Vetëm pak orë me parë deputeti i Partisë Socialiste i mandatuar në zgjedhjet e fundit në Durrës, Lefter Koka, ka dorëzuar mandatin duke justifikuar këtë veprim me kontributin që ka dhënë për 20 vite në politikë.
Botuesi i gazetës “bulevard”, Artur Llana është shprehur: Veprimi i Kokës është dëshmi e rradhës e civilizimit të shoqërise shqiptare. Njeriu me i sulmuar politikisht nga Sali Berisha, Lulzim Basha dhe Ilir Meta sot i tregoi se politika ka një fytyrë dhe vjen një moment që atë do e shohësh me pasqyrën e shpirtit e kontributit tënd dhe jo pasqyrat e thyera të servilëve e maskarenjve që duan votën tënde për të ndenjur në pushtet.
Edhe pse askush nuk e thotë, Lefter Koka ka qënë një nga kryebashkiakët më të mirë që ka patur Durrësi. E gjithë puna e tij u sfumua nga akuza ordinere të një politikani që për 30 vite mori peng vendin dhe aktualisht është non-grata në Amerikë! Por pati edhe një problem tjeter, heshtja e Sali Berishës për dy kandidimet e para të Vangjush Dakos e detyrojë Lefter Kokën të respektonte elektoratin e tij, mbështetësit e tij dhe bindjet e tij në një formacion tjetër politik. Sali Berisha e harroi klanin e Zemunit se ju desh vota e Lefter Kokës dhe si fjalor i përkthyer në disa gjuhë e bëri pjesë të qeverisë së tij për të qëndruar në pushtet. Lefter Koka është rast i rrallë në politikën shqiptare kur Sali Berisha të sulmon, përçudnon, të burgos vllain, të mohon familjen si të persekutuar dhe zbras gjjthë zhargonin banal vetëm e vetëm për të mos pasur kundërshtarë. Lefter Koka ishte ndoshta i vetmi “qëndrestar” i cili e detyroi fjalorin e ndyrë të një ish-kryeministri, akuzat e turpshme të tij ndaj Partisë Socialiste për të mbajtur pushtet. Të gjithën këtë e bëri duke amballazhuar Lefter Kokën me LSI-në, një hapësirë ku ai mendoi që do të gjente personalitetin dhe dinjitetin e tij politik por edhe për ti shërbyer qytetarëve tashmë jo vetëm të Durrësit.
Sot Lefter Koka i tregoi politikës së vjetër zhgarravinë se mandati i tij ka qënë i qytetarëve dhe jo i interesit personal. Ai e mbajti mandatin atëherë kur e dorëzuan të gjithë opozitarët dhe e mori përsëri duke u përballur me të gjitha akuzat. Lefter Koka dëshmoi sot se nuk ka frikë as Sali Berishën e as Ilir Metën. Ai ngriti në Durrës një formacion politik si LSI-ja që me një levizje e zeroi në Durrës, ai mori një mandat për ti treguar Ilir Metës se akuzat, veprimet politike shpeshherë dhe fizike ishin njësoj si ato të liderit shpirtëror të Metes, Sali Berishës.
Unë mendoj se Lefter Koka sot i tregoi Metës se mandatet sot nuk merren as me bilushin e presidencës, as me rrushin e vrestarisë, as me halat e maceve të gjirit të Lalëzit. Ata merren duke i shërbyer qytetarëve. Unë e kisha paralajmëruar lëvizjen e Kokës me datën 1 pa më thënë gjë z.Koka, e dija që kjo do ndodhte për të vetmen arsye se Koka di të përplaset me kundërshtarë të mëdhenj e ti shërbejë njerëzve të vegjël, Koka di të mbajë një parti, barrën hallet e interesat e një qyteti e për ti shërbyer këtyre të fundit thjesht ka forcuar brinjët duke u ndeshur me të mëdhenjtë e politikës. Për mendimin tim Lefter Koka sot është më shumë se kurrë pranë Partisë Socialiste e qytetarëve të Durrësit! Ai është sot modeli i atij politikani që nuk pozon duke fërkuar veshin e rrushit, por e atij qytetari që e shtrydh rrushin për të qenë ndoshta thjesht një biznesmen. Besoj se Partia Socialiste ka marrë vlerësimin më të madh nga dorëzimi i mandatit, aq më shumë që zëvëndësohet nga një zonjë e nderuar në Durres siç është Ana Dhamo, por besoj se z.Koka ka krijuar modelin e fundit të një shoqërie në tranzicion ku mandati nuk dorëzohet për pushtet por për ti shërbyer qytetarëve. Zotin Koka mund ta harrojë politika por besoj që PS dhe qytetarët e Durrësit do kenë përsëri nevojë për të, gjithsesi zgjedhjet janë të tijat personale! – u shpreh botuesi i gazetës Bulevard, Artur Llana