Home Sport Hyshmeri: me pak kujdes mund ta kishim fituar

Hyshmeri: me pak kujdes mund ta kishim fituar

HyshmeriBarazimi për durrsakët është konsideruar rezultat i drejtë në përballjen me Skënderbeun, por mesfushori Renato Hyshmeri shprehet se Teuta kishte mundësi edhe ta kishte fituar ndeshjen, nëse do të kishin qenë më të saktë përpara portës. Teksa ka dhënë vlerësimin e tij mbi ndeshjen, ndër të tjera Hyshmeri deklaroi se skuadra ia arriti qëllimit për të ruajtur vendin e dytë. “Kemi bërë një hap shumë të rëndësishëm drejt objektivit tonë, që është vendi i dytë. Gjatë fazës së dytë skuadra ka bërë progres në lojën e saj, por edhe në rezultate. Në tre transfertat më të forta të kampionatit, në Tiranë, Vlorë dhe Korçë, kemi ndarë nga një pikë, çka do të thotë se janë rezultate pozitive. Në Korçë zhvilluam një ndeshje të madhe, sikurse edhe pritej. Ishte një ndeshje e hapur dhe e barabartë, e cila u luajt me rendiment të lartë. Kësaj ndeshje i munguan vetëm golat, për t’u quajtur super. Skuadra u paraqit mjaft mirë dhe dha maksimumin e saj në fushë. Ishim përgatitur për çdo situatë dhe me pak kujdes ia dolëm, duke mos u vënë shumë në vështirësi. U mbrojtëm mirë dhe patëm raste të pastra për shënim. Barazimi ishte i drejtë, por nëse do të kishim qenë më të saktë përpara portës do të kishim dy pikë më shumë. Gjithsesi, jemi të kënaqur”, – deklaroi Hyshmeri. Durrsakët kanë bërë një paraqitje të mirë gjatë këtij kampionati dhe në fund të tij shpresojnë të ruajnë vendin e dytë, i cili është objektivi kryesor për Teutën, pasi pret direkt një biletë për në Kupat e Europës. Hyshmeri ka besim se “djemtë e detit” do ta arrijnë objektivin, ndërsa, sipas mesfushorit, me barazimin në Korçë, por edhe me gabimin e Flamurtarit skuadra ka hedhur një tjetër hap të rëndësishëm drejt objektivit. “Kampionatit po i vjen fundi dhe ne jemi në prag të arritjes së objektivit. Javët e fundit jemi përballur me skuadrat më të forta të kampionatit dhe prapëseprapë nuk e lëshuam vendin e dytë. Na kanë mbetur edhe disa ndeshje, mjaft të vështira do thosha unë, të cilat duhet t’i kalojmë me sukses. Këtë javë presim Kukësin dhe duhet të vazhdojmë me ritualin që kemi mbajtur gjatë fazës së dytë në ‘Niko Dovana’, ku kemi marrë vetëm fitore. Kukësi është një skuadër e re, por me paraqitjen e saj ka treguar se është e denjë për Superiore. Ajo është shumë e vështirë për t’u mundur, pasi në gjirin e saj ka lojtarë mjaft të mirë dhe të talentuar. Kështu që duhet ta marrim shumë seriozisht këtë përballje dhe të mundohemi të mos bëjmë asnjë gabim deri në fund”, – përfundoi Hyshmeri.

Previous articleXhafaj: Kisha emocione
Next articleNeuropsikiatri i parë shqiptar Dr.Mit Vokopola