Home Histori E pyesin për shkabën dy krenore, ja cfarë shpjegimi i jep dr...

E pyesin për shkabën dy krenore, ja cfarë shpjegimi i jep dr Kristo Floqi

Dr Kristo Floqi*   

Një mik më pyeti pardje qysh edhe si ka mbete Shkaba dykrenore si emblemë e flamurit tonë kombëtar. Natyrisht ja shpjegova  sa munda ceshtjen duke e arsyetuar mbi baza të sakta. Pra ma solli rasti të them pak fjalë  mbi këtë ndodhi edhe me anë të përkohshmes së ndershme “Leka” për lexuesit e saj.

Dihet se në mitologjinë greke shpendi i shkabës si mbret i shpendëve të tjerë, ka pasë rëndësi të posacme. Ishte shpendi i Hyjit dhe si i thonë kshte lerë së bashku me të. Shkaba i kishte sjellë rrufenë e zjarrit Hyjit duke ja rrëmbyer reve. Kur Hyji  ishte i vogël akoma e rriste Shkaba .

Për të parën herë shohim Lekën e Madh, i cili përdori shkabën si shenjë për stemën e tij dhe për monedhën aleksandriane që pat shtypë. Prej këtej e morën më vonë edhe trashgimtarët e tij.

Më pas e kanë përdorur edhe romanët në flamuret e legjionëve të tyre si shenjë fuqie. Në kohën e imperatorit Marius, shkaba përfytyrohej me krahët hapur në flamuret e perandorisë.

Shkaba me dy krerë dalë ngadalë  u bë emblema edhe e imperatorëve të Bizantit dhe u quajt “mbretnore” dhe shkaku i bashkimit të dy shkabave ka qenë simbolizimi i imperatorisë dyfishe Romano Bizantine, mbasi ajo perandori ishte e ndarë në dysh, në perandorinë e Oksidentit me qendër Romën dhe dhe atë të Orientit me qendër Bizantin.

Prej romanëve e morën më vonë këtë shenjë edhe mbreti i Francës, Karli i Madh (Charlesmange) edhe imperatorët  e Rusisë dhe Austrisë. Imperatori bizantin, Jan Paleollogu, në vitin 1439, kur ka shkuar në Firence të Italisë për bashkimin e kishave u dha të drejtë  aristokracisë  së vendit me mbajtë shkabën dy krenare, të artë, si emblemë shtëpiake.

Sado që me pagëzimin e Kostandinit  të madh si i krishterë shkaba dy krenare ia la vendin kryqit, por përsëri shkaba dy krenare përdorej në të gjitha fasadat e ndërtesave  publike të perandorisë së Bizantit.

Një traditë tregon se bizantinët e morën shkabën dy krenare prej Turqëve, të cilët , e sidomos Selxhukët, që e hiqnin veten Rumi, dmth romanë., e kishin përdorur qysh prej vitëve 1158-1280. Tjetër traditë na tregon se bizantët e kishin marrë prej persanëve, kur i kanë mundur, pasi persianët e përdornin shkabën prej qindra vitesh si shenjë e flamurit të tyre.

Shkaba dy krenore u përdor edhe mbasi ra Stambolli në duart e Turqëve. E përdoreshin më fort si emblemë patriakale të gjithë patrikët e Fanarit. Gjithashtu përdorej edhe në shumë katedrale orthodokse, si edhe në shumë varre me rëndësi, po akoma edhe  ndër petkat e burrave si shkabë dykrenore e qëndisur me ar.

Fatosi i komit tonë Skëndërbeu, mbasi u shkëput prej Sulltanit e përdori këtë shkabë si flamur kombëtar, në luftën e parë që filloi kundër hordhive turke, nën komandën e gjeneralit turk Ali pasha, i cili me 25 mijë vetë  ishte dërguar prej Sulltan Mehmet Gaziut me i ra Skëndërbeut. Flamuri i Skëndërbeut ishte në atë kohë po kështu sic e shohim sot dmth shkaba dykrenore ngjyrë të zezë dhe  sheshi i kuq. Ky flamur u përdor në më shumë se 27 luftra që bëri Skëndërbeu kundër turqëve, gjithashtu u valvit edhe në Pulje të Italisë, kur Skëndërbeu i shkoi në ndihmë me 10 mijë burra shqiptarë mbretit të Puljas e të Aragonës, Ferdinandit, i cili ishte rrethuar keq prej frengëve dhe të cilin Skëndërbeu e liroi. Kjo me pak fjalë është historia e shkabës dykrenore, historia e fkamurit tonë kombëtar.

*Shkrimi i Dr Floqit është botuar  në shtypin e kohës në vitin 1934. Ai u përshtat nga dialekti nga bulevard news