Home Slideri Begeja do të vazhdojë të jetë trajner i Teutës

Begeja do të vazhdojë të jetë trajner i Teutës

BegejaNën drejtimin e teknikut Gentian Begeja dhe me optimizmin për një ecuri pozitive gjatë pjesës së mbetur të sezonit, Teuta ka startuar zyrtarisht përgatitjet. Ndërkohë nga ana tjetër, “djemtë e detit” kanë bërë edhe goditjen e parë në merkato, teksa kanë afruar sulmuesin Guido Tepshi. Numri një i pankinës durrsake, Gentian Begeja, ka konfirmuar se do të vijojë ta drejtojë këtë ekip, ndërsa theksoi se do të kthehet më i fortë se ai i fazës së parë. “Kemi nisur përgatitjet për pjesën e mbetur të sezonit, gjatë të cilës shpresojmë të bëjmë një paraqitje sa më të mirë. Skuadra është e plotë, ndërsa të gjithë lojtarët kanë shprehur gatishmërinë se do të japin maksimumin e tyre si në ndeshjet e kampionatit, ashtu edhe për ato që kanë mbetur në kupë”, – u shpreh tekniku, i cili më pas bëri të ditur objektivin e skuadrës: renditjen në një nga dy vendet e para në tabelën e klasifikimit. “Qëllimi ynë është pjesëmarrja në Kupat e Europës, ndërsa do të përpiqemi ta mbajmë fort vendin e dytë. Ndonëse kundërshtari është shkëputur 10 pikë përpara, ne nuk i kemi dorëzuar armët, përkundrazi do të luftojmë deri në pikën e fundit. Ne shpresojmë që Skënderbeu të gabojë gjatë rrugës dhe kësisoj do të mund t’i afrohemi. Teuta ka një kontingjent mjaft cilësor, që është i aftë të zgjidhë çdo problem dhe të shmangë çdo të papritur. Besoj se do të rikthehemi më të fortë se fazën e parë”. Sa i përket merkatos Begeja pohoi: “Skuadrës aktualisht i është bashkuar sulmuesi Tepshi, i cili së fundmi është aktivizuar në radhët e Apolonisë. Sigurisht që gjatë ditëve në vijim do të vijnë edhe lojtarë të tjerë, të cilët do të provohen dhe, nëse vlejnë, do të bëhen pjesë e skuadrës. Megjithatë nuk do të nxitohemi sa u përket prurjeve të reja”. Teuta ka nisur zyrtarisht merkaton, ndërsa deri më tani ka bërë dy lëvizje; ka afruar sulmuesin e Apolonisë, Guido Tepshi, teksa është larguar Enio Petro drejt Partizanit. Sipas drejtuesve, Tepshi është një përforcim i mirë, i cili do të ndihmojë shumë në repartin e avancuar, ndërsa premtuan se nuk do të ndalen këtu, pasi ditët në vijim do të ketë përforcime të tjera. Nuk bëhet e ditur se cilët janë emrat që janë piketuar nga drejtuesit durrsakë, por shumë pranë firmës është mbrojtësi Shaqir Stafa, i cili prej kohësh stërvitet së bashku me pjesën tjetër të grupit.

Previous articleGazeta “Bulevard” zbulon për herë të parë 23 emrat që kanë themeluar Teatrin e Durrësit me urdhër të Enver Hoxhës
Next articleShtëpiakia perfekte? Bar Rafaeli