U.B. 21 vjeç, i cili dyshohet për vrasjen e tetë personave dhe plagosjen e 12 të tjerëve në zonën e Mlladenovcit dhe Smederevës të Serbisë, në seancën dëgjimore në Prokurorinë e Lartë Publike në Smederevë ka pranuar se kishte kryer krimet e përgjakshme, ndërsa ka thënë se e ka bërë për ta frikësuar popullatën.
U.B. dyshohet se ka vrarë tetë persona dhe ka tentuar të vrasë 12 persona të tjerë të enjten e 4 majit në mbrëmje.
Në deklaratë thuhet se gjatë bastisjes së të dyshuarit dhe lokalit që ka përdorur, është gjetur një sasi e madhe armësh dhe municioni, ndërsa me rastin e largimit nga vendi i ngjarjes, fillimisht pa autorizim ka përdorur veturën e dikujt tjetër, e më pas në afërsi të “Mali Pozharevacit” ka kërcënuar me bombë një shofer taksie dhe pasagjerët në atë mjet.
Pas seancës gjykata i ka caktuar masën e paraburgimit. Masakra ndodhi vetëm një ditë pasi një 14-vjeçar vrau nëntë persona në një shkollë fillore në Beograd.