Home Bota Fillon evakuimi në Mariupoli, nënkryetari i bashkisë: 9 mijë njerëz mund të...

Fillon evakuimi në Mariupoli, nënkryetari i bashkisë: 9 mijë njerëz mund të largohen

Evakuimi i civilëve nga Mariupol pritet të fillojë në këto momente. Autobusët janë organizuar për të lëvizur njerëzit në siguri nga tre lokacione në qytet duke filluar nga ora 11:00 me orën lokale (09:00  GMT). Banorëve u është thënë se ata mund të përdorin transportin e tyre për të udhëtuar në mënyrë të sigurtë përgjatë një rruge specifike në veri-perëndim për në qytetin e Zaporizhzhia gjatë armëpushimit, i cili zgjat nga ora 09:00-16:00.

Nënkryetari i bashkisë së Mariupolit, Serhiy Orlov, ka folur me gazetarin e BBC-së, Joel Gunter, i cili ndodhet në Ukrainë.

“Negociatat e armëpushimit vazhduan gjatë natës. Marrëveshja u vendos vetëm pak orë më parë, u njoftua dhe ne konfirmuam se armëpushimi filloi në orën 9 të mëngjesit me orën lokale. Ne filluam menjëherë procedurën tonë për të provuar të nxjerrim njerëzit jashtë. Kemi rregulluar 50 autobusë dhe mendojmë se 5-6000 njerëz mund të dalin me autobus për në Zaporizhzhia. Njerëzit mund të largohen edhe me makinë private ne besojmë. Ne mendojmë se gjithsej 7-9000 persona mund të ikin me autobus dhe me makinë private, nëse armëpushimi qëndron. Nuk ka trena që qarkullojnë sepse infrastruktura hekurudhore është shkatërruar nga trupat ruse. Ne ende nuk kemi garanci nga pala ruse se armëpushimi do të vazhdojë edhe nesër. Ne po punojmë për këtë tani. Duhet të kuptoni që qyteti ka katër ditë që ka mbetur pa infrastrukturë, kështu që është e vështirë t’u jepni njerëzve informacione.’- tha ai, raporton BBC.

Mariupol është bllokuar prej disa ditësh nga forcat ruse. Armëpushimi është gjithashtu në vend rreth qytetit të vogël të Volnovakha.