Home Politike Igli Cara: 231 mln eurot që Rama i fali Alabarit, do e...

Igli Cara: 231 mln eurot që Rama i fali Alabarit, do e ndryshonin Durrësin

Igli Cara, kandidati i opozitës për kryetar të bashkisë së Durrësit, deklaroi shprehimisht sot “se nuk jam kundër një marine detare në Durrës, por jam kundër një mega-afere, një vjedhjeje të madhe që i bëhet qytetit” dhe veçoi, një nga humbjet më të mëdha që pëson qyteti me projektin Rama – Alabbar: humbjen e taksës së pushtetit lokal prej 231 milionë eurosh që kryeministri ka vendosur t’ia falë investitorit të huaj.

Z. Cara i renditi thjesht sot në emisionin Kafe Shqeto në SYRI TV, faktet se përse e konsideron ai dhe opozita,  projektin “Durres Yaht Marina” si vjedhjen e shekullit nga kryeministri Edi Rama,

“Çështjen e Portit të Durrësit sa herë ta trajtosh është mirë, sidomos për durrsakët, – tha kandidati për kryebashkiak. – Durrësi – qytet është në simbiozë me portin, nuk mund ta kuptosh dot Durrësin pa port.

E kam thënë dhe herë tjetër që nuk jam kundër një marine detare, por jam kundër një mega-afere, një vjedhjeje të madhe që i bëhet qytetit sepse kushdo do të donte një marinë detare ku aty të ankoroheshin skafe dhe të kishte shërbime, të cilët i vihen në ndihmë turizmit, por kur sheh që kjo marinë detare zë vetëm 1% të asaj vlere që flitet, pra nga 2.1 miliardë euro, llogarisni që janë vetëm 20 milionë e pjesa tjetër shkon e tëra për ndërtime, atëherë këtu lindin pyetjet dhe fillon analiza. Kur shohim që po falim një port që sipas revistës Monitor shkon afërisht 3 miliardë euro dhe në këmbim Durrësi nuk merr asgjë e shkon e tëra vetëm e vetëm për ndërtim, lind pyetja: Pse bëhet?!

Ata thonë se do të marrim 33% pas 30 viteve, po të gjithë e dimë që pas 30 viteve, kjo firmë edhe mund të falimentojë. Kush e siguron Durrësin, por edhe Shqipërinë, se ky është port kombëtar, për dëmin që shkaktohet?!

Përveç kësaj, unë do të ndalem tek ajo që quhet taksa e pushtetit lokal, që është taksa e infrastrukturës dhe e strehimit e të dyja bashkë bëjnë 11%, afërisht 231 milionë euro. 231 milionë euro janë shumë për qytetin e Durrësit; me 231 milionë euro, Durrësi duhet të ishte komplet ndryshe.

Mos të harrojmë që ky 231 milionë eurot, që Rama ia fal Alabarit, me ligjet në fuqi derdhet ose arkëtohet, shkon në arkat e bashkisë para se të fillojë ndërtimi dhe prandaj ai e ka falur, sepse 231 milionë euro nuk merret leja e ndërtimit pa e firmosur. Pra, çfarë ndodh?!

231 milionë euro, sipas edhe Kushtetutës (se pushtetet janë të ndara në demokraci, që do të thotë pushteti juridik, pushteti i qeverisë, pushtetet lokale janë të ndara), kurrkush nuk ka të drejtë që t’ia marrë paratë qytetarëve të Durrësit. As Rama nuk ka, megjithëse është kryeministër sot, nuk ka të drejtë t’ia marrë dhe aq më tepër për çfarë po ia merr?! Sepse do të ishte e justifikueshme nëse do të kishte përsëri një projekt për Durrësit, por ai thjesht ia fal dhe po ia fal mikut të tij që bën ndërtimin apo miqve të përbashkët sepse aty me sa kuptohet janë disa.

Megjithatë nuk mjaftohet me kaq që po merr paratë e durrsakëve që mund të shkonin në ndërtime shkollash, ndërtime rruge, infrastrukture, gjelbërim, pastrim, se nuk do të kishim asnjë lloj problemi, me 231 milionë euro, besoj se Durrësi do të kalonte edhe Tiranën në shumë aspekte që mbahet si kryeqyteti i Shqipërisë, megjithatë kjo nuk bëhet, nuk mjaftohet me kaq.

Edhe portin e ri, që flitet që do të jetë në Porto Romano, do ta ndërtojnë përsëri me paratë e shqiptarëve sepse edhe aty një pjesë e ndërtimit, 400 e ca milionë euro do ta bëjnë përsëri me taksat tona. Pra, mirë që falim tokën, mirë që nuk na japin paratë e durrsakëve, por edhe portin e ri e bëjnë përsëri shqiptarët.

Kjo është pak ta quash kriminale. E kam thënë që në fillim se kjo është vjedhja e shekullit dhe unë e kuptoj interesin e Ramës dhe shpejtësinë me të cilën po i bën gjërat sepse në dhjetor kaloi një ligj; opozita e ka çuar në Gjykatë Kushtetuese por edhe ligjet, para ca ditësh më thanë që po kalojnë mbrapa, që tokat, pronat në port kanë kaluar në pronësi të kompanisë që është krijuar, aksionere kryesore në pronësi të tyre.

Tani durrsakët, megjithëse në planet 3D me thënë të drejtën patën një ndjenjë të mirë se menduan që do të ishte një investim që i vlente qytetit,  me faktet që kanë dalë, me shifrat…Këto shifra të vrasin. Unë nuk besoj kurrë se ka njeri që e ndien veten durrsak dhe është dakord që t’i vidhen kaq miliarda euro dhe t’i falen Alabarit e të thotë që jam dakord.

E thashë, jam pro portit, e përsëris, jam pro që edhe ato shërbime që janë në port le të spostohen në Porto Romano pa pikë problemi dhe të bëhet i tërë porti, marinë detare, por kurrsesi që të jepet për ndërtime për miqtë e Ramës dhe për një aferë kaq të madhe.”/ar.sh/SYRI.NET

Previous articleQendrën e masazheve e kthyen në ‘fole’ prostitucioni, 4 të arrestuar në Tiranë, mes tyre dhe administratorja
Next article“Shqipëria, vendi më i korruptuar në Ballkan”, Tabaku: Ja si mund ta rrëzojmë sistemin e kalbur të 3 dekadave