Home Opinion Edhe unë u vrava në shkollën e Shkozetit

Edhe unë u vrava në shkollën e Shkozetit

largea_rexhep-shahi-71360226103nga Rexhep Shahu / Unë jam ish nxënës i shkollës së Shkozetit. Edhe unë u vrava sot. I vrari iku në atë botë dhe në emër të tij llomotisin sot përgatitësit e teatrit të madh të skenave të vrasjeve. Nëpër gazeta, foltore, televizione, zyra e kolltuqe. Llomotisin duke rivrare të vrarin, duke vrarë e falë vrasësin, duke më vrarë e rivrarë pa mëshirë edhe mua. Askush nuk thotë se braktisja jonë vret. Askush nuk thotë se shoqëria vret, media vret e rivret. Me modelet që ofrojmë dhe nuk ofrojmë. Me dashurinë që s’e japim, me lluksin e rremë që krijojmë. Me grykësinë e pangopur, me shërbëtorët kapo, me mësuesit e vonuar për të kap ritmin e nxënësve, me drejtues të pameritë e inferiorë. Askush nuk e di çfarë duan adoloshentët, askush nuk di kush t’u flasë e çfarë. Eshtë jashtë mode të bisedojnë me nxënësit njerëzit e suksesshëm të artit e të jetës. Modelet i jep lakuriq media jonë që shkollën s’e ka në axhendë. Dhe politika me anonime pa autoritete morale. Ne lejojmë që të jetë kapo në shkollë ai nxënës të cilit i ka blerë makinë babai i tij me para korrupsioni apo droge. Ne lejojmë që të jetë model nxënësi që i kushton telefoni sa dy rroga mësuesi. Druaj se e keqja s’ka kundërshtarë. Por aleatë injorantë që mendojnë sot për sot dhe për xhepat e tyre në zborin e radhës.

Previous articleShteti dhe opozita nuk bëhen mbi arkivole
Next articleZv.Ambasadori i SHBA vizitoi Qëndrën Operacionale Ndërinstitucionale Detare