Home Slideri Historia e rrallë e emigrantit të anijes “Vlora”: Arrita në Itali duke...

Historia e rrallë e emigrantit të anijes “Vlora”: Arrita në Itali duke ngrënë sheqer!

31 vjet më parë mijëra shqiptarë hipën në bordin e anijes “Vlora” për t’u nisur drejt ëndrrës së madhe të lirisë, drejt Italisë. Pa e ditur ata shkruan historinë e dy vendeve.

Në një rrëfim ekskluziv për Dritare Tv, Bexhet Braho, emigrant shqiptar në Itali, i ftuar ne rubrikën “Kjo është jeta ime” të emisionit “Shqip” nga Rudina Xhunga, tregoi eksperiencën e tij në anijen Vlora.

Ai tregoi se si emigroi në Itali në vitin e largët 1991 me anijen e famshme “Vlora” dhe vështirësitë që kaloi që nga nisja e anijes “Vlora” nga Durrësi në 7 gusht 1991 deri në arritjen në tokën italiane, ku tashmë aty ishte një emigrant që përpara e priste një sfidë aspak e lehtë.

“Isha rastësisht në Tiranë dhe vrapova drejt Durrësit te anija “Vlora”. Anija ishte në portin e Durrësit dhe sapo kishte ardhur nga Kuba dhe ishte e mbushur me sheqer dhe pritej të shkarkohej sheqeri. Flasim për datën 7 gusht të vitit 1991. Në atë kohë u hap lajmi që me vrap të gjithë te anija se do niset anija “Vlora” në drejtim të Italisë. Unë me vrap shkova në Durrës dhe u ngjita lart në anije si të gjithë shqiptarët e tjerë. Isha 24 vjeç dhe hipa në anijen “Vlora”, ishim rreth 12 mijë njerëz, më vonë në Bari pas regjistrimeve që na bënë ishim 19 mijë njerëz, anija kishte dhe hambarët poshtë që kishin hyrë njerëz, pothuajse ishim shumë të ngjeshur në anije.

Kur hipa në anijen bëra miq disa djem nga Dibra. Udhëtimi zgjati 24 orë, arritëm në Brindisi, por nuk na pranuan. Kapiteni i anijes shkoi drejt Barit dhe mbërritëm në 11 të ditë. Ndaluam në Bari, ishte e tmerrshme pasi mijëra njerëz u hodhën në det që të largoheshin. Kur pamë italianët që nuk na shihnin me buzëqeshje, por me përbuzje e kuptuam që do ta kishim të vështirë. Pasi mbërritëm në Bari erdhën autobusët e parë, na hipën ne autobus dhe nuk na thanë asgjë, vetëm kur pashë që përfunduam në stadiumin e vjetër të Barit. Kishim etje për ujë, kishim shumë pa pirë ujë dhe kishim ngrënë vetëm sheqer në anije se anija ishte e mbushur me sheqer dhe sheqerin e hëngrëm rrugës. Në fillim hëngrëm sheqerin dhe pastaj na thanë që mbaroi uji dhe kujdes mos hani më sheqer dhe më pas njerëzit në anije nuk hëngrën më sheqer, por ishim edhe pa ujë.

Pra, kur na futën në stadiumin e Barit gabimi parë që bëra ishin ato gomat e ujit që ujisnin fushën dhe unë për fat të keq hapa rubinetin dhe piva ujë. Sapo piva ujë fillova të ndjej një dhimbje dhëmballe, ishte ujë çezme që ujitej fusha. Ndërkohë në stadium vinin autobus pas autobusi dhe po shtoheshim dhe erdhën rreth 15 mijë veta dhe stadiumi u mbush plot dhe aty erdhën Policia Italiane dhe Kryqi i Kuq. Aty në filluam të rebeloheshim, aq sa u detyruan karabinierët të lënë stadiumin dhe të ikin dhe na lanë në mëshirë të fatit dhe nuk na dhanë as për të ngrënë dhe as për të pirë”, u shpreh Bexhet Braho.

Previous articleVrasja në Maliq, flet vëllai i autorit: Më vjen turp, ata kanë qenë miq. Fqinjët: Shkak u bënë qentë
Next articleDigjen disa hektarë me pyje në Memaliaj