Home Aktualitet Gati shkrirja e Lëvizjes Socialiste për Integrim në Durrës. Mbështetësit e saj...

Gati shkrirja e Lëvizjes Socialiste për Integrim në Durrës. Mbështetësit e saj drejt PS

meta1Nga Xhevo Gradica / Lufta e ashpër politike në Durrës mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste ka lënë në hije partinë e Metës. LSI në Durrës nuk ndihet fare dhe kjo duket edhe në mungesën e saj në të gjitha aktivitet politike. Vet PS nuk ka shfaqur ndonjë interesim për ta pasur në krahët e saj këtë subjekt politik e bindur se mbështetësit e LSI thuajse kanë kaluar të gjithë tek socialistët, atje edhe nga u shkëputën në vitin 2009. Mundësia e vetme për të përfituar elektorat ishte ajo e joshjes me anë të punësimit dhe të dhënies së karrigeve për drejtor, përgjegjës, shef e kështu me rradhë. Formula fillestare funksionoi dhe LSI mbushi salla dhe sheshe me këtë kategori të punësuarish të cilët në fund të fundit ishin të bindur se një ditë do të ktheheshin në PS. Prishja e bashkëpunimit të LSI me PD rebeloi shumë elektoratin e saj që ishte sistemuar në punë duke përfituar nga formula e 20 përqindëshit të vendeve në administratën shetetërore, ndërkohë që jo pak prej tyre e kishin blerë vendin e punës duke paguar tek klanet që bënin emërimet. Ndonëse në këshillat e bashkive dhe të komunave në qarkun e Durrësit prania e LSI është e dukshme, kjo nuk ka pasur ndonjë ndikim tek PS për ta përë LSI si faktor në këto zgjedhje. Së paku në Durrës nuk ka më komandë në këtë parti dhe kjo ka krijuar të gjitha premisat që këshilltarët e LSI në nivelet lokale të bëjnë kompromiset e tyre. Kjo kategori, ashtu si dhe pjesa tjetër e saj, që ka dalë në tubime në krah të LSI për të ruajtur vendet e punës, apo edhe për të përfituar një vend pune ose karrige drejtuese në institucionet e shtetit, është tkurrur duke pritur rezultatet e zgjedhjeve të 23 qershorit. Tani që fushata politike është ndezur në të gjithë Shqipërinë, LSI në Durrës nuk ndihet fare dhe kjo ngase elektorati ka mbetur i paorientuar. Kanë qenë të pakënaqurit nga PS dhe të tjerë që u është premtuar punë e karrige ata që janë rreshtuar në LSI dhe tani që kjo forcë politikë u rikthye tek baza saj, elektorati ka vendosur komunikimet me antarësinë socialiste pa ndërmjetësinë e LSI. Pas prishjes së aleancës me partinë e Berishës, mbështetësit e Metës nuk ndihen fare. Përgjithësisht ata janë rikthyer tek PS duke manifestuar edhe pendesë për veprimin e mëparshëm të bojkotit politik. Në dallim nga zgjedhjet e mandatit të kaluar, LSI këtë herë është tkurrur thuajse plotësisht duke mos pasur as edhe ambicien më të vogël. Për shumëkënd mendohet se kjo është edhe shkrirja e LSI në Durrës ngase ata pak përfaqësues që kanë pranuar të vazhdojnë të mbahen si mbështetës të Metës nuk kanë mundësinë më të vogël për të riorganizuar strukturat. LSI në Durrës ka pasur një seli të saj të marrë me qera në qendër të qytetit, ndërsa ka funksionuar si bashkim vullnetarësh. Krerët e LSI së paku në Durrës janë emëruar nga lart në dallim nga formalitetet e partive të tjera të cilat kanë vendosur fiktivisht një kuti për votimin e kryetarit, antarëve të kryesisë dhe të degës lokale. Socialistët e Ilir Metës nuk kanë pasur këtë fat asnjëherë që nga krijimi degës së tyre në Durrës dhe deri më tani që është shkrirë thuajse gjithëçka. Krerët e LSI janë emëruar, ndërkohë që kjo forcë politikë nuk ka pasur dhe as nuk ka fare struktura lokale. Të gjitha kontaktet që nga koha e hapjes së degës së LSI në Durrës janë vendosur përmes kryetarit. I pari drejtues i LSI në Durrës ka qenë Arben Dushi për t’ia dorëzuar mandatin në saj të një urdhëri nga Meta pasuesit të tij Iliaz Labit dhe ky i fundit mjekut Vasil Ziu. Asnjëri prej tyre nuk ka pasur jetëgjatësi në drejtimin politik dhe kjo për faktin se krerët politik nuk kanë dalë nga strukturat lokale. Aktualisht LSI drejtohet nga Lefter Koka, eksponeti që së bashku me Agron Dukën është sulmuar më së shumti nga kryeministri Sali Berisha për lidhje me krimin e mafien. Madje Berisha fitoi edhe një mandat më shumë në Durrës vetëm pse u deklaroi qytetarëve të Durrësit se do i shpallë luftë të hapur familjeve mafioze, krimit dhe monopoleve të bananes, karburantit, sheqerit, miellit, orizit, hekurit, çementos, deklarime që pas ardhjes në pushtet jo vetëm që u harruan, por edhe u bënë pjesë e bashkëpunimit. Edhe pse Koka nuk ka arsim të lartë, madje edhe arsimin e mesëm e ka përfunduar me rezultate shumë të dobta dhe në sistemin me korrespondencë, kjo nuk ka pasur ndonjë ndikim për të qenë më i zoti se pararëndësit e tij. Dushi, Labi dhe Ziu janë të gjithë të diplomuar dhe të zotë në punën e profesionin e tyre, por Koka në politikë ka dalë më fitues. Për disa vite me rradhë kreu i LSI në Durrës ka mundur të organizojë tubime politike, aktivitete argëtuese, konferenca mediatike, ndërkohë që pas prishjes së aleancës me PD gjërat kanë marrë tatëpjetën. Koka mori mandatin e deputetit falë votave me “thasë” që erdhën nga Fushë-Kruja e Kruja në një kohë që këtë herë gjërat kanë rrokullisur ogurin e Metës në Durrës. Joshja e të rinjve në pub, disko e ekskursione është një gjetje e re e LSI për të marrë votues, ndonëse kandidatit Lefter Koka do i duhet të rikuperojë jo vetëm imazhin e keq që i shkaktoi LSI marrëveshja me Berishën, por edhe rrjedhja e votave. Aktualisht shtabet e saj thuasje janë tërësisht inaktive dhe qëndrojnë në këmbë vetëm për shkak të xhelozisë që ka me PS e PD. Koka është shfaqur disa herë në media në prononcimet e tij për problemet madhore të LSI, në një kohë që strukturat lokale në Durrës, ku ai është emëruar nga Meta si kryetar, ende nuk kanë nisur aktivitetin politik për fushatën e 23 qershorit.

Previous articleBerisha prezanton kandidatët, Durrësi pesimist në fitoren e demokratëve
Next articleÇmendet qeveria Berisha, presion NEWS24: Mos lexoni gazetën “Bulevard”