Home Politike Berisha: Komisioni Hetimor u mbyll se do hetohej vrasja e Xhuvanit, përgjigjet...

Berisha: Komisioni Hetimor u mbyll se do hetohej vrasja e Xhuvanit, përgjigjet Gazment Bardhi

Ish-kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se Komisioni Hetimor për masakrën zgjedhore të 25 prillit u mbyll për shkak se do të hetohej edhe vrasja e Pjerin Xhuvanit. Gjatë një bashkëbisedimi me demokratët në Korçë, Berisha tha se kjo ishtë një marrëveshje mes Taulant Ballës dhe Gazment Bardhit.

“U vra tjetri në Elbasan, mjek ishte ai, nuk mund të vritej, aty ndodhi përplasja. Prokurori do dhe tha se aty s’kishte materiale zgjedhore, ishte plot me materiale zgjedhore të Taulant Ballës dhe u faktua që ishte. Dhe ku u katandis edhe opozita. Prokurori, për mashtrimin publik që iu bëri shqiptarëve u gradua dhe shkoi në SPAK. Komisioni Hetimor Parlamentar për zgjedhje, u mbyll, sapo doli se do të hetohej çështja e Elbasanit, e mbyllën të dyja palët, edhe pozita edhe opozita. Gjendja është jashtëzakonisht kritike, e padurueshme, por ne me besim dhe me durim, duhet të përpiqemi që jo lëvizje të përfshijë çdo shqiptar që e do këtë vend për të përmbysur në rrugë demokratike këtë regjim dhe rikthyer vendin në rrugën që meriton, në rrugën e zhvillimit, në rrugën e lirisë, në rrugën e integrimit”, u shpreh Berisha.

Ndërkohë që pas deklaratës së Berishës, ka reaguar edhe Gazment Bardhi. Me anë të një postimi në Facebook, Bardhi shkruan se deklarata e Berishës është gënjeshtër dhe mashtrim. Ai gjithashtu ka theksuar se ngjarja e Elbasanit nuk ka qenë fare në objektin e punës së Komisionit, ndërsa bashkëngjitur publikon edhe dokumentin.

Postimi i Bardhit:

Sali Berisha ka vijuar edhe sot gënjeshtrat mbi komisionin hetimor për masakrën zgjedhore të 25 Prillit. Ngjarja e Elbasanit nuk ka qenë fare në objektin e punës së Komisionit. Më poshtë është vendimi për ngritjen e komisionit hetimor, ku qartësisht demontohet gënjeshtra e Sali Berishës. Vendosja e shenjës së barazisë midis sakrificës dhe betejës së demokratëve të Elbasanit në zgjedhjet e 25 Prillit dhe veprimtarisë së bandave kriminale me në krye Taulant Ballën, është akti më i shëmtuar i një njeriu që ka humbur rrugën e arsyes dhe është verbuar nga urrejtja për këdo që nuk është në PD për tu bërë mburojë për hallet e Sali Berishës. Mgjthatë duke dashur ti jap një shans Sali Berishës që të tregojë se interesi i tij është zbardhja e ngjarjes së Elbasanit dhe jo marrja në mbrojtje e bandave të Elbasanit, një pjesë e të cilave janë sot pjesë e operacionit të SPAK, e nxis të përgatisë një kërkesë për ngritjen e një komisioni hetimor vetëm për atë çështje, të caktojë kryetarin dhe anëtarët e opozitës tek të cilët ai ka besim. Unë do jem një nga firmëtarët për ngritjen e këtij komisioni hetimor dhe do i kërkoj secilit koleg të opozitës të firmosë dhe mbështesë këtë Komision Hetimor. Ripërsëris kërkesën që ta bëje gati dhe të ma sjellë për firmë që sot (dorazi të lutem, jo me fax sepse lë gjurmë që të lenë pa gjumë pastaj)!