Home Kosova Dhurata, akomodim, dekorime: Afër 200 mijë euro i kushtoi buxhetit të shtetit...

Dhurata, akomodim, dekorime: Afër 200 mijë euro i kushtoi buxhetit të shtetit forumi i organizuar nga Osmani

Më datë 22 e 23 tetor, në Kosovë u mbajt Forumi për Gratë, Paqen dhe Sigurinë. Mes kritikave se u ftuan shumë burra, u injoruan luftëtaret e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe aktivistet që kontribuan gjatë historisë, eventi i organizuar nga Presidenca e Kosovës dhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, i ka kushtuar buxhetit të shtetit afër 200 mijë euro. Dhurata, akomodim, dekorime, vetura me qira, në çka tjetër u shpenzuan këto para?

Rreth 500 pjesëmarrës, nga 33 shtete, qëndruan në Prishtinë për dy ditë të muajit tetor, ku morën pjesë në një forum të organizuar nga Presidenca e MPJD-ja.

Sa i kushtoi buxhetit të shtetit ky organizim?

Gazeta Nacionale përmes kërkesës për qasje në dokumente zyrtare, nga Zyra e Presidentes ka konfirmuar se Forumi për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, ka kushtuar plot 194 mijë e 211 euro.

Nga ky institucion, na kanë thënë se shpenzimet janë ndarë mes dy organizatorëve, pra mes Zyrës së Presidentes dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Kështu, Nacionales i është thënë se shpenzimet janë mbuluar nga këto dy institucione në bazë të shërbimeve që secila prej tyre ka ofruar.

Zyra e Presidentes ka paguar 133 mijë e 544 euro, ndërsa Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës mbuloi shpenzime në vlerë të 60 mijë e 667 euro.

Nacionale ka mësuar se edhe ku u shpenzuan këto para. Nga biletat e disa të ftuarve nga jashtë dhe panelistëve, e deri te dekorimi i sallave, mjetet janë mbuluar nga institucionet e Kosovës.

Më poshtë, gjeni edhe listën e plotë se për çfarë u paguan afër 200 mijë euro:

  • -Biletat e disa të ftuarve nga jashtë dhe panelistëve
  • – Shërbime të përkthimit
  • – Shërbime të zërimit
  • – Dhurata dhe shërbime protokollare
  • – Vetura me qira dhe shërbime të tjera të transportit
  • – Shërbime të PR-it, përfshirë blerja e domain-it, dizajnimi, mirëmbajtja dhe histong-u i uebfaqes, shërbimet e brendingut/dizajnimit të konceptit kreativ të Forumit, dizajnimin dhe printimin e të gjitha materialeve promovuese
  • – Furnizim me flamuj
  • – Shërbime të binave
  • – Shërbime të ndriçimit
  • – Akomodim të të ftuarve nga jashtë
  • – Dreka dhe darka gjatë Forumit
  • – Shërbime të printimit për materialet gjatë forumit
  • – Sallat e takimeve dhe hapësirat në të cilat janë organizuar sesionet e Forumit
  • – Dekorimi i sallave

Kritikat ndaj ‘edicionit’ të parë

Mes shumë folësve, siç përmendet edhe në përgjigjen e presidencës për Nacionalen, që kanë qenë rreth 500 të ftuar, Osmani u kritikua pasi u vërejt mungesa e grave që kontribuan në UÇK dhe drejt pavarësisë së vendit.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, nuk ishte e ftuar në këtë forum, gjë që kishte shkaktuar një reagim të ashpër nga ajo.

Përmes një shkrimi në llogarinë e saj në Facebook, Musliu kishte deklaruar se “historia e grave nuk fillon dhe nuk mbaron me Vjosa Osmanin”.

“Historia e grave të Kosovës në garantimin e paqes dhe sigurisë as nuk fillon e as nuk mbaron me Vjosa Osmanin! Ajo edhe njëherë u dëshmua se nuk i pranon dot afer vetes heroinat e gjalla të Kosovës. Jemi një Komb qe trashigojmë menqurinë dhe guximin e grave me shekuj! Ministri I FSK-së paska thënë se: ‘Ushtria konsiderohet ende si vend për burrat dhe këtë duhet ta ndryshojmë…’ Paska harruar se inkuadrimi i grave e vajzave në UÇK të motivuar nga Shote Galica, Nora e Kelmendit, Bubulina, Micja, Mbretresha Teutë e gra tjera heroina, kanë sfiduar mendesinë e secilit njeri qe mendon si Armend Meha”, kishte deklaruar deputete Musliu.

Ish-deputetja e Melihate Tërmkollit, e kishte quajtur presidenten “Fake”, apo në shqip, “të rreme”, derisa kishte shtuar “nderim të gjitha grave që punuan e sakrifikuan dhe ende punojnë për këtë vend”.

“Historia, pra edhe roli dhe kontributi grandioz i grave shqiptare për Liri, Pavarësi, Paqe e Demokraci, nuk mund të fshehet nga askush, aq më pak nga një ” Fake Presidente”. Nderim të gjitha grave që punuan e sakrifikuan dhe ende punojnë për këtë vend!”, kishte thënë ajo.

Gazetari Parim Olluri, kritikonte Osmanin se ftoi në forum emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirsolav Lajçak, por jo edhe gratë që luftuan për vendin.

“Presidentja Osmani paska harruar qe t’iu bëjë ftesë si folese në koferencën për rolin e grave luftëtareve të UÇK-së,Time Kadrijajt dhe Shqipe Selimit. Por, nuk paska harruar që t’i bëjë ftesë Lajçakut. Pak servilizem ndaj ndërkombtarëve, pak urrejtje ndaj grave që i kanë kap edhe armët për Kosovën. Ndaj grave qe kontributin e tyre për Kosovën nuk e kanë kufizuar në deklarata pompoze gjate fushatave zgjedhore”, ishte shprehur ai.

Nacionale kishte tentuar të marrë përgjigje nga presidenca në lidhje me këtë, derisa nuk dihej arsyeja e mungesës së zyrtarëve nga Qeveria Rama, e cila ka më së shumti gra në kabinetin e saj në Ballkanin Perëndimor.

Ndërkaq, në forum, kishte pasur të ftuar nga dy shtetet tjera fqinje, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, ku pjesëmarrës ishin zëvendëskryeministri Artan Grupi dhe zëvendëskryeministrja Jovana Marovic./Nacionale

Previous articleWashington Post: Moska marrëveshje me Teheranin për prodhimin e dronëve
Next articleKupa e Botës/ Universiteti i Oksford bën parashikimin, mbi 1 milion stimulime zbulojnë fituesin