Home Letersi Homazh pêr elitarizmin…

Homazh pêr elitarizmin…

pjeter caraNga Pjetër Cara / Prend Doçi e Bib Doda janë pjesa më dinjitoze e palcës mirditore dhe e thelbit të shqiptarizmit…

Kohët e fundit po gëzojnë dritën e botimit dy vepra me nivel të lartë për kulturën tonë kombëtare të autorit të talentuar, doktorit të shkencave Luigj Martini. Nga tematika e problematika e gjërë dhe nga volumi i madh i lëndës që trajtojnë, këto i kanë kaluar kufijtë e traditës së zhanrit të monografisë. Dhe serioziteti krijues me një erudicion të spikatur u dhuroi lexuesëve pothuajse dy “romane” krejt të veçanta e dinjitoze të karakterit historik, letrar dhe religjioz me titull “Abati i Mirditës– Prend Doçi” dhe princi i Gjonmarkajve “Bib Doda”. Prandaj përgjithësisht ngjet vërtetë, ashtu siç thekson profesori kosovar Salajdin Salihu, se “Libri është metaforë e jetës, rrezatues drite që nuk guxojmë ta humbim…Jeta e përgjithshme e njerëzimit është paluar në libër. Ai është gjurmë që ka lënë njeriu për ekzistencën e vet”. Pikërisht për këtë arësye, që në krye të këtyre vlerësimeve modeste, nuk mund t’i shmangem faktit mjaft inkurajues e njëherësh premtues, se çfarë e shtynë doktorin e shkencave të Kimisë e teknologjisë industriale të ecë në gjurmët e historisë lokale e kombëtare dhe të merret me studimin e aspekteve më të rëndësishme të saja, veçanërisht për ndriçimin e të kaluarës së lashtë pellazgo-ilire dhe të shekujve më të afërm të Mirditës, kur ai po debuton me shumë sukses në profesionin e tij me kërkime të ndryshme shkencore. Mishërimi në genet, në ndërgjegjen dhe në botëkuptimin e këtij autori: të ndjenjës së patriotizmit shekullor, të idealeve të shenjta kombëtare që liria e pavarësia të bulojnë si filiza të shëndetshëm për t’ ua përcjellur brezave përherë të freskëta dhe, të ndjenjës së përgjegjësisë qytetare për t’i ndriçuar bëmat heroike dhe figurat e shquara që u flijuan për dheun e të parëve, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike. Përkushtimi i mendjes së kultivuar dhe i talentit eruditiv krijues  shpërthyen suksesshëm për të marrë përsipër me vullnet e këmbëngulje përballjen me stuhitë e përgjakshme që e tronditën shekuj me radhë Mirditën e lashtë në rrugën e saj të mbijetesës. Guximi i tij i palodhur ka gërmuar e përvetësuar pirgje të tëra materialesh arkivore e studimore, duke hedhur dritë mbi shumë paqartësi e probleme historike që për arësye subjektive dhe objektive flinin në errësirën e kohës së shkuar me rrezikimin e mosnjohjes në detaje me të vërtetat e tyre shkencore e jetësore. Pasioni e vullneti kur kombinohen e ngjizen bukur me mençurinë dhe dashurinë, ato kthehen në një “kapsoll detonatori” për të ndezur dëshirat, perfeksionuar pikësynimet dhe kthjelluar objektivat që njerëzit e ditur i bëjnë gurë themeli të ecurisë së tyre në lëmejtë e shkencave të ndryshme. Përmbajtja e këtyre veprave historike flet pikërisht edhe për këto dy dhunti të inteligjencës së palodhur të kimistit Martini. Si çdo shkencë tjetër, edhe historia ka mjaft tema, probleme apo figura që nuk janë ndriçuar ende me trajtimin e mjaftueshëm dhe me shtjellimin e duhur shkencor. Prandaj këtu spikat veprimi i mençur i autorit për t’ iu përveshur shkencërisht ndriçimit të bëmave heroike e kulturore dhe diplomatike e religjioze të këtyre figurave elitare, të cilat janë të lidhura pazgjidhshmërisht me historinë e përmendur të trevës së Mirditës. Jo vetëm kaq. Bujaria e dhuntisë tjetër struket si një gjallesë e rinovuar te dashuria e ndrojtur e ish djaloshit shkodranë që në vitet ’60-të e lidhi të ardhmen e karrierës së tij me zulmën e lashtë e traditat e vyera të kësaj treve të pastër etnikisht dhe me vendlindjen e prelatit të Parasporës së Bulgërit e të princit të Oroshit. Dhe këtë dashuri të sinqertë të miqësisë tradicionale që i dhuroi Rubiku i xeherorëve e vëllazëria mirditore, ky studiues i palodhur e kompensoi me mirënjohjen intelektuale dhe thellsinë e diturisë së tij, duke përjetësuar kontributin elitar të dy martirëve historikë. Këto e të tjera cilësi individuale të studiuesit Luigj Martini përbëjnë thelbin e kësaj shtyse mjaft kurajoze, mbresëlënëse dhe të pasur me fakte të reja të trajtuara me kulturë letrare dhe me një përmbajtje të sinqertë që i ngjizet natyrshëm relativitetit të të vërtetave historike. Portretizimin e figurës së Abat Prend Doçit, autori e arrin me ravijëzimin e disa paraleleve më të qenësishme piketuese diturore, historike dhe shpirtërore, të cilat lindën e u rritën dhe kulmuan të mbrujtura brenda tharmit të realitetit historik të shekullit 19-të përmes zjarrit që ndezën ngjarjet e mëdha kundër robërisë Otomane dhe synimeve të reja gllabëruese ballkanike. Hulumtimi këmbëngulës me një pasion letrar mjaft të dukshëm artistik e njeh lexuesin dhe opinionin shoqëror me rrugën e shenjtë që nisi jetimi i vogël i Parasporës së dhèut të Bulgërit. Nga qëmtimi i kujdesshëm përshkruhen me realizëm vuajtjet e kësaj familje të varfër, cilësitë e prirjet e djaloshit dhe vitet e arsimimit, niveli i formimit kulturor dhe ngjitja e shkallëve të shugurimit në altaret e Krishtërimit të këtij prifti patriot. Nga ndjeshmëria e përgjegjësisë krijuese spikasin me ngjyra të forta zgjuarsia e mençuria sojnike dhe dashuria për vendlindjen, durimi e gjakftohtësia dhe heshtja njerëzore përthithëse e virtyteve kristiane, sa tingujt e kambanës së altarit të kultit katolik u bënë lajmëtare shprese e besimi dhe komunikimi të ëmbël shpirtëror me nënën e motrën e vetme, me vendlindjen e tij Mirditën dhe me besimtarët e tre kontinenteve, ku shërbej si bari i grixhës së shenjtë. Mungesën e ndikimeve e të prioriteteve të jashtme të jetës fëminore, lehtësimin sadopak të pasojave të varfërisë dhe të anktheve e streseve të vetmisë brenda kolegjeve fetare, u përpoq t’ ia davariste dashuria e bujaria humane e prelatëve kishtar vendas e të huaj, si e dom Bibës, monsinjor Bardhit e veçanërisht e arqipeshkëvit Pal Dodmasej, të cilët i kultivuan thellë etjen dhe zellin e pashuar për diturinë, kulturën e gjuhën shqipe dhe për çeshtjen kombëtare e besimin Katolik. Janë shumë kuptimplote këshillat e mësuesit të tij atdhetar Pal Dodmasej, i cili e porosiste vazhdimisht që “Lindëm në një vend të bukur, padrejtësisht të shtypur në mes të errësirës…, por nuk do të jetë i largët ndryshimi që do të na risjellë identitetin”. Përkushtimi i autorit e nxjerr të plotë shumanshmërinë elitare të këtij personaliteti më të rëndësishëm të kësaj treve kryengritëse për liri e pavarësi dhe mbrojtëse e flaktë e parimeve të besimit kristian. Komunikimi e mirëkuptimi i ngrohtë e parimor, besnikëria tradicionale dhe mprehtësia politike e manovrimi diplomatik ishin cilësi të thekura që e ngjitën atë në kulmet më të larta të politikës së kohës si personalitet autoritar me një dituri e ndikim të madh në zhvillimin e ngjarjeve të ndryshme për liri e pavarësi, për kulturën e gjuhën shqipe dhe për pajtimin, unitetin e bashkimin kombëtar të shqiptarëve. Me këto virtyte ai ju impunua qarqeve të ndryshme politike ballkanike dhe evropiane, duke zbuluar e në një farë mase edhe zbehur forcën e makinacioneve që ato thurnin e kurdisnin për realizimin e interesave të tyre në Shqipëri. Përpos këtyre shkathtësia e manovrimit diplomatik i dha mundësi të ndërhynte deri në instancat më të larta për të siguruar përfitime e mbështetje morale e politike, ekonomike e ushtarake, arsimore e kulturore dhe bashkëpunuese në të mirën e lëvizjeve e të organizimeve, të iniciativave e zhvillimeve dobiprurëse për Mirditën e mbarë vendin tonë. Në këtë fushë krahas të mirave që i siguronte ky autoritet i jashtëm mjaft ndikues e potencial për kohën, ai kuptonte e përpiqej me mundësitë e tija diturore e kishtare që t’i zbulonte e sqaronte dhe zhvlerësonte hiletë, makinacionet dhe interesat pragmatiste e asimiluese të fuqive të ndryshme për pushtimin, sundimin e shfrytëzimin e vendit tonë. Sa ato e kishin kuptuar e ia kishin frikën pushtetit të diturisë së tij, për të cilat intrigat e tyre djallëzore filluan me marifete klandestine ta injoronin e pengonin, shmangnin e izolonin derisa më në fund papritmas zhgënjimi dështues e shuajti përgjithmonë në altarin e abacisë së Oroshit. Mungesa dokumentare e pamjaftueshme ka krijuar boshllëqe e pamundësi për gjetjen e interpretimin e tyre. Pasi ish fuqitë ballkanike dhe evropiane që lidheshin me mbikëqyrjen e veprimtarisë së gjithanshme të tij ose të ndonjë tjetri, ende nuk i kanë hapur të gjitha arkivat sekrete për të dokumentuar akuzat e hidhura të kohës si “filo austriak apo malazez, si filo italian apo përkrahës i politikës së xhonturqve të ri” e të tjera. Një vërtetësi e tillë dokumentare pro ose kundër lidhjes së fshehtë me këto shtete, do ta sqaronte e lartësonte më së miri ende më shumë personalitetin e tij para opinionit të sotëm shqiptar. Meqë tanimë janë bërë bajate shpifje të tilla të dashakeqësisë apo të armiqësisë për figura të kalibrit kombëtar e ndërkombëtar, se gjoja ky ose akcili patriot “ishin shërbëtorë apo agjentë të të huajëve”. Megjithatë hulumtimi i sinqertë i Luigj Martinit e jep qartë faktin e pakundërshtueshëm historik se në ato situata të tensionuara e të pa barabarta ishte shkathtësi e mençuri diplomatike dhe kurajo e tepruar të lidhje marrëdhënie e të kërkoje ndihmë tek më i fuqishmi i kohës për t’u mbrojtur nga rreziqet që i kanoseshin lirisë e pavarësisë dhe zhvillimit koherent të mbarë vendit, pa marrë parasysh rreziqet dhe etikimet që mund t’u klithnin pas shpine. Madje diplomacinë vjeneze e bën të flasë me pahir studiuesi ynë në rastin kur ky prelat dha shpirt nga shkaqe të vërteta objektive e subjektive shëndetësore apo të improvizuara e të përshpejtuara nga censura pushtuese për ta hequr qafe sa më parë, ashtu siç u veprua haptazi me helmimin e princit të Gjonmarkajve. Reagimi cinik i ambasadorit të asaj kohe të perandorisë dualiste austriake ishte i menjëhershëm e realist se “Êshtë e vërtetë që imzot Doçi ka qenë kundërshtari im, por duhet pranuar e vërteta se ka qenë mendjehollë dhe shumë i zoti. Në ministrinë tonë ndoshta të gjithë nuk e kanë dashur, por të gjithë e kanë çmuar”.* Po të zbulohen edhe të tjera deklarime të tilla nga arkivat malazeze, italiane ose turke do të shuhej me turp çdo hamendësim, shpifje apo poshtërim që ka tentuar të vrugojë personalitete të tilla si Prend Doçi, Nikoll Kaçorri, Luigj Gurakuqi, Gjergj Fishta e të tjerë prelatë apo patriotë shqiptarë që u flijuan me patriotizmin e tyre për Shqipërinë në luftë dhëmb për dhëmb me politikat, synimet dhe agresionet ushtarake të atyre që kanë sulmuar e pushtuar vendin tonë nga lashtësia e deri në vitet ’40-të të shekullit të kaluar. Autori nuk harron pa theksuar as edhe dy nga karakteristikat kryesore të personalitetit të tij poliedrist. Atë të forcimit të unitetit e të bashkimit të vëllezërve të një gjaku jo vetëm kundër robërisë e synimeve pushtuese, por edhe për luftën kundër varfërisë e zhdukjen e zakoneve prapanike, pajtimin kombëtar dhe për zhvillimin arsimor e kulturor të mbarë popullit. Këtu spikasin qartazi dashuria e përkushtimi për ta paisur e zhvilluar gjuhën shqipe me alfabetin e saj, për të hartuar e shtupur dhe shpërndarë libra të ndryshme në një numër jo të vogël shkollash shqipe që i hapi me inisiativen e tij në juridiksionin e dioqezës se Oroshit, në krijimin e shoqërisë kulturore-artistike më të përparuarën e kohës, duke trajtuar problemet e gjuhës, të letërsisë e të kulturës kombëtare dhe të asaj religjioze me vënien e theksit në përhapjen e Krishtërimit, në organizimin e luftës për liri e pavarësi dhe në pajtimin e gjaqeve e për emancipimin shoqëror të Mirditës me rrethinat. Për këtë, si çdo udhëheqës e udhërrëfyes i denjtë atdhetar, ai ju drejtua popullit me organizmin e kuvendeve krahinore që të bashkëbisedonte ngrohtësisht me vëllezërit e etur për dije e përparim që të shëroheshin plagët e të shkuarës, si të egoizmit e përçarjes, të vetëgjygjësisë e të dhunës në familje, të përmirësimit të mënyrës së jetesës e të shkollimit me trinomin patriotik “fè e atdhte” dhe përparim e kulturim mbi gjithçka. Studiuesi i vëmendshëm, në çdo rast, me kujdesin e duhur paraqet në mënyrë realiste luftën e qarqeve të huaja dhe tendencat intriguese e ambicioze klerikale të brendshme për ta komprometuar e izoluar, penguar dhe zeruar vlerat e dukshme të patriotizmit e të kulturës eruditive e filozofike, arsimore dhe kishtare që prelati të dështonte në misionin politik, shoqëror dhe atdhetar. Kur intrigat, makinacionet dhe goditjet hileqare me prapaskena e kurthe intriguese nuk dhanë rezultatet që prisnin kundërshtarët dhe armiqtë, ato me brutalitetin e forcës e të ndërhyrjeve pushtuese e sunduese nuk lanë forma shantazhuese dhe mjete të egëra dhune represive pa përdorur që ta gjunjëzonin e poshtëronin, ta mundnin e largonin nga misioni i tij liridashës, atdhetar e përparimtar. Nëpërmjet fakteve dalin në pah format dhe egërsia e skajshme e persekutimit që u ushtrua vazhdimisht ndaj tij me izolim e internim, përjashtim nga urdhëri i shenjtë dhe burgim në Turqi e në Malin e Zi. Për gjithë këtë veprimtari patriotike, kulturore e kishtare poeti i madh Gjergj Fishta që varej si prift nga dioqeza e Abacisë së Oroshit, do të shprehej “I la nder vedit e nam kombit”.* Po ashtu, i gjetur e relativisht me vend, është cilësimi i shkruesit të parathënies së këtij libri, Kolec Çefa, i cili i përkufizon bukur disa tipare të abatit që hyri në histori për të mbetur si pinjoll i denjtë nga i cili ke se çfarë të mësosh, pasi ai “…jepte këshilla të mira, ishte udhërrëfyes i sigurtë, por edhe printe i pari. Ishte ma shumë prelat se luftëtar, ma shumë trim se guximtar, ma shumë burrë se trim. Paraqiti mjeshtërisht mendimin e zotimin kristian në politikë”.*Êshtë e nevojshme, madje me vend dhe në kohën e duhur që një studiues i mirënjohur, ndoshta jo mirditor, të merret me hulumtimin shkencor të veprimtarisë së gjithanëshme të oxhakut të Gjonmarkajve. Ky zotim do t’ ia rriste vlerat edhe historisë së Mirditës, pasi kjo hierarki princërore është e lidhur ngusht me ngjarje nga më të rëndësishmet e vendlindjes së saj. Një zbulim serioz e i sinqertë, një gërmim i thellë e përpunim i kujdesshëm i të dhënave arkivore të vendit e të huaja dhe një analizë metodologjike shkencore e fakteve apo e bëmave historike, politiko-shoqërore, institucionale kanunore dhe etnokulturore të veprimtarisë së pasur të kësaj dere që e udhëhoqi e drejtoi Mirditën shekuj me radhë, do t’i bënte nder të madh jo vetëm kapedanit, por të gjithë mirditorëve. Pasi jo pak kanë fryrë dallgë e stuhi të kohërave të ndryshme mbi ato saraje. Jo pak lidhje e marrëdhënie midis tij dhe forcave të ndryshme politike e ushtarake të brendshme e të jashtme kanë mbetur në errësirë pa u sqaruar mirë dobia apo efekti i kundërt i interesave personale e konjukturale. Jo pak lëvdata të personave të ndryshëm ose të lidhjeve nepotike kanë zënë vend në mediat tona e të huaja për lartësimin e këtij emëri të nderuar. Jo pak bëma patriotike e shoqërore dhe lokale e kombëtare kanë buruar nga oxhaku i Oroshit për mirditasit e mbarë popullin. Jo pak gurë e baltë është hedhur mbi fytyrën  e këtij oxhaku  të njohur nga vendasit dhe nga miqtë me një autoritet të përmendur historikisht. Jo pak represione e internime dhe burgosje e pushkatime kanë pësuar pinjollët dhe familjet e breznive të Gjonmarkajve! E drejta, paanësia dhe mirëkuptimi kurajoz flet pa dorashka edhe për ambicjen intriguese e verbuese të dinastive që e ka rënduar e vruguar ndërgjegjen e tyre me energji negative, se disa absurditete, paudhësina, farse alencash e marrëveshjesh të fshehta dhe krime të ndryshme brenda e jashtë fisit princëror janë kryer nga pjesëtarë të veçantë të këtij oxhaku në kohëra e rrethana të ndryshme historike e shoqërore. Prandaj iniciativa e studiuesit Luigj Martini është për t’u përshëndetur e stimuluar për largpamësinë e guximshme dhe qëllimin fisnik në përjetësimin e gjithçkaje të mirë që ky oxhak trashëgoi, e cila nga pluhuri i harresës, nga dashakeqësia e mosvlerësimi është parë bardhë e zi e jo me kolorin e ndritshëm që ka patur dhe tani po humbet e nuk njihet nga opinioni i brezave të sotëm e i atyre që do të vijnë. Kështu, autori në fjalë shkruan me shumë pasion krijues një libër dinjitoz me vlera të dukshme historike për princin e derës së Kapedanit të Oroshit, duke e vënë theksin fort në plagët, në bëmat heroike dhe në ngjarjet dramatike me të cilat u ndesh dhe i përballoi varfëria mirditore.Për krijimin e kompozimin e kësaj vepre autori heq disa paralele krahasimore, analizon me objektivitet e maturi shumë situata dinamike

të ngjarjeve të atyre viteve, zbulon e zbërthen qëllimet e prapaskenat dhe synimet e diplomacisë evropiane, duke nxjerrur deduksione me vlerë shkencore që i afrohen të vërtetës relative të historisë së kësaj krahine e të asaj mbarë kombëtare. Që mos të biemë në një përsëritje të pavend e të mërzitshme, po përpiqem të theksojë vetëm ajkën e thelbit të ideve të autorit, të cilat i ka zhvilluar me një pasion, dashuri e pjekuri eruditive, duke e lartësuar e bërë të njohur historinë kolektive të Mirditës me Oxhakun e Gjonmarkajve si lidership udhëheqës shekuj me radhë. Prandaj po mundohem të jap një panoramë sa më bindëse të përmbajtjes së kësaj vepre, të ravijëzuar bukur me gojën, mendjen dhe dorën e Luigj Martinit pa shtuar asgjë nga ana ime, e cila do të mbetet në arkivin e veprave të këtij zhanri për t’u lexuar me shumë interes nga brezat e sotëm e nga ata që do të vijnë. Konkretisht, dimensionet e veprimtarisë së Bibë Dodë Gjonmarkajt janë pjesa më me vlerë e enciklopedisë vitale, e karakterit heroik dhe e traditave virtuale të kësaj treve me akte trimërie që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë tonë kombëtare. Qëndresa e vendosur dhe e pamposhtur e mirditorëve nëpër shekuj nuk u përkul e nuk u zvetnua asnjë herë që të mos venitej e shuhej emëri i vendlindjes, i shqiptarisë dhe i Krishtërimit. Rënia e mbretërisë së lashtë iliriane solli pushtime të ndryshme dhe kryengritje të përgjakshme, duke e kushtëzuar jetën e stërgjyshëve tanë me vetëmbrojtjen në malet si kështjella që të mbijetonin në shekuj vetëm si partnerë me pushtuesit, për të ruajtur lirinë e pavarësinë, vlerat e katoloçizmit dhe të drejtat e tyre zakonore e tradicionale. Otomanët u bënë një faktor i rrezikshëm dhe të gatshëm për të ndërhyrë në çdo rast në konfliktet rajonale, duke rrezikuar seriozisht sundimin e familjeve veriore e jugore shqiptare. Disfata në betejën e Fushë-Kosovës, ku morën pjesë edhe krerët më të mëdhenjë të Gegërisë solli pasojën më të keqe: pushtimin e menjëhershëm të trevave shqiptare që në vitin 1380 dhe mbaroi në janarin e vitit 1479, d.m.th. brenda shekullit XIV e XV, duke humbur pavarësinë e tyre për shumë kohë dhe duke iu nënshtruar me dhunë reformave për islamizimin e besimit dhe të vendeve të kultit të Krishtërimit. Megjithatë mirditorët të etur për liri nuk pranuan nënshtrim as pazarllëk të Sulltanatit me rivalët e tij në kurriz të lirisë së Arbërisë, përveç ndonjë marrëveshje me leverdi reciproke për të drejtat e tyre. Prandaj siç thotë profesor dhe akademik Mark Tirta, “Mirdita është një nga krahinat më të unifikuara e më të njësuara në trojet shqiptare me një status tepër të përcaktuar, me doke e tradita dhe…me të drejtën popullore…që filloi të duket…herët në mesjetë me emërtime të ndryshme, ndonëse është bërthamë e Dukagjinit mesjetar”.Studiuesi Luigj Martini e vën theksin te karakteristikat më të qenësishme të mirditorëve: te pushteti i popullit me unitet e besnikëri dhe vetëqeverisje e bashkim vëllazëror sipas dokeve pa dallim fisesh e bajraqesh në organizimin e kuvendeve popullore për të gjitha problemet, rreziqet dhe nevojat e domosdoshme që u dilnin ose u imponin situatat dhe koniukturat politike, ushtarake dhe ekonomike me qëllim që t’i përballonin ato me dinjitet dhe me sa më pak humbje ose me fitore të qëndrueshme. Kështu, Mirdita është ruajtur dhe u është shmangur duke i bërë të paefektshme dy metodat asimiluese të Sulltanatit, përveç rastit të Preng Bib Dodës: atë të komprometimit e mashtrimit me anë të dhënies së pronave në përdorim dhe të marrjes peng e të islamizimit të fëmijëve të vegjël të krerëve të pabindur vendaspër t’i përgatitur në oborrin e Sulltanit si kuadra për shtetin Osman. Prandaj dalja në opinion, organizimi e drejtimi dhe fitimi i statusit të trashëgimisë u bë me luftë të pandërprerë të derës princërore të Gjonmarkajve si lidër udhëheqës me kompetenca maksimale drejtësie në zgjidhjen e problemeve kanunore në krye të mirditorëveqë të ruanin vetëqeverisjen dhe autonominë tradicionale të trevës së tyre kundër synimeve grabitqare dhe perandorisë Otomane, pa u lidhur asnjë herë me armiqtë e saj. Rritja e popullaritetit princëror, fitimi i një pozite të veçantë, dëgjimi e pranimi i mençurisë e i ndihmesës së saj për zgjidhjen e shumë problemeve e përballimin e konflikteve të kohës ishin një kusht i domosdoshëm që buronte nga zhvillimet dhe konjukturat politike të çdo epoke historike. Kështu, dera e Gjonmarkajve me pinjollët e beznive të saja u kthye në lider udhërrëfyes e në simbol uniteti për Mirditën me një rol kryesor në organizimin e bashkimin krahinor të bajraqeve, të kuvendeve e besëlidhjeve populloredhe religjiozepër mbrojtjen e lirisë, të interesave autonome dhe të besimit katolik. Prandaj ka spikatur dallimi dhe bërja emër e Marka Gjonit të parë, e Lleshit të Zi, e Dodë Prengës, e Preng Markolës, e Bibë Dodës me banim në Orosh dhe e Gjon Pjetër Gjonmarkajt në Itali, ë Ndue Gjon Markut në SHBA, e vëllezërve Bardhok e Mark Bibës, e Prena Preng Kolës, e Pal Gjokës apo e mësueses së merituar Marie Biba me banim në Rrëshen dhe e martires Bardhe Gjonmarkaj, e murgeshës Marie dhe e dy infermiereve të spitalit të qytetit verior si bija të këtij oxhaku me banim në Shkodër, të cilët u dalluan për trimëri e mençuri, intelektualizëm e përparim, emancipim e humanizëm,besnikëri dhe unitet në dhënien e kontributit të tyre patriotik e atdhetar dhe kulturor e shoqëror që liria, pavarësia e shtetformimi të mos cënoheshin asnjëherë nga askush, duke ruajtuar lidhjet me lashtësinë etnokulturore e tradicionale mirditore e kombëtare. Në këto kushte e rrethana historike dolën dy pinjoll të vetëm të këtij oxhaku Bib Dodë Prenga dhe Gjon Mark Lleshi, si më të aftit që mund të udhëhiqnin mirditorët rreth viteve 1840-1868. Midis tyre, autori shquan personazhin kryesor të këtij libri, i cili që në moshën 13 vjeçare kishte mësuar artin e luftimit në stërvitjet e garnizonit turk të Shkodrës, sa 4 vjet më vonë me gradën e majorit kthehet e merr drejtimin e derës së Gjonmarkut dhe të krejt Mirditës, pas miratimit e besimit që i dha kuvendi i përgjithshëm tradicional i mirditorëve, si institucioni me aftësi të spikatura shtetformuese. Veprimtaria e tij karakterizohet nga fryma krenare e pavarësisë prej pushtetit Osman, nga organizimi i shpejtë i jetës shoqërore duke respektuar normat e traditat shekullore të vendlindjes së tij, nga pastrimi e mbrojtja e besimit katolik prej presionit e trysnisë së jashtme dhe të faktorëve shpërbërës të brendshëm duke ruajtur lidhjet e partneritetit me Portën e lartë. Po ashtu në atë veprimtari mishëroheshin zgjuarsia e dinakëria e tij me një politikë elastike me të krishterët e Mali të Zi me gjithë kontradiktat antishqiptare që zienin midis tyre, përgatitja e organizmi i luftërave kundër të njëjtit pushtues, përballja sakrifikuese me shumë probleme të varfërisë mirditore, me reformat e krizën copëtuese të perandorisë Otomane dhe me garën grindavece e qëllimkeqe të fuqive të mëdha që synonin copëzimin e Shqipërisë veriore e jugore, duke i dështuar përpjekjet dinake të Sulltanatit perandorak për centralizimin e politikës së tij. Me të drejtë autori konkludon, se në pjesën e parë të shek.19-të fuqitë e mëdha evropiane Rusia e Austria, Franca e Anglia në aleancë edhe me Portën e lartë ndihmuan me të gjitha mjetet për konfigurimin e shteteve ballkanike e të Malit të Zi në kurriz të gllabërimit të tokave shqiptare, duke penguar edhe bashkimin e kombit tonë brenda territoreve të veta. Pra, fundin e këtij shekulli e prekën ngjarje të rënda dramatike, si acarimi i kontradiktave midis fuqive të mëdha lidhur me përpjekjet e Rusisë për krijimin e mbretërisë sllave evropiane edhe brenda territoreve turke, përvetësimi i trashëgimisë së perandorisë Osmane gjithnjë në rënie, ashpërsimi i kryengritjeve shqiptare kundër politikës centralizuese të Sulltanatit dhe përpjekjet e shteteve të Ballkanit për t’i përdorur lëvizjet dhe qëndresën e shqiptarëve kundër të “sëmurës së Bosforit” që kishte marrë teposhten e pandalshme, për kënaqjen e interesave të tyre gllabëruese. Në qendër të kësaj politike qëndronte autonomia e Mirditës e udhëhequr nga Bibë Doda i kërcnuar në fshehtësi nga lakmitë e tendencat e rrymave politike shoviniste dhe nga konfliktet kufitare midis malsorëve shqiptar të kurdisura nga pushtuesi dhe fqinjët sllav, për evitimin e të cilave ra në marrëveshje me Malin e Zi (prapa të cilit qëndronte Serbia) që të luftonte Turqinë. Veçse ato nuk u zbatuan nga ana e tyre. Në të njëjtën kohë perandoria Osmane e zbuti qëndrimin, hoqi dorë përkohësisht nga reformat e tanzimatit dhe e ftoi Bibë Dodën që të komandonte një forcë të madhe ushtarake, duke e graduar atë “Pasha” (gjeneral brigade). Por ai ruajti pavarësinë dhe politikën e tij vetëmbrojtëse me aleanca të ndërsjellta në dobi të Mirditës. Kështu që Bibë Doda me trimat mirditorë luftoi në territorin malazez, duke mbajtur peshën kryesore në luftimet turko-sllave, për të ndaluar zgjërimin e pushtimeve të tyre në Mirditë e në Shqipëri dhe për të shpëtuar forcat e të dy palëve nga shkatërrimi, duke qenë nën presionin efuqive të mëdha që nuk e dëshironin copëtimin e perandorisë Osmane dhe të Rusisë, e cilae përjashtonte mundësinë e krijimit të shtetit të pavarur shqiptar. Por princi në fjalë në krye të trimave të tij luftuan me sukses edhe në luftën ruso-turke, duke korrur fitore si heronjë të vërtetë kundër ushtrive të Car Nikollës në betejën e Krimesë, të Sevastopolit e të ishullit Kama, emëri i të cilëve u lakua me respekt e mirënjohje nga kancelaritë diplomatike, duke u shpërblyer me stimuj trimërie nga Porta e Lartë. Megjithatë Bibë Doda u ftoh nga djallëzitë e Sulltanatit për nënshtrimin dhe pushtimin e Mirditës me forma nga më të kamufluarat. Përveç interesave ballkanike, u shfaq edhe interesi i diplomacisë franceze e austriake për këtë trevë dhe princin e saj që ta bënin atë principatë autonome, duke i dhënë atij titullin “Princi i Mirditës” nga Napoleoni i tretë me të cilin e njihte Mirditën krahinë të pavarur. Në këtë kohë pjekuria e tij arrin pikën kulminante me nuhatje të hollë politike, me zgjuarsi në shfrytëzimin e situatave politike, me shfaqjen atje ku duhej i heshtur e i matur, mjeshtër i fjalës me disa kuptime dhe një krenar i vëmendshëm, por edhe uragan i prerë e kapadai dhe gjithmonë origjinal. Kjo i tërhoqi vëmendjen Portës së lartë, e cila nuk kishte hequr dorë nga nënshtrimi e pushtimi i Mirditës dhe që të mos i dilte nga dora, djallëzia mendoi ta eliminonte nga skena politike e roli udhëheqës kapedanin trim Bibë Doda. Kështu Omer Pasha, i çarmatosi e u hoqi uniformën luftëtarëve mirditorë e shqiptarë dhe një pjesë i kthej në vendlindje, me qëllim që t’i ngrinte kundër princit udhëheqës e komandant të tyre, duke e konsideruar si rival të rrezikshëm me një popullaritet të madh brenda e jashtë vendit që ngrinte peshë gjithë Mirditën. Kjo alibi intriguese u keqkuptua dhe bëri efektin e duhur negativ te luftëtarët mirditorë, duke e shmangur kapedanin e tyre Bibë Dodën, i cili u ndje mjaft i tradhëtuar.Ndërhyrja e fuqive të mëdha i pajtoi mirditorët me Portën e Lartë dhe me princin e tyre me kusht që t’u ktheheshin armët një pjese të forcave ushtarake dhe atyre të painkuadruara, t’u paguheshin rrogat si trupa të luftës ruso-turke dhe të mos sulmoheshin banorët e fushës e të lejohej kalimi i lirë i banorëve të maleve, të Kthellës e Selitës. Pasojat e luftës ruso-turke i shfrytëzuan fuqitë evropiane dhe shetet ballkanike për interesat e tyre konçensionare territoriale kundër lindjes, të cilat filluan bisedimet dhe përgatitjet luftarake për të realizuar synimet pushtuese. Në këto kushte politike të mbarsura me konflikte të pabesa,nga mendimtarët e Rilindjes kombëtare shtrihej e forcohej edhe lëvizja çlirimtare shqiptare për sigurimin e autonomisë në kuadrin e mbrojtjes së perandorisë Osmane, si parakusht për arritjen e pavarësisë së plotë. Por Bibë Doda e nuhati erën e kësaj politike dhe nuk priti prej saj ndonjë gjë vendimtare për të drejtat e Mirditës dhe reagoi haptazi ndaj çdo vartësie nga guvernatorët turq të Shkodrës. Traktati i Parisit e ndezi më tepër gjendjen politike në rajonet Shqipëri-Mali i Zi-Bosje-Hercegovinë, duke krijuar pakënaqësi për vendimet e tija. Në atë kohë pashallëku i Shkodrës kishte mbetur në gjendjen e viteve të mëparëshme, pasi nga qeveria nuk ishin bërë reforma administrative, konfliktet midis mirditorëve e Portës së Lartë dhe Malit të Zi ishin gati të shpërthenin meqë marrëdhëniet midis tyre ishin heshtazi të acaruara me një urrejtje të dukshme kundër robërisë turke nga egoizmi e armiqësia, shpirtligësia e korrupsioni dhe pabarazitë e padrejtësitë që shfaqte qeverisja e administratës lokale të perandorisë. Bibë Doda mori pjesë në luftimet kundër Malit të Zi me 2000 luftëtarë mirditorë përkrah forcave të krahinave të tjera shqiptare bashkë me ato të Omer Pashës turk. Gjendja u qetësua nga fuqitë e mëdha dhe Rusia. Për shkaqet që e shtynin princin me luftëtarët mirditorë në këto konflikte rajonale, autori e ven theksin te prirja luftarake dhe fryma krenare për pavarësinë e krahinës së tyre, te qenia sojnike e perfeksionuar në artin e luftimit që të përballonin varfërinë, si mercenar për të siguruar burime të ardhurash për mbijetesë, duke pohuar ekzistencën e popullit heroik shqiptar që për disa shtete si Rusia nuk duhej të ekzistonte, por të copëtohej midis vendeve ballkanike. Gjendja e rëndë ekonomike e shpirtërore, shoqërore dhe administrative e Mirditës pas luftës së Krimesë u reflektua jo vetëm në personalitetin e Bibë Dodës, por edhe në atë të luftëtarëve mirditorë të faruar nga luftërat. Kjo situatë kishte krijuar një hendek e një largësi midis Mirditës e Portës së Lartë, pavarësisht se ajo me miratimin e princit paguante një tubë zaptishë nën urdhërat e gjeneralit mirditorë të varur nga Stambolli e jo nga Shkodra, të cilët me zgjuarsinë, nuhatjen e hollë dhe guximin e trimërinë e tyre kishin tërhequr vëmendjen e fuqive të mëdha evropiane e të shteteve ballkanike. Megjithatë gradimi i tij i lartë me përfitimet që merrte dhe qëndrimi në rehatinë e shtëpisë së tij për një kohë të gjatë në Shkodër, e larguan atë nga ndërgjegjeja e zemra e bashkëluftëtarëve mirditorë. “Ai sa mori vesh për tensionin e lartë midis Portës së Lartë dhe perandorisë franceze, me një letër shprehte pëlqimin që vihej në dispozicion të Francës me gjithë armët e mirditorëve të tij në luftë kundër Turqisë, duke i harruar nderet e mirënjohjet që i kishte bërë Sulltani”- thekson konsulli austriak në Shkodër drejtuar eprorëve të tij në Vjenë. Pra, Bibë Doda ishte gati t’i vinte pushkën Portës së Lartë. Mirëpo në rrethin e afërm të kapedan Bibë Dodës kishin ndodhur disa ndryshime nga sjellja e qëndrimi i tij që i nështrohej një kritike politike të pamëshirshme, për grindjet me sekretarin e tij dhe me Abatin e Oroshit në të cilat u përfshinë përkrahësit e kapedanit, pashallarët e Shkodrës dhe autoritetet e kishës e të Vatikanit. Ato grindje e përfolnin princin si i shitun te Stambolli që kishte tradhtuar vendin e kanunin e Mirditës që kur kishte pranuar pashallëkun dhe formimin e një grupi xhandarmërie nën urdhërat e Portës së Lartë për qeverisjen e kësaj treve autonome. Synimi ishte i qartë të ngrinin mirditorët kundër kapedanit dhe udhëheqësit të tyre. Në këtë gjendje të rëndë shpirtërore, tëftohur me Turqinëdhe të zemëruar nga brenda me bashkëluftëtarët, e gjeti lëvizja e Mirditës në pranverën e vitit 1862 e organizuar nga abati Gaspër Krasniqi, ipeshkëvi i Lezhës Pal Dodmasej, Zef Jubani sekretar i konsullatës franceze dhe Pashko Vasa sekretar i guvernatorit të Shkodrës, e cila u zhvillua në kuadrin e lëvizjeve për çlirimin kombëtar që zhvilloheshin në shumë vende fqinjë kundër pushtimit Osman. Megjithatë Bibë Doda qëndroi i tërhequr e nuk e përkrahu këtë nismë në kuvendin e Shpalit dhe nuku deklarua për të marrë pjesë me pretekstin e kohës së papërshtatshme, të përgatitjes serioze të ushtrisë turke me mijëra forca, të pamundësisë së rezistencës të trevave të tjera shqiptare t’i përballonin sulmet osmane dhe për shkak të pengesave që nxirrnin fuqitë e mëdha përkrahëse të Portës së Lartë, në veçanti Austria. Prandajzërat se ai i kishte premtuar Portës së Lartë që në rast të shpërthimit të luftës nga ana e saj me Malin e Zi, do të ndihmonte me disa mijëra ushtarë nga forcat e tija ushtarake, ishin bërë të ditur me kohë në marrëveshjet e para të Mirditës me këtë fuqi pushtuese. Pastaj disa forca të parregullta vepronin në ndihmë të cilitdo që i paguante më mirë në luftimet e kryera ndaj kujtdo qofshin ata. Në këto situata shpërtheu një konflikt i ashpër midis Bibë Dodës e luftëtarëve mirditorë, shumica e të cilëve doli kundër tij dhe e akuzoi për përfitime në kurriz të tyre e përvetësim të rrogave të vullnetarëve në luftimet e mëparëshme dhe i vunë zjarrin rezidencës së tij në Kallmet të Lezhës. Kapedani u tërhoq në shtëpinë e tij në Shkodër meqë ishte marrë vesh larg syve të njerëzisë me konsullin francez për të mos ndihmuar Turqinë kundër malazezëve. Meqë heshtja e tij synonte të mos komprometonte figurën si mbështetës i Turqisë as mos të privonte përfitimet që merrte nga ajo, pasi ishte\ akuzuar nga konsulli austriak dheai anglez si “autor i të gjitha intrigave revolucionare”. Poredhe malsorët heshtën në krahinën e tyre, duke mos dërguar forca në ndihmë të Portës për të luftuar me Malin e Zi, sepse abat Krasniqi me konsullin francez bënë një propagandë të madhe që mirditorët të mos merrnin pjesë në këto luftime.Situatën e ndezën flakë intrigat e kurtheve diplomatike të fuqive të mëdha për interesat e tyre dhe për mbrojtjen e Portës e të Malit të Zi, acarimi i marrëdhënieve të organeve lokale të qeverisjes turke të Shkodrës me konsujt e fuqive të mëdha, ashpërsimi i skajshëm i qëndrimit të papajtueshëm luftarak dhe i pakënaqësive të klerit katolik për arrestimin e Abat Krasniqit nga forcat turke e më pas strehimi i tij politik në konsullatën franceze, përzënien në Vatikan të ipeshkëvit Pal Dodmasej, mbylljen e abacisë e të kishës së Zadrimës nga autoritetet turke dhe dalja dëshmitar i kapedanit Bibë Doda kundër abatit të Oroshit Gaspër Kraniqi si shkaktar i organizimit të lëvizjes së Mirditës.Qeveria Otomane e zhbllokon situatën duke pushuar Bibë Dodën si pasha për shpifjen ndaj abat Krasniqit e mos dërgimin e ushtarëve në ndihmë të luftimeve turke-malazeze e zëvendësimin e tij me Mark Dodën, kthimin e abatit në Orosh e të priftërinjve të tjerë në kishat e tyre, pagimin e një dëmshpërblimi për cënimin e nderit të tij e të gjithë klerikëve katolik, pezullimin e çdo procesi kundër priftërinjve dhe të ngrihej e përshëndetej flamuri i Francës e të fillonin marrëdhëniet diplomatike rregullisht midis organeve lokale të Shkodrës e konsullit francez.
Vijon…

Previous articleThaçi: Është koha për marrëveshje paqësore
Next articleMancaku: Teuta do të jetë nënkampione