Nga Artur Llana / Sot PS do të vendosë bashkëpunimin me LSI-në, të majtët që i kanë munguar jo se patën kundërshtime në parim me forcën më të madhe politike opozitare, po se për qejf bënë një shëtitje ja katër vjet me katër deputetë në katër ministri duke vrarë nja katër vetë për të bërë ca lekë. Nuk do të merrem me marrëveshjen, aq më shumë kur dje kam parë socialist që lëshonin më shumë mllef për këtë marrëveshje dhe lidershipin e saj se sa për qeverisjen e Sali Berishës. PS-ja pas tetë vitesh në opozitë ka vendosur që ta bëjë “mrekullinë” duke bërë fillimisht lëvizjen për rrotacion hajdutësh në pushtet. Këtë do ta sqarojë më poshtë, por ajo që më tremb është se a do të ketë bllok blu apo rozë Ilir Meta kur të shëtisë nëpër ministri për t’i kërkuar haraçin? Nisur nga kjo llogjikë, socialistët kanë bërë veprimin më dështak që do t’i japë më shumë frymëmarrje PD-së për të thënë se ata që vodhën dhe u bënë sebep për të vrarë tashmë nuk janë me ne. Personalisht kam vendosur me kohë që të mos votoj PD dhe PS kurrë në jetën time. Emocionalitetit të deklarimit apo betimit, tashmë i kam shtuar sigurinë se kam bërë mirë kur e kam marrë këtë vendim. Edi Rama ka gjetur mënyrën më komode për të bindur socialistët se koalicioni me LSI-në, parti që i nxorri në shesh për t’i vrarë me gardistët e Berishës nuk është më dëshirën e tij, po një kërkesë që e japin ndërkombtarët. Madje kjo ndodh në një kohë kur mediat proopozitare nuk i ndanin titrat dje se edhe vetë Papandreu ja kërkonte këtë Ramës. Edi Rama e di mirë se kush është Papandreu, po pas këtij koalicioni me doza evropiane do të shohë edhe më mirë se kush është Ed Ndreu. Kur e them këtë nuk kam parasysh një personalitet të politikës evropiane, po një hajdut që do ta kishte zili edhe vetë Ali Baba dhe që ulëret se kunati i Ilir Metës është shoku më i ngushtë i tij. Papandreun ja fal Ramës, po Ed Ndreun kurrë! Përfundimisht Sali Berisha që e di mirë se do të ikë nga pushteti, ka mundur ti bëjë rrengun më të madh Ramës duke e sjellë në pushtet me hajdutët e qeverisë së tij. Kështu pas 23 qershorit, Genci Alizoti, do t’i thotë Vangjush Dakos se e kishte penguar dhe kritikuar se kështu ja kishte kërkuar Berisha. Madje ai mund të nxjerrë si provë për këtë edhe takimet që ka bërë, edhe abuzimet që ka bërë, edhe palaçollëqet që ka bërë dhe të gjitha këto kanë pasur një kosto për qytetarët, po që tashmë duhet të harrohen se Alizoti na u rikthye në PS. Pas 23 qershorit, drejtorët e LSI-së që kanë vjedhur për të punësuar njerëz do të rehabilitohen se këtë e kërkoka e majta evropiane dhe aq më shumë jo Papa Françesku, po Papa Ndreu. Nuk jam nga ata njerëz që nuk e dua Evropën, madje kam simpati edhe për shumë politikanë të saj, të majtë apo të djathtë, po që të dalësh me tezën se njeriu që ka bashkëpunuar në vjedhje, që ka rrënuar këtë vend, me katër deputetë, njeriu që për herë të parë tregoi se demokracia nuk funksionon kush ka më shumë deputetë, po kush ka katër deputetë që të bëjnë shumicë, tani duhet të bashkohet për pushtetin e ri apo më saktë rrotacionin, kjo është turp. Në të sëmës i qoftë Papandreut e papandreve të tjerë. Ata që janë bërë pjesë e vjedhjes, pjesë e abuzimit, pjesë e korrupsionit, ata që janë bërë shkaktarë të vrasjes së katër njerëzve në kryeqytetin e një vendi evropian, tashmë u dashkan për të rrëzuar Berishën në koalicion. Nuk mendoj kurrë se Berisha është e vetmja e keqe në këtë vend. Ai ngriti një sistem me hajdutë me abuzues, po ama këta që abuzuan dhe vodhën duhet t’i shëtisim nga një parti në tjetrën se thjesht duhet të merret pushteti. I kam mirëkuptuar ato socialist sot që me të drejtë ju duhet të shkojnë dhe t’i kërkojnë falje Alizotit e lloj lloj sorollopi tjetër me një emër partie që u kthye në organizatë hajdutësh dhe administratë antiqytetare për faktin e vetëm se dashka Papandreu. E gjithë kjo që po ndodh është rrotacion hajdutësh dhe për herë të parë demokratët që katër vite i thanë Metës drogaxhi, kriminel, hajdut votash dhe pas 2009 o flori që na shpëtove nga humbja e pushtetit, janë të lehtësuar se 21 janarin duhet ta harrojmë. Atë nuk mund ta përmend më as Edi Rama as PS-ja. Ata që ndezën turmën për të dalë në shesh do të jenë nesër në qeveri! E vetmja gjë e mirë në këtë rast është se Sali Berisha do të ketë me çfarë të mbrohet dhe do tu thotë socialistëve se ku e ka ngrënë drekën ai dhe kush do t’i hajë ngjalat pas. Ilir Meta personalisht ka bërë lojën më të mirë duke integruar veten, ministrat, elektoratin në administratë të një shteti që për rrotacion kërkon gjithnjë ndihmë hajdutësh. Ajo që do të pësojë PS-ja nga kjo lëvizje do të duket në ditët në vazhdim. Ky është padyshim bashkëpunimi për të mohuar vetveten për të mos thënë për të pështyrë vetveten.