Home Slideri Hasanbelliu: Ndeshja me Tiranën nga më të rëndësishmet për sezonin

Hasanbelliu: Ndeshja me Tiranën nga më të rëndësishmet për sezonin

hasanbelliu (1)Teuta i ka kryer mirë “detyrat e shtëpisë”, duke marrë dy fitore në dy javët e para të fazës së dytë. Tashmë diferenca me Skënderbeun kryesues është 7 pikë, ndërsa vendi i tretë, që mbahet nga Flamurtari, është 4 pikë pas. Në përballjen ndaj Shkumbinit, bregdetarët bënë një lojë të pëlqyeshme, por ndaj Luftëtarit ata hasën vështirësi, më shumë si pasojë e lojës së saj se për meritë të kundërshtarit. Presidenti i Teutës, Edmond Hasanbelliu, është shprehur se ndjehet i kënaqur për pikët e plota, pavarësisht se loja ndaj gjirokastritëve nuk ka qenë në nivelet që pritej. “E kemi nisur mirë me Shkumbinin, ku skuadra bëri një lojë të mirë, por ndaj Luftëtarit u deshën golat e Daniel Xhafës, që të merrnim trepikëshin”, – tha presidenti Hasanbelliu. Në fundjavë, Teuta do të luajë transfertën e parë, nën drejtimin e Maganit, pikërisht ndaj një kundërshtari direkt për vendin e dytë, Tiranës. “Tani nisin dhe provat e vërteta për ekipin, me Tiranën në kryeqytet. Në këtë ndeshje do të luajmë gjithçka, ku objektivi ynë është fitorja. Do të jetë një ndeshje e fortë dhe shumë e rëndësishme, pasi distanca prej 4 pikësh nga vendi i tretë nuk mund të quhet shumë e madhe, pasi një humbje mund të na zbresë shumë në renditje”, – ka shtuar presidenti durrsak, i cili nënvizon se arritja e kreut mbetet qëllim në vetvete. “Arritja e korçarëve mbetet qëllimi ynë. E kemi reduktuar diferencën, por kjo diferencë mund të reduktohej edhe më shumë, nëse Skënderbeu do ndalej në Fier, ku nuk luajti mirë. Gjithsesi, Teuta duhet të shikojë ndeshjet e saj, duke nisur që nga kjo fundjavë ndaj Tiranës”, – u shpreh në fund presidenti Hasanbelliu. Pas transfertës me Tiranën, ekipi bregdetar do të presë në “Niko Dovana” skuadrën e Besës, që nuk po kalon momente pozitive.

Previous articleTestamentin e lotit nuk e tresin shekujt
Next articleVeliaj: Me tiranën një finale e vërtetë