Home Slideri Emiljano Veliaj: Me Besën vetëm për fitore

Emiljano Veliaj: Me Besën vetëm për fitore

veliajMesfushori i Teutës Emiljano Veliaj  ka besim se skuadra e tij do ta fitojë sfidën e së shtunës ndaj Besës. Ai u shpreh se nuk pranon rezultat tjetër përveç fitores, ndërsa theksoi se skuadra vjen në këtë përballje më e motivuar se kurrë. Pasi foli për përgatitjet në kuadër të kësaj përballjeje, Veliaj kërkoi impenjim 100% nga kolegët e tij. “Përpara na pret një ndeshje shumë e vështirë dhe mjaft e rëndësishme për ecurinë e skuadrës. Besa mbetet një nga kundërshtarët më të vështirë për t’u mundur, por ne nuk kemi alternativë tjetër. Aktualisht jemi duke u përgatitur dhe shumë shpejt skuadra do të jetë gati. Në këtë përballje vijmë si favoritë, sepse së pari luajmë në shtëpi, plus që edhe skuadrat kanë disnivel me njëratjetrën. Kavajasit nuk po kalojnë momente të mira, por gjithsesi duhet pasur kujdes. Që nga ky moment e në vazhdim nuk na lejohet të hedhim asnjë hap të gabuar, sidomos në ndeshjet që luajmë në shtëpi. Për të arritur synimin duhen grumbulluar sa më shumë pikë, kështu që jemi të dënuar të fitojmë. Personalisht jam i bindur se do t’ia dalim dhe do të regjistrojmë suksesin e tretë radhazi në shtëpi”, – u shpreh mesfushori durrsak.  Veliaj u shpreh se duhet të qëndrojnë të karikuar për  përballjen e fundjavës, me qëllim rikthimin te fitorja. “Ne jemi të qetë, pasi e konsiderojmë rezultat pozitiv barazimin në transfertën e Tiranës dhe presim të rikthehemi te fitorja. Ndaj kavajasve do të futemi në fushë vetëm për fitore, pasi çdo rezultat tjetër për ne është humbje. Në kushtet ku ndodhemi, kemi nevojë për sa më shumë pikë dhe kështu që nuk duhet të hedhim asnjë hap të gabuar, sidomos në shtëpi, ku në çdo përballje nuk duhet ta diskutojmë fitoren. Ne kemi një skuadër, e cila ka kontingjentin e nevojshëm përt’i bërë ballë çdo kundërshtari, ndaj nuk duhet të lejojmë asnjë prej tyre të dalë me pikë nga ‘Niko Dovana’”, – tha fillimisht Veliaj. Duke vijuar më tej, mesfushori ndalet edhe te objektivat e skuadrës dhe mundësitë që kanë për t’i arritur ato. “Besoj se deri tani kemi zhvilluar një kampionat relativisht të mirë. Ne jemi në vendin e dytë prej një kohe shumë të gjatë, çka do përpiqemi ta ruajmë deri në fund. Teuta, edhe pse pretendon minimumin vendin e dytë nga ky kampionat, nuk i ka prerë shpresat për titull. Por që të arrihen këto nuk është aspak e lehtë, ndaj për ne tani çdo ndeshje do të jetë si finale. Skuadra po përmirësohet dita-ditës, çka konfirmohet nga rezultatet e arritura. Ajo që duhet të bëjmë është të ecim me këto ritme dhe t’i vlerësojmë të gjitha ndeshjet që na kanë mbetur maksimalisht, me qëllim që të marrin maksimumin e mundshëm prej tyre. Këtë duhet ta nisim që nga ndeshja e radhës kundër Besës, ku nuk duhet t’i diskutojmë tri pikët. Skënderbeu po konfirmon se nuk është në formë dhe po bën gabime. Këtë fakt duhet ta shfrytëzojmë më së miri, pasi diferenca mund të rikuperohet. Kemi ende shpresa për titullin, porse synimi kryesor dhe i mundshëm yni është të renditemi të dytët në klasifikim në fund të kampionatit”, – përfundoi mesfushori.

Previous articleMagani: Forca e Teutës është grupi
Next articleVolejboll Meshkuj/Teuta superiore, mposht Studentin