Home Kulture Hapet tenderi 8.8 mln euro për ndërtimin e Teatrit të ri të...

Hapet tenderi 8.8 mln euro për ndërtimin e Teatrit të ri të Kukullave tek ‘Garda’, brenda ndërtesës 8-katëshe edhe Qendra Kombëtare e Kulturës për Fëmijë

Tirana do të ketë një teatër të ri kukullash dhe një qendër kulture të re për fëmijë. Ministria e Kulturës ka hapur tenderin për ndërtimin e një qendre të re multi-funksionale në funksion të së ardhmes së edukimit artistik të fëmijëve në kryeqytet, pranë qendrës Kombëtare të Kulturës për Fëmijë dhe Teatrit të Kukullave. Vlera e tenderit është mbi 1 miliardë lekë (1,035,362,461) pa TVSH, dhe të gjitha kompanitë duhet të dorëzojnë ofertat e tyre deri në 15 shtator të këtij viti. Në dokumente thuhet se afati për zbatimin e kontratës pas nënshkrimit të saj është 24 muaj.

“Ministria e Kulturës do të investojë në ndërtimin e një objekti/qendre të re multifunksionale në funksion të së ardhmes së edukimit artistik të fëmijëve në kryeqytet, pranë qendrës Kombëtare të Kulturës për Fëmijë dhe Teatrit të Kukullave. Detyra e Projektimit konsiston në ndërtim nga fillimi të objektit të ri për Qendrën Kombëtare të kulturës për Fëmijë dhe Teatrin e Kukullave i cili do të strehojë në një ndërtesë të vetme, të re, të dy institucionet që deri sot funksionojnë në dy godina të veçanta”, thuhet në dokumentet e tenderit.

Projekti konsiston në ndërtimin e një teatri të ri në Tiranë me 8 kate mbi tokë dhe një nën tokë, me një sipërfaqe prej 8000 metër katrorë mbi tokë dhe 1000 metër katrorë nëntokë, ku struktura e godinës do të jetë betonarme dhe me sistem antisizmik. Zona në të cilën objekti i ri do të pozicionohet është pranë Parkut të Liqenit përgjatë rrugës Dora D’istria, përpara kryqëzimit me rrugën Sami Frashëri. Aktualisht kjo hapësirë është zone e gjelbëruar me e sipërfaqe rreth 1 hektar.

Shkak për këtë investim të ri në zemër të Tiranës, është bërë kapaciteti i mjaftueshëm për të zhvilluar shfaqe dhe për të ofruar shërbimet kulturore të nevojshme për qytetarët si dhe distanca që kanë këto dy godina nga njëra tjetra, pasi Teatri i Kukullave është pranë Sheshit Skënderbej, ndërsa Qendra Kombëtare e Fëmijëve ndodhet në Kinostudio.

“Teatri i Kukullave do te zgjeroje kapacitetin e tij, duke shtuar postet e frekuentuesve, si dhe  ka nevoje te shtohet me një dhomë performancash, një dhomë punëtorie dhe një dhomë  provash e cila mund të shërbejë si një ambient fleksibël edhe për nevoja te tjera. Do të  mund të shndërrojë Teatrin e Kukullave në një qendër të bollshme dhe të adaptueshme si  një Qendër Kulturore për Fëmijë, e shkrirë me parkun. Teatri i Kukullave do të përmirësohet në një Qendër të plotë  dhe fleksibël për Kulturën për Fëmijë, e ngulitur dhe në lidhje të ngushtë me parkun e  gjelbër publik të zgjeruar”, thuhet në argumentimin e projektit.

Aktualisht sipërfaqja e Teatrit të Kukullave është 800 metër katrorë dhe ka 160 vende, ndërsa Qendra Kombëtare e Kulturës për Fëmijë është 600 metër katrorë. Ministria e Kulturës thotë se përpos shtimit të sipërfaqeve, synimi është kthimi i teatrit të Kukullave në nj hapësirë fleksibël, të lirë dhe mikpritëse për performancë, prodhim, eksperiment,  pavarësisht nga lloji i aktivitetit kulturor, me fokus fëmijët dhe zhvillimin e tyre artistik.

“Planifikimi i hapësirave të reja të  nevojshme do të ofrojnë sipërfaqe të mjaftueshme, që përballojnë kapacitetin e parashikuar  si dhe ambiente të cilat plotësojnë kushtet teknike. Salla e re e propozuar pothuajse  dyfishon kapacitetin e teatrit aktual të kukullave në ish‐parlamentin, pa llogaritur vendet e  jashtme që mund të përdoren edhe për sallën e postës, por mbi të gjitha, salla e re  profesionalizon ‘pjesën e pasme të shtëpisë’ sipas standardeve ndërkombëtare”, vijon më tej projekti.

Me këtë projekt të ri, Ministria e Kulturës thotë se Tirana do të kthehet në një referencë edhe për vendet evropiane.

“Me Teatrin e ardhshëm të Kukullave, Tirana pritet të bëhet një referencë qendrore dhe e  njohur ndërkombëtare për artin e kukullave, një vend rrezatues krijimi, një kryeqytet me një  nga ambientet më dinamike dhe më krijuese të kukullave në Ballkan dhe në atë evropian”, thuhet në raportin arkitektonik të tenderit.