Thashethemet janë të shumta për gjendjen shëndetësore të liderit të Bjellorusisë, Aleskandër Lukashenko, tha në Twitter rivalja e tij kryesore, e cila ndodhet në mërgim, Svetlana Tikhanovskaya. Lukashenko nuk është shfaqur në publik që prej 8 majit, madje as nuk ka marrë pjesë dje në një ceremoni në kryeqytetin e vendit, duke ndezur spekulime se lideri është i sëmurë rëndë.
Siç raporton gazeta britanike Guardian, kryeministri i vendit Roman Golovchenko lexoi një mesazh nga Lukashenko gjatë një ceremonie vjetore në të cilën të rinjtë zotohen për besnikëri ndaj flamurit të ish-shtetit Sovjetik. Shumë gazetarë rusë raportuan se Lukashenko dukej i lodhur kur udhëtoi për në Moskë më 8 maj për përkujtimin vjetor të humbjes së Gjermanisë naziste në 1945. Ai gjithashtu nuk mori pjesë në një drekë të organizuar nga Putini dhe nuk iu drejtua veteranëve bjellorusë më 8 maj në Minsk, duke thyer traditën.
Sipas agjencisë opozitare të lajmeve “Euroradio”, Lukashenko u transferua në një klinikë në Minsk të shtunën. Publikimi rus online Podyom citoi një anëtar të lartë të Dhomës së Ulët (Duma), Konstantin Zatulin, të ketë thënë se Lukashenko “thjesht u sëmur… dhe ndoshta ka nevojë për pushim”.
Gazeta ruse “Kommersant” gjithashtu publikoi një artikull për shëndetin e Lukashenkos, duke cituar Zatulin dhe mediat opozitare bjelloruse.
I pyetur për gjendjen shëndetësore të presidentit 68-vjeçar të Bjellorusisë, i cili ka udhëhequr vendin që nga viti 1994 , zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov u kërkoi gazetarëve të hënën që “të besojnë vetëm informacionin zyrtar”.
“Megjithatë, nuk ka asnjë informacion nga Minsk për këtë çështje,”- tha ai.
Lukashenko, zëdhënësi i Putinit, sundon vendin e tij me një grusht të hekurt. Pas protestave masive për rizgjedhjen e tij në vitin 2020, që besohej se ishte rezultat i mashtrimit elektoral, regjimi i tij shkaktoi një goditje të paprecedentë që vazhdon edhe sot e kësaj dite. Në të njëjtën kohë, ndërsa marrëdhëniet e tij me Evropën ishin të tensionuara, ai gjeti mbështetje te miku i tij, i forti i Kremlinit, Vladimir Putin, duke mbështetur sulmin ndaj Ukrainës që nga fillimi i tij në shkurt 2022./DOSIER