Home Sport Arjan Sheta: Lufta për titull e hapur

Arjan Sheta: Lufta për titull e hapur

shetaMbrojtësi i Teutës Arjan Sheta ka pohuar se fitorja që morën në startin e fazës së dytë ndaj Shkumbinit është vetëm shkëndija e parë që kanë dhënë në luftën për titull. Sipas tij, pas humbjes së Skënderbeut, tashmë ajo është më e hapur se kurrë. “Nuk mund të ndodhte ndryshe. Skuadra ishte e destinuar vetëm për ta fituar sfidën ndaj peqinasve dhe ne bëmë detyrën që na takonte, duke marrë më të mirën. Nuk bëmë gabime ndaj peqinasve, ndërsa konfirmuam se ishim më të konsoliduar se kurrë. Në atë sfidë vura re se të gjithë lojtarët kishin besim dhe siguri në vetvete, ndërkohë që e interpretuan në mënyrën më të mirë të mundshme lojën e skuadrës. Gjithashtu, ishim rreshtuar mjaft mirë në fushë, çka ia vështirësoi akoma edhe më shumë gjërat kundërshtarit, i cili nuk arriti të gjente hapësira. Ajo që duam tashmë është që skuadra të vijojë me këtë ritëm”, – pohoi fillimisht idhulli i tifozërisë durrsake. Duke vijuar më tej, Sheta nuk ka lënë pa komentuar edhe hapin e gabuar të Skënderbeut. Ai u shpreh se korçarët kanë bërë një hap fals, që do t’ua vështirësojë së tepërmi gjërat në luftën për titull. “Skënderbeu u mund në shtëpi nga Vllaznia, dhe për ne kjo ishte ‘qershia mbi tortë’. Tashmë diferenca mes Teutës dhe Skënderbeut nuk është më 10, por 7 pikë. Për ne, kjo është një sinjal që përkthehet ‘kurrë mos thuaj kurrë’. Pak ditë më parë shumë pak prej lojtarëve kishin besim se lufta për titull ishte ende e hapur, ndërsa tashmë besojnë verbërisht te titulli. Sikundër kam pohuar edhe më herët gjatë prononcimeve të mia Teuta ka një skuadër të denjë, e cila nuk do të ndalet deri në pikën e fundit për të arritur objektivat e saj. Tashmë shpresat për titull janë shtuar, duke qenë se diferenca me kreun është 7 pikë”. Teuta do të përballet këtë fundjavë ndaj Luftëtarit, në një sfidë ku do të kërkojë vazhdimësinë e rezultateve pozitive. Sheta, duke u ndalur te kjo përballje, këshilloi më shumë punë dhe vlerësim maksimal për çdo kundërshtar. “E kemi nisur mjaft mirë fazën e dytë ku, përveç fitores së arritur ndaj Shkumbinit, jo më pak pozitiv ishte për ne edhe humbja e Skënderbeut. Gjithsesi, kjo i përket së kaluarës tashmë, ndaj duhet të shikojmë përpara dhe të mendojmë për të fituar ndeshjen e radhës. Në fundjavë presim Luftëtarin, i cili po përpiqet të qëndrojë mes skuadrave më të mira. Gjatë gjithë javës jemi përqëdnruar  te kjo sfidë dhe jemi përgatitur për ta fituar atë. Nuk na lejohet asnjë hap fals në fushën tonë”, – ka përfunduar mbrojtësi.

Previous articleTeuta, fitorja me Shkumbinin forcon besimin
Next articleArmando Sadiku i papërmbajtshëm dopietë ndaj Lokarnos, synon këpucën e artë