Home Slideri Firma “Primalat” kundërpërgjigjet për akuzat ndaj qumështit: Gati padinë penale

Firma “Primalat” kundërpërgjigjet për akuzat ndaj qumështit: Gati padinë penale

Nga Xhevahir Gradica

Kompania e prodhimit të qumështit të paketuar “Primalat” është në proceduarat e fundit të përgatitjes së padisë gjyqësore për dëmin e madhe që i është shkaktuar nga konkurrenca e pandershme dhe lufta e padenjë mediatike me prapavijë politike. Firma “Primalat” në Sukth të Durrësit, për shkak të prishjes së imazhit të saj, ka pësuar një dëm ekonomik në vlerën 1.5 milion euro dhe kjo pritet të bëhet objekt padie në javën e ardhshme. Biznesmeni shumë i njohur në Shqipëri, Sami Gjergji, dhe njëkohësisht investitori kryesor në ngritjen e kompanisë “Primalat”, ka thënë se firma e tij në harkun kohor të një viti bëri një revolucion të vërtetë. Biznesmeni dhe politikani Gjergji, së bashku me drejtorin teknologjik dhe atë të zhvillimit në këtë firmë, profesor Vigan Dervishi, kanë investuar 7 milion euro duke ngritur një linjë me teknologji të vitit 2010 ndër më të përparuarat në Evropë. Por ka mjaftuar vetëm një deklarim në media për të zhytur kompaninë dhe veçanërisht konsumatorin në kaos. Dy javë më parë AKU, e cila varet nga Ministria e Bujqësisë dhe Ushqimit në Tiranë u shpreh se përdoruesi i qumështit “Primalat” rrezikohet nga aflatoksina. Kjo ka mjaftuar jo vetëm për të paralizuar tregun, por edhe për të ngjallur panik tek konsumatori, ndonëse institucionet shtetërore të deklaruara për një rrezik të tillë, nuk kishin në dorë as edhe provën më të vogël. Fabrika, e cila është ndër liderit në vendin tonë, furnizon me qumësht të paketuar të firmës “Primalat” 40% të tregut në Shqipëri, 35-40% të tregut në Kosovë dhe ka filiale të saj në Maqedoni e Mal të Zi. Shtrirja dhe ambicia për të thelluar praninë e saj në tregun vendës e të huaj dhe bashkëpunimi me kompaninë multinacionale TETRAPAC ka ngjallur jo vetëm xhelozi, por edhe mllefe, të cilat kanë pasur me përzierjen edhe të kalandrave të politikës për të ndikuar në prishjen e imazhit të kompanisë “Primalat”. Zhurma mediatike ka ardhur nga Kosova, vendi ku firma tregtonte në një muaj 350 ton qumësht, por investitorët janë të bindur se loja është edhe më e thellë. Suporti politik ka pasur pa më të voglën mëdyshje ndikimin dhe shtytjen për ta rrënuar firmën për të favorizuar një kompani konkurrente në tregun kosovar, ndërkohë që një ide e tillë i shkonte përshtat edhe kryeministrit të vendit, Sali Berisha. Ky i fundit është i qartë dhe i bindur se Sami Gjergji është potencialisht i fortë politikisht e financiarisht si mbështetës i FRD- së drejtuar nga ish- presidenti Bamir Topi, ndaj edhe e ka pikasur për ta ndëshkuar. Firma ka deklaruar se çdo gjë që ajo tregton mban firmën e AKU ndaj as nuk ka dyshimin më të vogël se nuk bëhet fjalë për shkelje të standardeve dhe cilësisë së produktit të prodhuar që është tërësisht i garantuar nga teknologjia shumë e lakmuar.  Para se të ndërtohej linja “Primalat”, tregu vendës furnizohej në masën 80% nga importi, ndërkohë që kompania shqiptare ka mundur të vërë në punë jo vetëm personelin e kualifikuar brenda e jashtë vendi, por edhe 2500 fermerë në Lushnjë, Fier, Durrës, Fushë-Krujë, Tiranë, Lezhë e Shkodër. Në një orë kompania prodhon 6 ton qumësht dhe procesi teknologjik është tërësisht nën monitorim elektronik. “Për dëmin që na është shkaktuar po shohim rrugën ligjore për të cilën do të shprehemi në kohën e duhur, megjithatë më duhet të deklaroj se në këtë denoncim do të ketë dhe ka shkaktarë me emra të përveçëm”, ka thënë Sami Gjergji i cili ka pëlqyer të jetë i kujdesshëm në akuzën e ngritur për dëmin në imazh dhe dëmin financiar që i është bërë kompanisë së tij. Biznesmeni ka pohuar gjithashtu se “i është shkaktuar një dëm shumë i madh konsumatorit, fermerëve dhe industrisë”. Janë 2500 familje që mbajnë ekonominë e tyre me qumështin e prodhuar në ferma, ndërsa rasti ka tronditur edhe bizneset e të gjitha linjave të cilët kanë kuptuar se ata mund të bëhen objekt i luftës edhe për teket e politikës duke sakrifikuar miliona euro të investuara në linja të ndryshme prodhimi. Biznesmeni dhe politikani Sami Gjergji gjithashtu ka bërë të ditur se kjo propagandë e pandershme nuk e ka penguar atë të ndërmarrë të tjera investime. Konkretisht shumë shpejt firma në fjalë do të investojë 1.2 milion euro për linja të reja, marrëveshje teknologjike të cilat janë nënshkruar dhe pritet të zbatohen shumë shpejt.

 

Previous articleTolaj: AAK është forca e dytë, bashkohuni me ne
Next articleKufiri që ndan realizimin socialist si propagandë, nga letërsia e mirëfilltë artistike të vërtetash historike