Home Editorial Dy gishtat në Tropojë dhe shqiponja në presidencë

Dy gishtat në Tropojë dhe shqiponja në presidencë

Nga Artur Llana

Zhvillimet e ditëve të fundit, kanë bërë që më shumë se politika që ka qenë vazhdimisht në kaos, të jenë qytetarët. E para, ka të drejtë, se ka zgjedhur atë mënyrë për të bërë biznes me votën e popullit. Ata, qytetarët, kanë akoma më shumë të drejtë. Politika ka prodhuar këto vite politikanë që do t’i kishte zili çdo vend afrikan. Një popull që investon ende për hajdut votash, është i destinuar të rrijë shesheve. Të rrijë madje aq kohë, sa të mësohet se zgjedhjet bëhen në kuti votimi dhe jo rrugëve. Liderët e prodhuar rrugës dhe shesheve kanë gjithnjë kosto. Aktualisht çoroditja qytetare është investimi i saj. Për të marrë këstin e burgut, futën miq, për pronat, morën ish prokurorët e komunizmit si avokatë për t’ua kthyer. Në administratë pranuam injorantë, dashnore të fortësh, familje, të tërë në drejtim, a thua se ishin konolizatorë të plantacioneve në administratë. E deshën Sali Berishën, se u solli demokracinë nga merkato e verës së PPSh, e deshën dhe kur e mundën me referendum, se do zërë mend. E deshën më shumë, kur instaloi biznesin e votës së vjedhur në ‘96, madje aq shumë, saqë e mbrojtën në ‘97 kur i varrosi të gjjithë në piramida. E deshën për ‘97 që mori më shumë jetë se diktatura. E deshën për të zbuluar vrasësit e liderit të demokracisë. E deshën kur vrau njerëz në Gërdec, madje njohu dhe baxhanakun. E deshën kur vrau deputetë në Fier, kur për të mos humbur pushtetin, mori katër deputetë që i kishte masakruar deri në klan Zemuni. E deshën edhe kur vrau njerëz në rrugë, e deshën edhe kur darkën e parë në jetë në një shtëpi të huaj, e hëngri te shtëpia e Metës, jo me gatimet e Monikës, kuptohet. E deshën se Shkëlzeni krijoi biznesin e tij, familjet e tij, fëmijët e tij, të zhytur në luks. E deshën dhe kur hoqi qafe politikisht të gjithë themeluesit e PD.

E deshën Fatos Nanon dhe pse i burgosur si hajdut. E deshën edhe kur shurronte në brekë nga pija, se ishte liberal. E kishin zili, se babait i shërbente gruaja e parë, ndërsa bridhte Evropës me të dytën. E deshën se kishte shokë të fortë burgu. E deshën dhe kur këndonte buzuqeve dhe kur ja mbathte duke lënë kryeministrinë. E deshën si politikan pervers, kur në fakt instaloi biznesin e të fortëve. Bëri faktor injorant duke kapur institucione dhe vende pune.

Deshën Edi Ramën dhe kur drejtoi bashkinë dhe kur ishte ministër kulture. Futën trendin e nudos në fushata dhe filluan të mbanin veshur çorape me ngjyra të ndryshme. E deshën 11 vite në krye të bashkisë, e admiruan dhe kur mes Tiranës dilte me sopatë në dorë. “Ky është trendi i ri i politikanit”, thoshin dhe kurrë nuk u penduan. “Më mirë një sopatë, se sa një Gërdec”, thonin.

E deshën Lul Bashën pikërisht për këtë garë. E deshën se erdhi i panjohur, e deshën se e solli si dhëndër politik ai që njihte baxhanakun. E donin ashtu si pelte, pa bërë opozitë për t’a bërë ministër transporti. E donin dhe atëherë kur vodhi 240 milionë euro në rrugën e Kombit dhe e mbylli gjyqin një vit, se ishte me diarre, pra e mbylli si dhic. E donin dhe kur ishte ministër i brendshëm, e donin se kishte frikë kapsollat, po ama, më me frikë urdhërin për të vrarë mes bulevardit qytetarë të thjeshtë. E donin, edhe kur nëpërmjet një vemje nga Durrësi zbarkoi gjithë Laçin, Mamurrasin dhe Kavajën me banim në Tiranë, duke i humbur ato, por duke fituar bashkinë e Tiranës me dhjetë vota, sa zgjidhet kryeplaku i Baldushkut. E deshën dhe kur kutitë e votimit qëlluan të hapura te Ristani, po që më pas, i ngjitën me gjakun e një dashi me banim në Bathore. E deshën, kur thanë se gjaku i tij ishte “vinovil” i pushtetit. E deshën, edhe kur i vodhi votat Olldashit dhe kur u kthye në guerilës duke shkarkuar kryetarë degësh me ndërrim brave. E deshën dhe kur bëri listat e këshilltarëve dhe deputetëve si biznes. Shihni çfarë kishte futur në lista…

E deshën Ilir Metën se deri në ‘96 i dërgonte informacion SHIK-ut  të Gazidedës. Me një fjalë, e kishin tredhur politikisht. E deshën, kur u vodh floriri në Kërrabë dhe viktima qenë dy gomerë dhe një fshatar i gjorë. E deshën kur arrestoi Berishën si i fortë. E deshën dhe bëri koalicion me të parin dhe kur mori bllokun si brigadier faragjere për të mbledhur lekë. E deshën dhe kur u bë sebepi i vrasjeve dhe kur i dha pushtetin Ramës. E deshën si shpëtimtar, si pishtar, si hajdut, si gjobëvënës, si menaxher guroresh, e deshën si bandit, e deshën se ishte pushtetar dhe kur qeraste mediat pro tij me VKM. E deshën se ngriti dy gishtat në Tropojë. E deshën se ky popull e di mirë: kush ngre dy gishta nga halli, nuk dihet ku i fut, jo gjithmonë nga qejfi!