Home Kosova Helmimi i 26 numëruesve në Kosovë, reagon Lëvizja Vetëvendosje

Helmimi i 26 numëruesve në Kosovë, reagon Lëvizja Vetëvendosje

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar në lidhje me helmimin e 26 numëruesve të votave në Kosovë. Ajo i bën thirrje autoriteteve të hetojnë këtë ngjarje si dhe mënyrën e ardhjes së pakove nga Serbia të cilën ata e cilësojnë të jashtëligjshme.

“Helmimi i punonjësve të operacionit të votimit përmes postës ka shqetësuar familjarët e stafit, por edhe opinionin publik. Autoritetet shtetërore duhet të hetojnë shkaqet e këtij helmimi, ashtu siç duhet të hetojnë pakot e ardhura nga Serbia në mënyrë të organizuar nga shteti i Serbisë.

Këto pako me fletëvotime nuk kanë ardhur përmes postës, ashtu siç e kërkon ligji për zgjedhje, por janë sjellë kundërligjshëm nga zyra ndërlidhëse e Serbisë.

Këto fletëvotime të sjellura kundërligjshëm duhet të refuzohen. Ndërsa shërbimi profesional i KQZ-së duhet ta vazhdojë punën në vlerësimin dhe numërimin e saktë të votave të ardhura nga mërgata.

Pakot me fletëvotime të dërguara nga bashkatdhetarët, e të cilat janë verifikuar dhe vlerësuar, duhet të dërgohen në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve për t’u numëruar”, shkruhet në njoftimin e VV-së.

26 persona janë helmuar mëngjesin e sotëm në Qendrën e Numërimit të Votave në Kosovë ndërsa numëroheshin votat në zarfe të ardhura nga diaspora. Numëruesit janë ndjerë keq me skuqje në duar dhe fytyrë kur kanë hapur 5 kutitë e ardhura nga Serbia.

Drejtori i ashtuquajturës Zyrës për Kosovë në Qeverinë serbe, Marko Gjuriç u shpreh se është duke u përgatitur manipulimi me votat e serbëve në Kosovë, me qëllim që me çdo kush në Kuvendin e Kosovës, pavarësisht vullnetit të serbëve, të futen “serbët e Kurtit”.