Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka shprehur sërish qëndrimin e tij se procesi i dialogut me Serbinë do të mbetet prioritet i katërt gjatë qeverisjes së tij.
Komentet i bëri pas takimit me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, i cili po qëndron për një vizitë treditore në Kosovë.
“Më informoi me procesin e dialogut në përgjithësi. Unë shpjegova edhe një herë që ne i kemi fituar këto zgjedhje me programin tonë që përqendrohet te drejtësia dhe punësimi, se jemi në kushtet e pandemisë COVID-19, dhe se nuk jemi kundër dialogut, por e duam dialogun parimor dhe të përgatitur mirë”, tha Kurti.
Ai ka mohuar të ketë diskutuar për çështjen e hartës së BE-së, e cila e shfaq Kosovën si pjesë të Serbisë, teksa ka lënë të nënkuptohet se dialogu vazhdon të jetë prioritet i katërt i qeverisjes së tij.