Home Letersi Idetë e ndërtimit të romanit “Kojrillat”

Idetë e ndërtimit të romanit “Kojrillat”

kopertina 1 kojrillatRomanin”Kojrillat”të Fatmir Terziut,ndryshe e përkufizoj: “Shtegtim nëpër bodrumet e Diplomacisë Evropiane”

Nga Vilhelme Vranari Haxhiraj /  Romanin më të ri, me titull “Kojrillat” të shkrimtarit të mirënjohur, Dr. Fatmir Terziu, (krijimtaria e të cilit është vlerësuar me disa çmime prestigjioze brenda dhe jashtë atdheut), si shumë lexues të tjerë, fillimisht nisa ta lexoj me kapituj botuar te,”Fjala e Lirë”. Më emocionoi aq shumë narracioni i autorit, sa bashkë me cicërimën e krillës sonë të vogël, mysafirit më të ri të familjes, e gjithë shtëpia m’u mbush me gëzimin e krillave gjatë kthimit nga shtegtimi. Ndoshta do t’ju duket e pabesueshme, por Perëndia e mori mesazhin e lumturisë që ndjeva , njëlloj sikur të ishte romani im. Urime Fatmir! Një urim i dalë nga shpirti, i cili bashkë me krillat, uroj ta shpërndajnë jehonën e këtij libri të mrekullueshëm në mbarë botën, sepse e meriton! Theksoj se jam trefish e lumturuar për botimin e këtij romani për vlerat që ai sjell në letërsinë e sotme, si një kujtesë memorjeje, për ne që jetojmë si dhe për brezat që do të vijnë:

Së pari sepse Fatmiri botoi dhe i dhuroi lexuesit një roman të ri modern, që ngjason me një peticion që bënë thirrje: “O shqiptar vrisni frikën!”
b) së dyti, sepse autori me këtë vepër shfillon mjaft bukur lëmshin e ngatërruar keqas të dilemës që kërkon spjegim, duke shpalosur të vërtetën mbi Shqipërinë dhe shqiptarët. Ai njeh lexuesin me një të vërtetë të mohuar historike 100 vjeçare për mos të thënë shumëshekullore të vendit tonë.
c)së treti:Në kolanën e letërsisë shqipe Fatmir Terziu tashmë po hyn si romancier, madje me një vepër që tregon më së miri pjekurinë letrare të këtij autori potent dhe bashkëkohor. Duke ditur se sa vullnet, punë, mund dhe kohë i duhet shkrimtarit për të nxjerrë në dritë një vepër letrare dhe në veçanti një roman, për kënaqësi, autori pati mirësinë të ma dërgonte dorëshkrimin të plotë, gjë që më dha mundësinë për ta shijuar si duhet këtë vepër të arrirë. Pasi mbaron së lexuari edhe rreshtin e fundit, mbyll sytë dhe brenda qenies sate njëkohësisht ndjen mall e dhembje për kohën që shkoi, për gjithë ato ngjarje apo ndodhi të cilat i ka mbuluar pluhuri i harresës, ose më saktë janë mohuar me dashje nga të fuqishmit e kohërave, që historinë e vlerësojnë me fuqinë mposhtëse dhe përbuzëse të më të fortit. Dhe ti pyet ndërgjegjen:”Përse na kanë dashur inekzistentë? Përse na kanë mohuar si komb, si gjuhë dhe si racë,e cila qysh më 1913 është quajtur ‘Dekania e racave’ për nga lashtësia, gjuha dhe etnogjeneza?! “Shqipria, Dekania e Racave dhe më e vogla mes shteteve”Victor Frobin, Artikull i ilustruar, botuar në revistën franceze”Je sais tout”, 15 qershor 1913. Ja ç’thotë Terziu: “…Dhe e gjitha një këngë e vjetër. Asgjë për të humbur karriget që ngjeshen mirë për të tjerë…ndoshta janë bërë memecë historie… -Memecë historie? Vërtet po sikur të jetë kështu? Ajo dosje që mbeti gjetkë në zyrat e Hamersmithit vërtet mund të jetë memece? A është e mundur që ajo të mos flasë me gjuhën e vërtetë të saj? E vërteta?… “-pyet autori me mosbesim. Dhe unë si lexuese, them: “E vërteta gjendet dhe vendoset vetëm nga i virtytshmi.” Si çdo shqiptar i ndjeshëm ndaj çështjes sonë kombëtare, edhe Fatmirin e ka shqetësuar fati i atdheut, dilemat që ende ngelen në udhëkryqet e jetës ,që vazhdojnë të kërkojnë zgjidhje, që si të tilla janë bërë objekt studimi, hulumtimi dhe kërkimi rigoroz për 6 vite me radhë për autorin. Këto shqetësime i ndesh në çdo paragraf, në çdo kapitull e faqe pas faqeje në të gjithë romanin dhe ti, si lexues, rend si maratonomak për të gjetur të vërtetën, atë të vërtetë të dhimbshme të mohuar të një kombi vital. Kombi, balta që e lindi dhe familja janë të pandashëm për atdhetarin. Nëqoftëse do familjen, jam e bindur se po aq do edhe atdheun. Kur jemi larg ndiejmë mungesën e familjes, po kështu ndiejmë edhe nevojën e atdheut kur na mungon. “Është e pabesueshme se si një gjë në jetë ndryshon perceptimin tënd. Mjafton një gjë. Mjafton aq sa të të fiksohet në kornizën tënde të urdhërimeve të brendshme. Në urdhërimin e gjërave që të vijnë të gjesh rendin e tyre. Rendin e gjërave? Gjërave, që në fakt janë jashtë një lëmshi që zakonisht sfumojnë edhe arsyen e brendshme. Dhe bashkë me arsyen e brendshme, e fshehta kapërcen çdo ndikim. E fshehta bëhet parzm i vetë arsyes së gjërave,”-thekson me të drejtë Dr. Terziu, tek krijimatria e të cilit, ky libër solli ndryshime rrënjësore. Sa e re dhe po aq e vjetër historikisht, sa e njohur dhe po aq misterioze, sa e vogël si problematikë e prapaskenave të paskrupullta të “botës së qytetëruar” dhe po aq e madhe si çështje morali, nderi dhe legjitimiteti për një komb të vogël të cilit iu mohua e drejta legjitime, duke e nëpërkëmbur të Mëdhenjtë e kohërave. Në lidhje me këtë, i madhi Ismail Qemali është shprehur:” Tragjeditë e kombeve të vegjël dalin nga portat e shteteve të
mëdha” . Pikërisht këtë tragjikomedi të Fuqive të Mëdha , e ka zhbiruar me syrin e hollë të kritikut të mirfilltë ndaj çdo padrejtësie kombëtare, të cilën na e paraqet autori Terziu në romanin Kojrillat.

Vështrim strukturor i romanit

Nëse do ta shohim dhe analizojmë nga pikëpamja e ndërtimit strukturor, romani shpalos historinë e 100 viteve pavarësi shqiptare. Poqese do të kanalizohej në gjininë e romanit historik, duhet t’u përmbahej me përpikmëri kronikave të kohës , kohëndodhjes, vendndodhjes dhe zhvillimit të ngjarjeve. Natyrisht duke paraqitur shkaqet dhe pasojat. Por Z.Fatmir me narracionin e jashtëzakonshëm, ndërthurur me ngjarje sociale, kulturore, e politike që vijnë përmes kujtimeve të personazhit kryesor Granit Jetoni , të sjella në retrospektivë, e bëjnë të veçantë dhe sfidante këtë vepër. Zbulimi i shkrimeve të medias së kohës para Luftës së Dytë Botërore kur ndodhi kjo tragjedi nga një fëmijë, kureshtja e të cilit, është me shumë vlerë, apo pjesmarrja e hetuesit anglez Dr.Eduin Smith, i vetmi që nuk beson tek versioni i pabazë i vdekjes natyrale si rezultat i një depresioni të rëndë të madam Vlorës, si dhe hetimet e tij sa në Londër, sa në Paris apo në Itali e gjetkë, koha e tejzgjatur e tyre, bazuar në dyshimet e dhëna nga media, flasin për një roman policesk. Kurse dalja në skenë e një personazhi sureal, “E Ujta”, si dëshmitare reale dhe njëkohësisht viktima, e cila mbart të vërtetën, të bëjnë të mendosh se kemi të bëjmë me një tip romani fantastik si “Kodi i Da Vinçit” i Dan Braun, ose “20 000 lega nën det”, të shkrimtarit Zhyl Vern, i cili shkruajti fantashkencë në shekullin e XIX-të. Nëse Kojrillat do ta krahasojmë me Sherlock Holmes apo do ta ballafaqojmë me romanin e juristit Giancarlo De Cataldo, i cili përvojën në fushën e drejtësisë e shndërroi në letërsi dhe art kinematografik mjaft të suksesshëm, ky roman do të hynte në historinë e letërsisë shqiptare si roman policesk. Por këtu ka ndërthurje të fantazisë, me historinë ,me fushën e drejtësisë dhe me psiko- sociologjinë. Kush ka lexuar romanin tim të fundit “Rikthim i Ismail Qemalit” dhe më pqs të lexojë “Kojrillat”, pavarësisht se kemi të bëjmë me dy autorë , me dy vepra të ndryshme, gjithsesi lexuesi do të mendojë përsa i përket tematikës duket sikur janë vazhdim i një trilogjie. Pse? -do të pyes ndokush. Te “Rikthim i Ismail Qemalit”, ngrihet nga varri dhe vjen i gjallë në Vlorë, në Kaninë e në gjithë Shqipërinë, arkitekti i Pavarësisë dhe themeluesi i shtetit të parë modern shqiptar, Ismail Qemali, ku përballet e djeshmja me të sotmen. Në gojën e atij burri të shquar dhe diplomati vihen në peshore arritjet dhe mosarritjet, fitoret e merituara dhe çka nuk është bërë mirë. Kurse te Kojrillat kemi të bëjmë me kërkimin e së vërtetës shqiptare përmes dokumenteve, që i ka marrë rrjedha e ujit(e kohës) me vete. Këtë të vërtetë autori e shtrinë në hapësirë si:( në Evropë, ku përfshihen shtetet ballkanike, natyrisht në Shqipëri dhe më tej përfshihen Anglia, Italia, Austria, Franca, Rusia, madje edhe Kina, si dhe në kohë. Aty, në shekullin që sapo lamë pas, i gjen të gjitha ngjarjet dhe bëmat, ku marrin pjesë të gjitha shtetet që kanë vendosur fatin e Shqipërisë, e cila për faj të sundimeve shekullore, u bë arenë cirku e atyre ujqërve që veshën lëkurën e qengjit dhe u treguan si miq të besës. Fatin e Shqipërisë, autori e rrëfen mjeshtërisht përmes një tragjedie të zakonshme, që më vonë do të bëhej busullë orientuese e mistereve të varrosura nën ujë. Herë-herë më duket se me fatin tragjik të asaj gruaje, autori aludon me fatin tragjik të Shqipërisë. Kjo histori e hidhur, një tragjedi tronditëse, që në dukje nis si një incident i zakonshëm, mëse i rëndomtë, me mbytjen e një gruaje të huaj dhe të bukur në ujërat e lumit Tamiz, të bënë të jetosh çaste ankthi deri sa përfundon romanin. Nuk dua të flas për brendinë e romanit, pasi nuk më pëlqen të humbas kureshtjen e lexuesit. Dua të përmend se si e ka shfrytëzuar shkrimtari Terziu pangopësinë e diplomacisë Evropiane, duke shfrytëzuar natyrën e dobët dhe joshëse të femrës. Këtë e mësojmë përmes një lloj narracioni filozofik të rafinuar dhe indirekt, që përshkon faqet e librit. Bëhet fjalë për një zonjë nga derë e madhe e Vlorajve. Madam Zejnep Vlorës, Zoti i kishte falur bukurinë dhe rangun e lartë shoqëror, që çdo bukuroshe tjetër do të dëshironte të ishte në vendin e saj. Duke qenë gruaja e Xhemil Vlorës (që ndoshta kishte pozitën e Prefektit të Vlorës) u përzgjodh si Zonja e Parë shqiptare, në pritjen e Mbretit të Shqipërisë, Princ Vilhelm Vidit. Atëherë kjo e ëmbëlsuar nga jeta e oborrit, kërkon të avancojë më tej, duke kërkuar më shumë nga vetja dhe nga jeta. Por gjithçka që merr në këtë botë, ka shpërblimin e vet. Njohja e saj me rrethet diplomatike të kohës bëri që ajo ta shndërrojë veten në një ikonë bukurie, e admirueshme për të huajt. Ndërkohë që bashkëshorti i saj, Xhemili kryente detyrën e vet shtetërore, ajo vizitonte oborret e Evropës, si Itali, Austri, Francë, Angli, Stamboll etje… Frekuentimi i salloneve të diplomacisë evropiane prej kësaj zonje mondane, ku admiruesit e joshnin atë vetëm për interesat e tyre lakmiqare apo grabitqare ndaj Shqipërisë së saposhpallur e Pavarur. Mos të harrojmë se autori na e sqaron me shumë finesë se kjo indipendencë e shlpallur, ishte e cunguar, pasi toka amtare dhe vetë shqiptarët u ndanë e u përçanë mes shteteve fqinjë të Ballkanit. Por le të ndalemi tek zonja Zejnep, ku përmes një stili narrativ ngjyrash, përmes figuracioneve të gjetura e tejet të spikatura, Terziu na shuan kureshtjen: “…E Ujta krijesë qëndroi para meje. Kristalizohej e gjitha. Shkëlqente ambienti. Një Princeshë e vërtetë. Trupujtë e tëra. E përkryer në bukurinë e saj. Flokëargjendi, tërë xixëllima si një ujëvarë nën goditje rrezesh të forta dielli. Manteli i saj i tejdukshëm, tejzgjatej nga pas trupit deri në një kufi ku sytë dukeshin të paaftë të kapnin fundin e tij. Vokale dhe ritmike në lëvizjen e saj dhe të mimikës së fytyrës këndore. Lëkura e tejdukshme, ku binin në sy venat e saj blu në të gjelbërta. E gjitha dukej si një e tërë. Një sipërfaqe venash që dukej sikur merrnin e jepnin me ambientin me disa lidhje të tejdukshme arteriesh. Vena të gjata që ridimensiononin tërë atë pamje bukurie në sytë e mi. E gjitha një lëvizje ritmike. Një komandë. Një ritëm. Një ndjesi…” Lexuesi sa njihet me aparencën e saj paraqitur artistikisht bukur nga autori, mendon se, një bukuri e tillë, e lindur për ta fituar këtë jetë që kushtonte shtrenjtë, i duhej ndoshta edhe të abuzonte me hiret e saj femërore. Nënkuptohet se për të siguruar luksin në paraqitjen e një gruaje aristokrate, që edhe pse ishte nga një vend i vogël dhe i panjohur, nuk dallonte nga zonjat e salloneve luksoze të Parisit apo Vjenës, të lë të kuptosh se i bën shantazh bashkëshortit, Xhemilit, ku këmbëngulja e saj fliste mjaft qartë:”ose paratë për një jetë sallonesh, përmes së cilës madam Zejnepi kishte fituar pavarësinë, ose nxora në ankand diplomatik sekretet politike të kohës, ku në lojë ishte vënë fati i Shqipërisë. (Vivra)”  Kurse shkrimtari i talentuar Z. Terziu, paraqet Granit Jetonin, jo atë djalin e vogël, të cilit nuk i hiqet mendja nga ditëlindja e tij e gjashtë, tashmë pas 40 vjetësh ndërsa dëgjonte transmetimin e lajmeve, kapi: “…dhe dokumenteve që mbante me vete Madam Zeinep Vlora, ndoshta me…” -Gati isha i përhumbur në lajmin e radhës teksa spikerja më tej vazhdoi … “Koleksioni i artefakteve të rralla, të cilat do të ekspozohen, përbëhet nga artikuj të rëndësishëm të gazetave, dokumente të rralla dhe nota diplomatike të legatave të ndryshme, të cilat janë gjetur nga studiuesit në arkivat e Londrës. Artefaktet në fjalë janë dokumente të paekspozuara më parë për publikun shqiptar dhe pritet të zgjojnë interesimin e studiuesve dhe qytetarëve të Shqipërisë dhe Kosovës.”-gjë që e bëri të pëshpërinte me vete: “Ky koleksion i veçantë i dokumenteve të rralla…”, “ky koleksion i veçantë i dokumenteve të rralla… të paekspozuara më parë”, – ripërsëriti duke pasur në mendje njoftimin mediatik Londinez bërë në prag të 100 vjetorit të Pavarësisë, gjë që ngjalli dyshim, por më tepër shpresë për personazhin tonë.  Nëse do të marrim shkakun dhe pasojën, si gjymtyrë të ngjarjeve historike, që romani të quhet historik, janë dy: Si shkak që nxiti kureshtjen e një fëmije të padjallëzuar me materiale mediatike të botuara kohë më parë, ishte Lutfi Çela, një njeri i arsimuar në perëndim. Pasoja : kemi në dorë një roman i shkruar 40 vite më vonë, po nga ai fëmijë i cili e shoi kureshtjen përmes kërkimeve për të zbardhur një të vërtetë. Kjo nxori shkaqet dhe pasojat e vërteta, që të mëdhenjtë kishin shkaktuar tragjedinë e një kombi. 

Estetika gjuhësore dhe letrare në roman

E përkufizova kështu “estetikë gjuhësore dhe letrare” për faktin se romanin e përshkon fund e krye një gjeografi konceptesh të shpërndara përmes një ekuacioni narrativ, në një terren ku gjen zbatim shtrirja e mendimit linear. Në faqet e tij gjen kryqëzim kohërash, që përcaktojnë shtrirjen e ngjarjeve në kohë. Nga pikëpamja estetike, përmes një gjuhe të pasur, aty has një mori ndjenjash dhe traditash nga më elegantet deri tek mëvulgaret. Kurse e vërteta e stisur estetikisht, gjendet e varrosur në ujë,në tokë apo në shkëmb. Përmes një paralelizmi të goditur “Mosqenia”,shndërruar në një Kojrillë, e cila shtegton në stinë, kurse “E Ujta” paraqitur si qenie frymore, del nga labirintet që koha i mbuloi me ujëdhe me baltë. Këtu kemi të bëjmë me një roman filozofiko-social, ose hasim me filozofinë e Prof. Dr. Isuf Luzit (“Ekzistenca dhe Boshësia”,i cili thotë:”E vërteta, e qenësishmja, nëse e kërkojmë gjendet brenda boshësisë pra në inekzistencë.” Sipas autorit e vërteta qëndron tek e brishta. Nga ana tjetër brishtësia është virtyt i asaj pjese të shoqërisë apo në atë këndshpirt të individit që mendon se drejtësia duhet të vendoset në botën e të gjallëve, ku mjegulla ka mbuluar të vërtetën, të bukurën që të ofron jeta. Nga mënyra e të parit të dritës, si simbolikë e së vërtetës, për individ të ndryshëm përceptimi është i ndryshëm. Po kështu ndodh me shtetet. Dikë e zhysin në ferr dhe errësirë, për ta pasur dritën të gjithë për vete, paçka se ajo është e rreme. Pasi dritën e vërtetë e kanë zhytur nën ujë, nën tokë, nën gërmadhë. Në këtë roman Terziu, përmes metaforave, alegorive, dualizmeve, paralelizmave dhe krahasimeve, përballë të tejngopurit që fsheh të vërtetën vendos të eturit për dritë( për të vërtetë). Mesazhi që jep autori në roman, është i madh, është solemn: “Jo me kryneçësi, drita duhet parë në një këndvështrim të ri, pasi koha do dritën e duhur. Kombet pa identitet, të dalë nga errësira e shekujve, jetojnë me antikitetin dhe shpërndajnë vetëm errësirë. Edhe pse shekujt na ndërruan emrin disa herë trashëgimtarët e fronit shqiptar, atdhetarët shqiptarë e mbajtën ndezur dritën e së vërtetës, Dritën e Lirisë, herë me pishtarë, herë me kandil, herë me qirinj dhe dheu ende s’i ka tretur. “Dëshmitar të këtij vitaliteti, spjegon Fatmir Terziu, janë Kojrillat shqiptare, shtegtarët stinor, që në të gjitha hapësirat e globit mbajnë simbolin e kombit, të cilin të tjerët duhet të dinë ta shikojnë…Pa e prekur kohën e diktaturës, me problemet e saj të tejskajshme që autori i shtjellon mjeshtërisht, sa edhe varfërinë e shpreh me një detaj të rëndomtë, me mungesën e perit për të qepur, theksoj se romani “Kojriliat” vjen me një dimension të ri, me lirikë të qashtër, me konfiguracion metaforik, sjellë një risi emancipuese gjuhësore në letërsinë shqiptare të pas viteve 90. Terziu me letërsinë e tij , përmes shprehive të reja apo fjalëve të përngjitura, sjellë një pasuri të vyer gjuhësore në letërsi. Ka ardhur koha dhe jam e bindur se kritika shqiptare, nëse zhvishet nga hermetizimi i cili ka veshur me aureolë një numër të kufizuar shkrimtarësh, duke i dhënë prioritet letërsisë politike, duhet t’u japë vendin e merituar romanit unikal”Kojrillat” si dhe disa romaneve të tjerë, që japin mesazhe për sot dhe të ardhmen.

Si përfundim:

Më vjen mirë që po vazhdon rrugën e romanit. Jo pak, por është romani i tretë në një hapësirë kohore relativisht të shkurtër dhe tejet të ngjeshur brenda 2-3 vjetësh. Them prodhimtari letrare e ngjeshur pasi kam parasysh se shkrimtari Terziu, nuk merret vetëm me krijimtarinë letrare apo vetëm me këtë gjini. Ndërkohë ai ka botuar dy vëllime poetike, Kritika ndryshe N-2, pa harruar punën si domosdoshmëri jetike, botimin e revistës “Fjala e Lirë” , gazetës “Albania News”, si dhe realizimin e filmave (i vlerësuar në këtë gjini arti me çmimin ndërkombëtar “Green”)duke shtuar me dhjetëra analiza dhe kritika letrare. Deri sot nuk njoh ndonjë kritikë tjetër që në punën e vet të ketë përfshirë kaq shumë autor, sa Fatmir Terziu. Kam pasur fatin të punoj me kritikë dhe estet të tjerë me emër, por theksoj se kritikat e veprave letrare apo të autorëve të marrë në konsideratë prej tyre, numërohen me gishtat e dorës. Kurse Fatmir Terziu ndryshe nga ata, ka sjellë një kritikë ndryshe për një letërsi ndryshe e palëvruar më parë. Dhe më e çuditshmja është se kritiku ynë, ka marrë në analizë mbi 250 autorë, duke bërë të njohur edhe ata që koha i kishte harruar. E përgëzoj autorin e mirënjohur për temën tejet intriguese. Mbi të gjitha më pëlqen stili i rrjedhshëm, i pasur në metafor, që lexohet me një ankth fluturak si shtegtimet e shqiptarëve në kohëra që ngjasojnë me shtegtimin e krillave ose kojrillave të autorit të cilat sot janë ambasadorët e kulturës edhe çështjees shqiptare në botë! Një vlerë e veçantë është prurja e re gjuhësore, ku mes syresh, përmend: trupujtë, E Ujta, zëzerrime, zëgrishës, shkrafanjit, flikërron, bluritmi, trupnjeri… Ose togë fjalësh si: …”pështyn kohën në thatësirën e grykës së tij; rrufellimë e tërbuar; vena të qelqerizuara; trungje gjysëm të tharë në ecjetën e tyre; kam pikëtakuar 100 vite që lanë të tjerët; koleksion i artefakteve të rralla; I merr vitet nën sqetull si të ishin gjethe vjeshte… etje. Veç vlerave të nxjerra më sipër, përmes këtij romani autori jep shumë mesazhe për lexuesin e gjerë, mes dialogjesh dhe monologësh të mrekullueshëm, rrëfen rrugën që duhet të ndjekin shqiptarët e në veçanti politika shqiptare që është bërë shembull negativ për teleshikuesit dhe votuesit. “Kush jeni ju?” Pyeta prerë. “Unë jam Ujnaja e zezë e Botës”, proklamoi vetveten duke ngritur prapë zërin çjerrës e të akulltë. “Unë jam portieri i Ujërave të Pista, i vetmi që ndaj në këtë fëlliqësirë përzierjesh shpirtin nga trupat e ikur. Jam i vetmi që trazoj në ujërra dhe dalloj gjakun e tretur.” -Dhe ju erdhët këtu në këtë errësirrë vetëm që të masni forcën me një të pafuqishëm, me një …, apo vetëm të më tregoni forcën tuaj duke më përshëndetur çjerrësisht? Kjo është një konsideratë e pazgjedhur mirë nga ju.” Zezërrima e tij u afrua më afër dhe gati më grishi veshin. “Mos kujton se je i veçantë, o trupnjeri? Ne kurrë s’kemi arsye të konsiderojmë se ju do të mund të jeni në një rrugë drejt Fundit të Botës. Bëhu i sjellshëm në këtë ballësi që sheh, dhe ndoshta do të rigjeni shpirtin.” “Por në fillim që të kaloni andej nga ku vetëm dora ime zgjedh dhe bën dallesat, të provoni se vërtet e meritoni, ju duhet të bëni respektin, të doni vëllai-vëllain, motra-motrën, nëna-djalin dhe të bijën e kështu me radhë. Ju duhet të doni e të mbroni tokë e male, ujë e dete. Ju duhet të keni respekt për gjakun…Ju duhet të vraponi kur të tjerët janë duke ecur. Se vetë keni ngecur në këto bataqe kohërash, ku edhe unë e kam shumë të vështirë të dalloj gjakun dhe shpirtin tuaj…” Urime i nderuar shkrimtar, që po ulesh këmbëkryq në gjininë e romanit që shtrihet si në hapësirë dhe në kohë, që është sa jetik dhe po qa filozofik. Mendoj se Filozofia dhe psikanaliza e jetës gjenden si askund në një roman të tillë, pasi ai ka shtrirje si në hapësirë edhe në kohë. Urime, rrugë të gjatë dhe mbarësi në këtë gjini sa të vështirë dhe po aq fisnike. Këshilloj që këtë roman duhet ta lexojnë të gjithë, në mënyrë të veçantë studiuesit, të cilët ta kenë si si një udhërrëfyes të asaj që duhej ta kishin bërë me kohë.

 

Previous articleÇdo të thotë Rihana për këtë fotografi
Next articleRusi, fjalim kundër Putin, mirëpritet në sallë