Drejtuesja e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, Erida Skëndaj ka komentuar lëvizjen e bujshme nga SPAK për konfiskimin e 40 % të pasurive të Kelmend dhe Bashkim Balilit dhe të shoqërisë në pronësi të tyre.
Ajo u shpreh se sfidë tjetër mbetet hetimi i korrupsionit në nivele të larta shtetërore, pasi sipas saj, kjo qasje i jep forcë bandave kriminale dhe shtron terren që këto banda të “kapin shtetin”.
“Krimi i organizuar dhe çdo vepër penale minon shtetin e së drejtës. Produkti i veprës penale i hiqet personit të dënuar në formë të prerë, dhe më pas vihet nën administrim të shtetit. Në këtë drejtim shteti shqiptar ka për të bërë shumë, e në mënyrë të veçantë sa i përket tek hetimi i korrupsionit në nivele të larta shtetërore. Kjo është një vepër që minon shtetin e së drejtës dhe që më pas krijon lulëzimin e bandave dhe organizatave të strukturuara kriminale, dhe kjo më pas mund të çojë në kapjen e shtetit nga bandat kriminale”, tha ajo për Euro News.