraj: Pas 23 qershorit Durrësi do të shkëputet nga kthetrat e qeverisë mafioze të Sali Berishës