Home Kulture Gazmend Mullahi: Kënga fituese në Festivalin e 60 në RTSH për tu...

Gazmend Mullahi: Kënga fituese në Festivalin e 60 në RTSH për tu parë dhe jo për tu dëgjuar, nata më e dobët ishte e ashtuquajtura “gala”

Festivali i 60 i Këngës në RTSH ka sjellë reagime të shumta gjatë këtyre ditëve. Kritika për atë çfarë solli me 20 këngë në konkurrim apo dhe për këngën fituese “Sekret” kënduar nga Ronela Hajati. Me këngën “Sekret” Hajati do të përfaqësojë Shqipërinë në “Eurovision”, që do zhvillohet në Torino të Italisë këtë vit. Por kompozitori Gazmend Mullahi “Mjeshtër i Madh” thotë se hyn te këngët, që janë jo për tu dëgjuar. “Kënga fituese është këngë spektakli skenik dhe jo këngë për tu dëgjuar, por këngë për tu parë. Festivali Europian na ka trazuar ca shijet dhe modeli i tij na ka trazuar keqas, duke iu përshtatur gabimisht modelit të tij. Këngët në të janë spektakli, ku s’hyn shumë fjala dhe melodia, por të tjera gjëra. Ndaj këto këngë shuhen shpejt sapo fiken dritat e skenës”, thotë Mullahi. Festivali në 2021 u zhvillua në datat 27, 28 dhe 29 dhjetor në Pallatin e Kongreseve. Nata e dytë ku ishin dhe duetet e këngëtarëve pjesëmarrës në festival me emra këngëtarësh që kanë kënduar ndër vite u quajt nata gala, por për kompozitorin Gazmend Mullahi ishte e dobët. “Për mua nata më e dobët ishte e ashtuquajtura “Gala”! Ku përziheshin këngëtarët e “moshuar” me “të rinjtë”, të cilët prishnin atmosferat e njëri-tjetrit krejt pa lidhje dhe nuk shkonin gjëkundi”, thotë ai. Si kompozitor Gazmend Mullahi ka qenë pjesëmarrës me këngët e tij për më shumë se 35 vite në Festivalin e Këngës në RTSH. Por në lidhje me këngët sot ai shpreh shqetësimin dhe për imitimin. “Pa dyshim që ka difekte, nganjëherë ne duam të tregohemi me doza të kapërcyera dhe bëhemi më “avangardë” mbi bazën e të imituarit të gjërave, që të tjerët i kanë bërë më përpara dhe ne imitojmë jo bukur. Kur duam të tregohemi të “lirë” në art ne ja shkelim me të katra dhe bëhemi “të lehtë” si era”, vijon kompozitori Mullahi.

Produkti në festival

Festivali i Këngës në RTSH pati kritika, por për kompozitorin Gazmend Mullahi me rëndësi është që me këtë aktivitet të jenë njerëzit më profesionistë. “Festivali padyshim kishte anë të mira, por jo më shumë se të nivelit mesatar. Domosdoshmëri është të ngrihet “steka” për njerëz profesionistë në drejtim dhe organizim. Gjë që demonstrohet nga produkti i dalë, që më rezulton jo i përzgjedhur drejt për atë shpenzim marramendës”, thotë ai. Gazmend Mullahi ka kompozuar këngë të festivaleve në RTSH, duke filluar që në vitin 1979 me edicionin e 18-të. Spikat me kompozimin e këngës “Mimoza e dashurisë” të kënduar nga Adriana Ceko në festivalin e 22 në vitin 1983. Këngë të tjera përmendim “Marshojmë në pesëvjeçare” 1979, “Një letër” 1981, “Bijtë e tu të mirë” 1982, “Ditët që jetojmë” 1984, “Ti mbetesh përherë pranvera” 1985, “Eja me ne” 1987, “Njoha bukurinë” 1988, “Jetës fali zemrën” 1989, “Le të duhemi” 1990. Përmendim dhe “Kthehu për vete, për mua” në 1996 apo dhe “Bota iluzion” në 1997. Ndër të tjera në 1980-2009 pjesëtar i bordit artistik muzikor të aktiviteteve të rëndësishme muzikore në RTSH- Koncertet e Majit, Festivali i Këngës së Muzikës së Lehtë, i Koncertit të Pranverës, Festivalit të Këngës Popullore, i stinës koncertore të orkestrës simfonike të RTSH si dhe i të gjitha aktiviteteve të rëndësishme muzikore që organizoheshin në këtë institucion. Fitues në koncertet e Dekadës së Majit në 1978- 1979 -1980- 1982- 1984, me pjesë të ndryshme instrumentale dhe orkestrale, etj.

SOURCEsot news
Previous articlePublikohet afati i fundit për kreditë e buta, kriteret për përfituesit
Next articleBasha ua mbylli dyert e PD-së/ Paloka: Degjenerim! Kopje e shëmtuar e Ramës