Home Aktualitet Deputeti Bizhga sulmon ashpër Ministrinë e Brendshme: Jeni dorëzuar përballë krimit duke...

Deputeti Bizhga sulmon ashpër Ministrinë e Brendshme: Jeni dorëzuar përballë krimit duke u marrë me manipulimin e zgjedhjeve

gazmir bizhga 00000Deputeti i Partisë Socialiste Gazmir Bizhga ka lëshuar akuza të rënda ndaj situatës së krimit në vend, pasigurisë së jetës së qytetarëve dhe fenomeneve të tjera që kanë të bëjnë me punën e policisë së shtetit. “U bë shumë kohë që krimi është bërë zot i jetës dhe fateve tonë. Pasiguria dhe ankthi janë bashkë udhëtarë të çdokujt, përveç qeveritarëve dhe ministrave. Këta nuk i zë krimi, pasi një pjesë prej tyre janë miq me të dhe pjesa tjetër janë të përfshirë kokë e këmbë në të. mNgjarjet kriminale që ndodhin në mënyrë të përditshme, bëhen gjithnjë e më makabre dhe më të rënda. Më e fundit ishte ajo e djeshmja, kur një mostër grabit, dhunon e vret fëmijë m’u nën hundën e policisë dhe vetëm rastësia e zbulon. Shteti dhe policia kanë ngritur duart dhe janë dorëzuar përballë krimit. Policia është e tradhtuar nga kupola më lart e saj. Fotot, ku drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit, ca barkmëdhenj të tejngopur, pozojnë si aktorë hollivudi me krimin dhe këndojnë së bashku me të me çifteli në dorë, janë treguesi më domethënës se ku është katandisur policia jonë. Nga një anë drejtorët barkfryrë apo kupola politike e policisë, që kujdesen vetëm dhe vetëm për pushtetin e Saliut dhe nga ana tjetër policët e thjeshtë të tradhtuar, pa asnjë mbrojtje dhe pa asnjë trajtim dinjitoz”, është shprehur deputeti Bizhga. Ndërkohë që ai ka shtuar se në mes është populli ynë, i pambrojtur dhe i nxjerrë në shesh për t’u vrarë dhe grabitur nga kriminelët. Se cila është e vërteta për pasigurinë që kanë qytetarët për jetën, familjen dhe pronën e tregojnë më së miri masat që kanë marrë njerëzia në fshat e kudo, ku nuk ka asnjë shtëpi pa çifte dhe shotgun dhe ku organizohen mbi baza familjesh, krushqish, farefisnish e fshati për të bërë roje nga hajdutët, që natën i vjedhin dhe ditën drekojnë në restorante me krerët lokalë të policisë. “Me mijëra raste kriminale as nuk denoncohen më, pasi qytetarët e kanë humbur besimin se mund të kenë mbrojtjen e policisë apo se mund t’ju gjendet prona e vjedhur. Grafikët e ngjarjeve kriminale vijnë duke u rritur nga viti në vit dhe sot sipas vetë gojës zyrtare të Policisë së Shtetit kemi 22 000 ngjarje kriminale nga 8500 që kishim në vitin 2005. Sipas vetë ministrit të Brendshëm ne jemi për t’u lëvduar, pasi jemi me nivelin e ngjarjeve kriminale dhe me sigurinë publike më mirë se Luxembourg-u. Po t’i thuash një shqiptari këtu në rrugë përballe nesh, sapo del nga salla, se t’i je më i sigurt se një luxembourgez do të shikojë me habi nëse tallesh e pastaj sigurisht do të përgjigjet “të ruajt zoti se mendtë të paskan lënë”. Dhe kjo për ata që jetojnë në mes të Tiranës, se për të tjerët që jetojnë në periferi apo fshat, shprehje të tilla për sigurinë e jetës, do të ishin dalldisje e lajthitje për këdo që i lëshonte nga goja, por jo për ministrin tonë” është shprehur Bizhga.
Shteti është dorëzuar përballë krimit
Ndërkohë që z. Bizhga ka hedhur akuza të ashpra ndaj institucionit të Ministrisë së Brendshme edh për qëndrimin indiferent të saj ndaj fenomeneve me të cilët ajo duhet të përballet. “Sot kemi një aleancë të përbashkët të krimit me qeverinë. Tani që po afrojnë ditët e zgjedhjeve, qeveria e merr me qera krimin për llogaritë e saj elektorale, për të shantazhuar sa lart-poshtë opozitarët dhe ja shpërblen shërbimin me favore, si ai që i bënë në shkarkimin e komisarit të vrarë para pak kohësh. Ngjarjet me komisarët e vrarë të policisë nuk janë të rastësishme dhe as të vetmet në shpërblimet që kupola e lartë e policisë i bën krimit. Në plot kuptimin e fjalës mafia sot bën ligjin në shtetin tonë. Ndërkohë që askush nuk mban përgjegjësi dhe nuk jep llogari për çfarë po ju ndodh çdo çast qytetarëve. Ministria e Brendshme është mjaft e okupuar me akaparimin e listave zgjedhore, duke zhvendosur qytetarët e ndër to mjaft familje të policëve të thjeshtë nga Tirana drejt qarqeve të Kukësit e Dibrës, për të ruajtur numrin e mandateve për deputet, pasi këto vende që janë edhe më të varfrat në vend, i shikon vetëm si bastione votash për të siguruar një pushtet jo legjitim. Nuk ka kohë as për të parë se çfarë është bërë me përmbytjet që mbuluan gjithë vendin, nga veriu në jug, po bën edhe sarkazëm me mjerimin e qytetarëve të dëmtuar, kur ju thotë vetë Ministri Brendshëm se përmbytjet janë kalimtare dhe të bëjnë durim ca ditë sa të kullojë uji. Kjo është të vësh duart në kokë” është shprehur Bizhga. Ai ka shtuar se miliona euro dëm ju janë bërë qytetarëve në Durrës, në Hamallaj, Vadardhë, Perlat, Rrushkull etj në bashkinë Sukth, në Rrotull e Shkafane, në komunën Ishëm, në Mazhe, Bilaj, Murqinë etj, në komunën Bubq, në Jube, katund Sukth, Shënepremte, në komunën Katund i ri, në Shijak etj. Askush nuk vajti nga Ministria e Brendshme, jo më t’i ndihmonte, por as t’ju llogariste dëmet e bëra. Përgjigja që morën nga televizori ishte që të bënin durim se uji do të kullonte. Kaq është interesimi i shtetit për qytetarët e vet. “Kam qenë para dy ditësh në hidrovorin kryesor të Durrësit, atë që ndodhet në Sukth dhe në kulmin e reshjeve nuk punonte se nuk kishte energji dhe as kujtohej kush për ta vënë në punë, ndërsa banorët kishin dalë të tmerruar dhe ruanin me zemër të ngrirë nivelin e ujit, ndërsa ai i Thumanës nuk punonte se i kishte dalë pronari i tokës. Kam takuar fermerë që ju ishte dëmtuar e gjitha baza ushqimore për blegtorinë dhe askush nga qeveria nuk kishte vajtur t’ju thoshte se do t’i ndihmonin që të kalonin dimrin, por të gjorët ishin bërë të gatshëm që të thernin e shisnin një pjesë të bagëtisë, për të blerë ushqim për pjesën e mbetur, ndërsa Ministria e Brendshme dhe aradha e nëpunësve të saj nuk lëvizin as gishtin për t’i ndihmuar, se janë të zënë me listat e zgjedhësve e me darkat dhe drekat me krimin. Urrejtja që kanë njerëzit e thjeshtë për këtë qeveri të korruptuar fund e krye, që tallen me fatin e njerëzve duke i lënë ata në mëshirë të tij dhe në dorë të krimit nuk ka të matur. Urrejtja e tyre e sidomos e atyre që kane votuar para katër vitesh këtë qeveri dhe qe janë dyfish të zhgënjyer, është një kazan që zien. Kjo urrejtje do të kthehet në ndëshkim me votë më 23 qershor, për të gjithë këtë lukuni të babëziturish që janë ministrat tanë dhe për krye balozin e korrupsionit që është natyrisht kryeministri në ikje” ka përfunduar deputeti i PS-së Bizhga

Previous articleShefi kuadrit në arsimin e Durrësit nuk di të shkruajë në kompjuter, shkollat detyrohen t’ia dërgojnë informacionet dorazi
Next articleVangjush Dako promovon një nismë të re për ndërhyrje artistike në fasadat e qytetit