Home Kosova Gllogjan/ Gjashtë ditë nga vrasja e trefishtë, ende asnjë i arrestuar

Gllogjan/ Gjashtë ditë nga vrasja e trefishtë, ende asnjë i arrestuar

Sot janë bërë gjashtë ditë nga tragjedia e Gllogjanit që tronditi Kosovën. Tre të vrarë, në mesin e tyre dy nxënës, humbën jetën kur një person i maskuar, ende i paidentifikuar, qëlloi me breshëri plumbash në drejtim të autobusit të kompanisë “Erblini Tours”.

Pavarësisht mobilizimit të madh dhe premtimeve të fuqishme nga institucionet e drejtësisë për kapjen e autorit, ende nuk ka asnjë të arrestuar për këtë rast.

Policia e Kosovës as nuk nuk ka konfirmuar që ka të dyshuar për rastin tragjik. Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla në deklarimin e fundit për këtë rast i kishte bërë thirrje fajtorit që të dorëzohet. Kurse drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti kishte thënë se moti i keq i ka penguar për gjetjen e gjurmëve për këtë rast pasi qentë nuk arrinin të nuhasnin.

“Jemi duke u përballur me një numër të konsiderueshëm të informacioneve rreth rastit dhe kemi sjell njësi shtesë dhe ekspertë të ndryshëm të niveleve hetimore dhe operative” tha  Mehmeti.

Për kapjen sa më të shpejt të autorit, qeveria e Kosovës ka ofruar para pak ditësh 20 mijë euro për personin që jep informacione. Por edhe pas gjitha tentimeve e premtimeve, Policia e Kosovës ende nuk ka arritur të kap autorin e vrasjes dhe pesë ditë pas aktit tronditës, ende nuk ka as të dyshuar të deklaruar për këtë rast.

6 ditë më parë, dy nxënës, Ledion Hamzaj, 16 vjeç dhe Gentiana Mustafaj, 17 vjeç dhe shoferi i autobusit Gani Gjokaj ndërruan jetë si pasojë e një sulmi me armë zjarri drejt një autobusi në Gjollan të të Deçanit. Përveç viktimave, nga sulmi me armë zjarri në Deçan mbeti i plagosur edhe një nxënës i tretë, i cili iu nënshtrua një operacioni për të hequr plumbin nga trupi.