Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell shpreson që Kosova dhe Serbia të pranojnë propozimin evropian, si rrugë për normalizim të marrëdhënieve. Më pas ia theksoi se i ka ftuar në takim për 27 shkurt, kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe presidentin serb, Aleksandër Vuçiç.“Jam takuar me presidentin e Serbisë dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Do të takohem me të dy në Bruksel më 27 shkurt, i kam ftuar për të pasur një ditë të plotë me diskutime. Është një propozim në tryezë. Shpresoj që ata të jenë në gjendje ta pranojnë këtë propozim si rrugë për t’i normalizuar marrëdhëniet mes tyre”, është shprehur Borrell. Kryeministri Albin Kurti, në kuadër të Konferencës së Mynihut, ka zhvilluar takim edhe me përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell dhe Përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë- Serbi, Miroslav Lajçak. Në takim është diskutuar për procesin e dialogut dhe propozimin evropian, të iniciuar nga Franca dhe Gjermania dhe të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Italia. Po ashtu, është folur edhe për takimin e radhës në Bruksel të thirrur për 27 shkurt nga Bashkimi Evropian. Ndërkombëtarët janë në përpjekje e sipër për të kërkuar që të arrihet sa më shpejt një marrëveshje mes Serbisë dhe Kosovës. Në vitin 2023 duhet të nënshkruhet marrëveshja e dytë për normalizim të marrëdhënieve, pas asaj të vitit 2013, me të cilën Serbia faktikisht e pranon realitetin e Kosovës shtet të pavarur, por nuk e njeh formalisht.